Baton Haxhiu aleat i Thaçit në planet djallëzore për veriun

Politika

Baton Haxhiu aleat i Thaçit në planet djallëzore për veriun

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 12 gusht 2018 Në ora: 20:35
Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu

“Batonit dhe shefave te tij ju ka ikur çdo gjë përfshirë edhe treni i kohës. Ai është një fosil i shërbimeve dhe agjendave të mendësisë së kohës së murit të Berlinit, ai është i ikur për atë mendon që edhe toka ka këmbë për të ikur. Ikja duke lansuar një gënjeshtër ka qenë edhe strategjia e tij gjatë luftës, vetëm se tani i ka këmbët e zbuluara, nuk mund te fshihet më mes turmash të ikjes mes Glloboçicës dhe Tetovës, e te lansoj lajme të rrejshme për kinse madhështinë e tij. Në mendjen e tij ai është më i madh se Fehmi Agani, por në fakt nuk është as sa shoku Zylo”, thotë Abazi.

Gazetari Baton Haxhiu, i ka dalë në krah presidentit Hashim Thaçi sa i përket idesë për shkëmbimin e territoreve.

Në opinionin tij, Haxhiu shkruan se Kosova duhet të nxitohet në këtë marrëveshje, për një të ardhme më të mirë për serbët. Kjo logjikisht është absurde, duke pasur parasysh gjenocidin e serbëve mbi mijëra shqiptarë, shkruan “Bota sot”.

Tani, sipas tij, Kosova duhet ta bëjë marrëveshjen për hir të gjeneratave të reja të serbëve. Këtë vendim duhet ta marrë sa më shpejt Kosova, pasi sipas Haxhiut, jemi lodhur duke pritur vendime nga të tjerët (BE dhe SHBA).

Image
Haki Abazi

Abazi: Baton Haxhiu vuan nga sëmundja për vëmendje

Njohësi i zhvillimeve politike, Haki Abazi, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se me atë shprehjen e Baton Haxhiut për veriun, ai është i kapluar nga sëmundja për vëmendje dhe faktorizim.

“Në fatkeqësinë e Kosovës po vjen në shprehje padituria dhe serviliteti i Baton Haxhiut. Në këtë thënien e tij për Veriun, vjen ne shprehje një veçori dhe ajo është padituri e mbështjellë me sëmundjen për vëmendje e faktorizim. Ai e thërret vetën në emision për ta bindur vetën me idetë bajate”, thekson Abazi.

Ai e quan Haxhiun si një fosil i shërbimeve të mendësisë së kohës, duke iu dukur vetja më i madh se Fehmi Agani.

“Batonit dhe shefave te tij ju ka ikur çdo gjë përfshirë edhe treni i kohës. Ai është një fosil i shërbimeve dhe agjendave të mendësisë së kohës së murit të Berlinit, ai është i ikur për atë mendon që edhe toka ka këmbë për të ikur. Ikja duke lansuar një gënjeshtër ka qenë edhe strategjia e tij gjatë luftës, vetëm se tani i ka këmbët e zbuluara, nuk mund te fshihet më mes turmash të ikjes mes Glloboçicës dhe Tetovës, e te lansoj lajme të rrejshme për kinse madhështinë e tij. Në mendjen e tij ai është më i madh se Fehmi Agani, por në fakt nuk është as sa shoku Zylo”, thotë Abazi.

Image
Naim Miftari

Miftari: Po të ishte pyetur Haxhiu, Kosova do të mbetej pa shqiptarë

Lidhur me këtë, ka folur për “Bota sot” edhe ish anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari i cili thotë se Haxhiu do e kishte lënë Kosovën pa asnjë shqiptarë, nëse do të pyetej ai gjatë kohës së luftës. Ai tregon se si Haxhiu ishte përcjell me veturë të blinduar në Maqedoni pasi ishte në kërkim nga UÇK-ja, e pas luftës u bë shok i ngushtë me shefat e SHIK.

“Baton Haxhiu para luftës ishte emisari politik i Ivica Stanishiqit ish krye shefi Serb i UDB prandaj UÇK ishte në vitin 1998-99 në kërkim të tij për ta arrestuar me urdhër të Likocit (SHP)! Po ta kishte pyetur kush dëshirën e Batonit para luftës, ky e kish lan Kosovën pa shqiptar. Dihet shumë mirë si ka ikur në Maqedoni të përcjellë me veturë të blinduar me ndihmën e UDB nën përcjelljen e policisë speciale serbe. Pas luftës, Baton Haxhiu u bë shok i pa ndarë dhe i besuari i drejtorëve dhe kryeshefave të SHIK-ut dhe u bë njeri më i besuar i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit dhe Ilmi Reqices. Sidomos si moderator televiziv ndikoj për ruajtjen e imazhit të Thaçit me Kompaninë Pronto, shpesh herë me gënjeshtra dhe falsifikime mediatike, por duke ditur shumë mirë se Hashim Thaçi vjen nga kuzhina e(DGSE_UDB) shërbimeve sekrete Francezo-Serbe, ndërsa Baton Haxhiu vjen vetëm nga kuzhina Serbe e UDB e Ivica Stanishiqit, prandaj lidhja e tij e pas luftës me presidentin, si duket edhe tani i lidh nostalgjia e vjetër”, shprehet Miftari për “Bota sot”.

Sipas tij, plani për ta ndarë Mitrovicën daton që nga shkurti i vitit 2002. Miftari thotë se as Thaçi e as Haxhiu nuk mund  ta falin Veriun e Mitrovicës.

Madje, ai thotë se ende nuk kanë vdekur shqiptarët për ta pranuar këtë tradhti.

“Mos harroni Veriu përbën 30% të territorit të Kosovës, pa llogarit Trepçën dhe sidomos digën e artë të ujit të pijes, Gazivodën. Plani për veriun për t’ia aneksuar Serbisë, është plan i vjetër, unë personalisht e di nga 2 shkurti i vitit 2000 kur kam punuar në Mitrovicë si pjesë e G2 UÇK-TML dhe e shërbimit informativ të Kosovës, nga ajo kohë (2 shkurti viti 2000) kur i kanë vrarë dhjetëra shqiptarë dhe e kanë pastruar Veriun nga shqiptarët, e kam kuptuar edhe në teren se Hashim Thaçi dhe KFORI Francez dhe Serbia, po punojnë së bashku natë e ditë të ia lënë pjesën e Veriut të Kosovës në dorë Serbisë dhe UDB serbe. Veriun nuk mundet me fal as Hashim Thaçi e as Baton Haxhiu, por as familjet e tyre që gjatë luftës nuk humbën as pulë as knus, familje që dikur edhe sot ishin të besuarit e Serbisë e UDB-së dhe sot prapë janë në pozita te larta në Kosovë, njeri kryetar dhe tjetri moderator, por edhe janë multi milionerë. Këta nuk kanë të drejtë me fal as një ther apo lis të Kosovës, e jo më 30% të territorit tonë. Nëse ua merr mendja këtyre se kanë vdekur shqiptarët dhe atdhetarët e Kosovës, le ta provojnë këtë tradhti se si do të ndahen ne fund. Me Serbinë duhet me fol për Nishin, Toplicen, Vranjen, Sangjakun e Novi Pazarit, për këto tema duhet me fol dhe për krimet dhe dëmet e luftërave nga e para deri te lufta e fundit 1999”, shton tutje Miftari.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Haxhiu aleat i Thaçit në planet djallëzore

E analisti politik Faik Krasniqi, e quan Baton Haxhiun për “Bota sot” si njeri që është futur në funksion nga Thaçi për djallëzitë e tij. Krasniqi përdorë terma si “gazetarucë” e “ba-nalistë”, drejtuar Haxhiut.

“Sa herë që Presidentit Thaçi i duhen aleatë për djallëzitë e tij, i futë në funksion ba-nalistë dhe gazetarucë të mediave në Kosovë. Ata që me mbështetjen e tij kanë krijuar media dhe pasuri marramendëse, e një prej tyre është edhe Baton Haxhiu. Edhe pse Veriu i Kosovës nuk arriti të integrohet në sistemin kushtetues juridik të Kosovës, s'mund t'i jepet Serbisë aq thjeshtë ajo pjesë e Kosovës, e sidomos për shkak të pasurive që zotëron pjesa veriore e Kosovës. Sidoqoftë, më mirë shkëmbim territori se sa Asociacion me kompetenca ekzekutive, gjë të cilën e dëshiron Serbia, në mënyrë që pas 20 viteve me një referendum të na marrë atë pjesë të Kosovës, dhe të mbesim edhe pa Veriun e Kosovës por edhe pa Kosovën Lindore!”,ka thënë Faik Krasniq.

Image
Binak Maxharraj

Maxharraj: Nga lufta Thaçi-Haxhiu, në shokë të ngushtë

Ndërsa Prof. Dr. Binak Maxharraj shprehet për “Bota sot” se Haxhiu i erdhi në ndihmë Thaçit për idenë e këtij të fundit. Deklaratat e Haxhiut, Maxharraj i quan shokuese dhe problematike.

“Si për “çudi” për ti dhanë “zemër e kurajë” Hashim Thaçit për këtë “sihariç”, i erdh në ndihmë edhe një shoku i tij i “luftës dhe i paqes” që dikur po të takoheshin, do ta hanin pa pjekë njeri tjetrin, askush tjetër pos Baton Haxhiut, i cili haptas po e përkrah e Hashim Thaçin. Unë nuk dua të merrem me Baton Haxhiun, sepse opinioni i gjerë e njehë më mirë së unë. Por është shok për mua si shkencëtarë që i njehë në thelb problemet ekonomike dhe demografike të rajonit, deklarimi i tij se fundi i armiqësisë shekullore midis Serbëve dhe Shqiptarëve mund të vijë sa mshel e qel sytë, përkundër shumë e shumë brezave që Kosova ka sakrifikuar për të ardhur deri këtu ku është sot. Sipas tij e ardhmja mundet të nderohet pa e njoftë të kaluarën dhe sakrificat e bëra me shekuj  duke ia shtrirë dorën e pajtimit armikut tonë shekullor, thua se nuk ka ndodhë asgjë. Ai pastaj e vajton situatën në Veri ku thotë që “se kemi në dorë”, pa e thanë asnjë fjalë se pse ndodhi kjo që se kemi në dorë, dhe se tani Veriu krejt me të gjitha simbolet është serbe. Pra, sipas tij për hir të gjeneratave të reja në Serbi dhe Kosovë po u dashka te ndodhë shkëmbimi e territoreve duke thënë haptas së Veriu duhet te ikë, t’i bashkohet Serbisë ne këmbim me Luginën e Preshevës, pra duke e futur në lojë vetëm faktorin etnik”, potencon Maxharraj.

Për më tepër, ai thotë se në Kosovë mbizotëron realiteti i një shteti të pavarur dhe sovran, e kjo është “thembra e akilit” që po i dhemb Serbisë.

“Në Kosovë janë tani realitete të reja, realitet është se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kjo është ajo Thembra e Akilit,  z. Haxhiu që po i dhembë Serbisë. Kosova si shtet është rreshtuar në krah të paqes, duke ua dhanë të gjitha të drejtat, bile edhe më shumë serbëve në Kosovë”, përfundon për “Bota sot” Binak Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat