Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dje dekretoi gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese.
Në mesin e tyre u dekretua edhe gjyqtari Radomir Leban, i cili është në listën e Interpolit me kërkesë të Serbisë.
Sipas raportimeve, Leban kërkohet nga shteti serb për të vuajtur dënimin me 6 vjet burgim dhe është dënuar për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe kontrabandën.
Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo është në kundërshtim me kriteret e lëre të zgjedhet në këtë pozitë, derisa gjithë këtë e quan absurde.
“JO, nuk mund të ushtrojë askush një funksion të tillë në një gjykatë, është në kundërshtim edhe me kriteret e aplikimit e lëre më të zgjedhet. Kjo çështje është e çuditshme dhe absurde, por kjo ndodhë në një shtet që nuk ka demokraci por ka sundim anarkik pra s’ka sundim demokratik, njerëzit që marrin vota bëjnë çfarë të duan dhe emërojnë çfarë të duan dhe askush nuk mund t’i ndalë, përderisa kjo është kështu nuk pritet asgjë interesante për të thënë, kjo është antidemokratike e antiligjore dhe antikushtetuese”, është shprehur ai.
Sipas Burjanit, më mirë do të ishte të shuhet Kushtetuesja dhe të themelohet një departament për interpretim të Kushtetutës që do të përbëhej nga 5 gjyqtarë.
“Kjo gjykatë përherë është përbërë nga partiake të ndryshëm, anëtarë të partive si e tillë më mirë është të shuhet se sa të jetë organ politik i partive. Pra më mirë është të themelohet një departament për interpretim të Kushtetutës që do të përbëhej nga 5 gjyqtarë. Pra më mirë të ndiqet praktika e SHBA, Zelandës së e Australisë”, ka deklaruar ai për gazetën “Bota sot”.