Refuzimi ndërkombëtar për ndryshimin e kufijve - Bota Sot
Refuzimi ndërkombëtar për ndryshimin e kufijve

Politika

E premte, 16 nëntor 2018

Refuzimi ndërkombëtar për ndryshimin e kufijve

Më: 14 gusht 2018 Në ora: 14:57
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë samit të vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Sofje.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kundërshtuar deklaratat e fundit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, se mund të ketë korrigjim të kufijve.

Deklaratat e Merkelit janë të pritura për njohësit e çështjeve politike.

Analisti Artan Muhaxhiri thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarata e kancelares Merkel është në të njëjtën linjë me qëndrimet e faktorëve ndërkombëtarë në Kosovë.

“Edhe qëndrimi i kancelares Merkel, por në mënyrë indirekte edhe të ambasadës amerikane në Prishtinë, është në vijën e qëndrimeve të tyre për Ballkanin. Pra, si një rajon i cili mund të trazohet shumë lehtë nëse ka veprime të pamatura dhe të paplanifikuara mirë”.

“Çdo ndryshim gjeopolitik ose gjeostrategjik duhet të bëhet duke u detajizuar në mënyrë jashtëzakonisht konkrete dhe me planifikime shumë të mëdha dhe jo më qëndrime populiste apo ide të pakonceptuara”, thotë Muhaxhiri.

Duke folur pas takimit me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq, i cili ka qëndruar për një vizitë në Gjermani, kancelajra gjermane Merkel ka thënë se integriteti territorial i vendeve të Ballkanit është i paprekshëm.

“Ne u pajtuam për tri gjëra që janë mbi të gjitha; gjëja e parë është integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është i përcaktuar dhe është i paprekshëm”.

“Ne duhet ta përsëritim këtë. Sepse përsëri ka përpjekje për të folur për kufijtë dhe ne nuk mund ta bëjmë këtë. Mbi këtë bazë dhe mbi bazën e saj, natyrisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane”, ka thënë Merkel.

(Video: Kancelarja Merkel shprehet kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan)

Ndryshe, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmes deklaratave të fundit kanë lënë të kuptohet se janë të një pajtimi që kufiri mes Kosovës dhe Serbisë duhet të korrigjohet.

Thaçi dëshiron që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci të hyjnë në kuadër të territorit të Kosovës, dhe në këmbim të kësaj të mos i jap asgjë Serbisë. Kurse presidenti serb, Vuçiq, e ka bërë të qartë se dëshiron t’i marrë katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, por nuk ka thënë asgjë se çka do të japë si këmbim.

Për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndryshimi i kufijve mund të bëhet vetëm me luftë.

Por, analisti Muhxhiri thotë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duhet t’i njoftojë qytetarët për bazën e qëndrimeve dhe ideve të tij për korrigjim të kufijve të Kosovës dhe të tregojë se ku planifikon të marrë përkrahje ndërkombëtare për idetë e tij.

“Është mirë e ditur se asnjë lëvizje e rëndësishme politike në Ballkan nuk mund të bëhet pa përkrahjen e Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Nëse presidenti Thaçi vazhdon të insistojnë në ndryshimin e kufijve pa përkrahjen e aleatëve ndërkombëtarë, ai do t’i bëjë dëme vetës, por më shumë Kosovës. Sepse do të dëshmohet si një faktor joserioz edhe jostabil për planifikimet gjeopolitike në Ballkan”, thotë Muhaxhiri.

Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe dhe ajo e Gjermanisë në Kosovë, kanë thënë se thirrjet për ndryshim të kufijve të Ballkanit mund të sjellin destabilizim.

“Ne besojmë se thirrjet për modifikim të kufijve nacionalë mund të jenë destabilizuese”, ka thënë ambasada britanike në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Kurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se presin një zgjidhje dhe se “Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk krijon paqëndrueshmëri në asnjërin vend apo në rajon”.

Edhe partitë opozitare e kanë kritikuar presidentin Thaçi duke e akuzuar atë se ka vënë në pazar sovranitetin e Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test