Konferencat e Thaçit, pjesë e skenarit famëkeq për Kosovën

Politika

Konferencat e Thaçit, pjesë e skenarit famëkeq për Kosovën

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 11 gusht 2018 Në ora: 20:00
Hashim Thaçi

Përmes konferencave pothuajse të përditshme të tij, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, çdo herë para mediave e publikut po proklamon idetë e tij të reja rreth dialogut me Serbinë, përkatësisht idesë përmes termave ndarje, korrigjim, shkëmbim etj.

Presidenti në çdo konferencë të radhës, po e hedhë poshtë deklaratën e tij të kaluar, duke “shpikur” një të re, e në këtë mënyrë po tenton që ta hutojë mendjen e qytetarit të Kosovës.

Ky rrebesh i konferencave të Thaçit, ka ardhur menjëherë pas kthimit të tij nga Brukseli, nga takimi i fundit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Rrahmani: Thaçi po e pa-qartëson situatën me konferencat e ngjeshura

Deputeti i Lidhjes Demokratike, Imet Rrahmani, ka thënë për “Bota sot” se këto konferenca të ngjeshura të Thaçit, po e paqartësojnë çdo herë e më shumë çështjen e proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova. Rrahmani i quan deklarimet e Thaçit si të pa-balancuara.

Image
Imet Rrahmani

“Nuk është praktikë e njohur më herët që Presidenti të paraqitet në konferenca aq të  shpeshta. Ai më mirë do të bënte sikur të kursehej nga prononcimet e shpeshta sepse nga çdo konferencë e re po krijohet paqartësi edhe më e madhe rreth proceseve nëpër të cilat po kalon vendi, e para dhe  e dyta. Deklarimet e tij nuk janë të balancuara dhe në funksion të krijimit të unitetit të brendshëm politik më se të domosdoshëm për kohën. Fatkeqësisht, po shkohet edhe më larg dhe këto dilema të mëdha po shkaktojnë  konfrontime e mospajtime  edhe në hapësirat tjera shqiptare”, është shprehur ai.

Sipas deputetit të LDK-së, është e vështirë të thuhet se çka po përgatitet dhe çka e pret Kosovën në muajt e ardhshëm nga ajo çka në kemi si informacion.

"Kësaj paqartësie po i kontribuon edhe mungesa e një platforme, ta quaj konsensuale për dialogun më Serbinë, si dhe deklarimet kundërthënës të Presidentit, Kryeministrit, Kryeparalamentarit dhe akterëve të tjerë me përgjegjësi institucionale. Bile po shkohet aq larg sa që deklarimet rreth shkëmbimit të territorit, bashkimit po ose  jo të Kosovës Lindore më Kosovën, kanë filluar të komentohen dhe kuptohen si manipulim i radhës i popullatës shqiptare atje dhe të drejtës së tyre historike thjesht për  arsyetimin e lëshimeve që do të bëhen në favor të serbëve”, ka deklaruar Rrahmani për “Bota sot”.

Një formulë unike e spektrit politik, mund ta gjejnë konsensusin e përbashkët për të dalë fitimtar nga ky proces, thotë Rrahmani, duke shtuar se nuk ka vend për optimizëm nga një qasje e tillë e presidentit Thaçi.

“Një gjë është e sigurt se me një qasje të tillë nuk ka vend  për optimizëm. Kosova do të përjetoj zgjidhje shumë më të dhimbshme se sa po mendohet nëse nuk veprohet shpejt dhe me racionalitet e tolerancë. Meqenëse është e kuptueshme që këto procese po shtyhen përpara më nguti më shumë për shkakun e Serbisë se sa të Kosovës, spektri politik shqiptar duhet patjetër të gjej formulën e konsensusit nëse dëshirojmë të dalim fitimtar nga procesi”, ka thënë Rrahmani.

Islami: Thaçi po mundohet ta shpërqendroj vëmendjen e qytetarit

Këto shpeshtime të konferencave, i ka komentuar për “Bota sot” edhe kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Gazmend Islami, i cili thotë se përgjatë 19 viteve karrierë politike të Thaçit, ai gjithherë ishte treguar njeri i fshehur, i cili punonte për interesa personale, duke i anashkaluar ato kombëtare.

Image
Gazmend Islami

“Hashim Thaçi i cili njihet për 19 vite në politikë, pra që nga koha kur ishte drejtor politik i UÇK-së, asnjëherë nuk i ka sjell Kosovës diçka të mirë. Gjatë këtyre viteve, ka qenë një figurë mistike, siç ka qenë me pseudonimin e tij në luftë “gjarpëri”, pra ishte njeri i fshehur, i cili mbrapa skenës punonte çdoherë për interesa të ngushta personale, por asnjëherë për interesa kombëtare dhe të qytetarëve të vendit”, thotë Islami.

Sipas toj, shpërqendrimi i vëmendjes së popullit nga zhvillimet që po ndodhin në Veriun e Mitrovicës, duke  bërë që qytetarët t’i kthejnë sytë nga termat, ndarje, korrigjim, është arsyeja që këto konferenca të Thaçit janë shpeshtuar.

“Kohëve të fundit është duke u parë loja e ndytë politike që është duke u bërë nga Hashim Thaçi, që për të shpëtuar vetën nga Gjykata Speciale, është në gjendje të bëj kompromise nga më të dhimbshmet për Kosovën. Meqenëse në vitin 2013 ka bërë nënshkrimet për formimin e komunave serbe, pa e parë asnjëherë parlamenti i Kosovës, Thaçi po i mbanë këto konferenca që autonomia serbe të bëhet e heshtur, duke shpërqendruar vëmendjen e opinionit të gjerë. Me termat ndarje, referendum, ai po mundohet që ta shpërqendroj vëmendjen e popullit nga zhvillimet në Veri të Mitrovicës”, thekson Islami.

Kelmendi: Qëllimi Thaçit përmes taktikave të tij

E njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi i tha “Bota sot” se këto konferenca të Thaçit vinë nga fakti që presidenti po mundohet t’i fus njerëzit në mendime të cilat ai i përcakton nëpër konferenca.

Image
Muhamet Kelmendi

“Unë mendoj se konferencat e shpeshta të presidentit Thaçit, vijnë nga fakti që ai me grupin e vet që është i udhëhequr nga Thaçi, i nevojitet që sa më shumë të del nëpër konferenca të tilla nëpër media për çdo ditë madje, në mënyrë që të thyej atë përcaktimin e Republikës, të thyej unitetin e shtetit, të thyej pandashmërinë e Kosovës, t’i fus njerëzit që të mendojnë meditimet të cilat i përcakton ai në konferenca të tilla dhe në këtë mënyrë fillon përgatitja e terrenit për realizimin e qëllimit të cilat i ka ai”, thekson Kelmendi.

Sipas tij, Thaçi ka një plan strategjik për qëllimin e tij të cilin e ka përcaktuar moti.

“Thjeshtë, kjo metodë e formës së tillë është një metodë që iu prinë negociatave, sepse negociata korrin sukses sa është i përgatitur për të shkruar në këtë çështje të veçantë dhe negociatat duhet të kenë qëllimin se ku do të dalësh ti. Thaçi e ka të përcaktuar qëllimin se ku do me dalë, mirëpo taktikat të cilat po i përdorë ai për ta realizuar qëllimet e tij me plan strategjik, janë të natyrave të ndryshme, prandaj ai del me termat ndarje, jo ndarje, korrigjim, shkëmbim etj”, shton tutje Kelmendi.

Për më tepër, kjo çështje nuk mund të tolerohet dhe si aventurë e rrezikshme është shumë e dëmshme për shtetin e Kosovës.

“Në një çështje si kjo, nuk tolerohet kjo aventurë. Aventura është shumë e rrezikshme, shumë e dëmshme për shtetin, shumë e dëmshme për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Kjo duhet të ndalet duke u mbledhur Prishtina e Tirana në një takim, ta analizojnë çështjen ku gjenden shqiptarët, në veçanti Kosova. Pasi ta bëjnë këtë, duhet të dalin me qëndrime të qarta, qëndrime unike” përfundoi për “Bota sot” Muhamet Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat