KDI: Kuvendi i Kosovës ka rritur trendin e shpenzimeve - Bota Sot
KDI: Kuvendi i Kosovës ka rritur trendin e shpenzimeve

Politika

KDI: Kuvendi i Kosovës ka rritur trendin e shpenzimeve

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 14 gusht 2018 Në ora: 15:15
Kuvendi

Legjislatura aktuale e Kosovës sipas analistëve politikë është karakterizuar me planifikim të dobët të punës, si mos funksionale.

Ndërkaq, përveç mosfunksionalitetit tani Kuvendi i Kosovës është duke u kritikuar edhe për rritjen e shpenzimeve.

Artan Murati nga KDI, ka treguar për “Bota sot”, se deputetët e kësaj legjislature kanë shënuar rritje në shpenzime, sidomos udhëtime jashtë vendit.

“Kuvendi i Kosovës ka rritur trendin e shpenzimeve, sidomos për udhëtime jashtë vendit, ndonëse në praktikë ende nuk kemi hasur në rezultate konkrete pozitive në kuadër të politikës së jashtme. Për më tepër, konsideroj që shumat e shpenzuara për dreka e karburante janë shumë të larta në krahasim me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në vend”, ka deklaruar Murati.

Image
Artan Murati

Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar sot një raport të punës së Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se se karakteristikë e këtij sesioni të punës ishte mungesa e kuorumit në votim.

Sipas KDI-së, nga të dhënat vërehet se deputetët nga opozita kanë bojkotuar 29% të votimeve, kurse partitë në pushtet kanë bojkotuar 19% të votimeve në Kuvend.

 KDI thekson se kjo ka prodhuar ngecje në funksionin ligjvënës të Kuvendit, duke limituar në masë të madhe numrin e projektligjeve të miratuara, pasi që agjenda legjislative për 2018 deri tani është përmbushur vetëm 22%.

Murati ka thënë për “Bota sot”, se mungesat e shpeshta të kuorumit dhe mosefikasitetit në punë, tek qytetarët krijojnë perceptim se deputetët janë të interesuar vetëm për mëditjet, e pak për punë.

Ndërkaq, sipas Muratit, shpenzimet e tilla sidomos në mëditje e dreka zyrtare mund ta rrisin edhe më tepër këtë perceptim.

“Mungesat e shpeshta të kuorumit si dhe mosefikasiteti në punë shpeshherë kanë krijuar përceptimin tek qytetarët se deputetët janë shumë të interesuar për mëditjet e tyre e më pak për punë. Shpenzimet e tilla, sidomos në mëditje e dreka zyrtare, mund ta rrisin edhe më tepër këtë përceptim. Sesioni vjeshtor do të jetë shumë i ngarkuar me punë për Kuvendin, andaj fokusi i deputetëve dhe i Kuvendit në përgjithësi duhet të jetë në funksionalizimin e institucionit më të lartë në vend, e assesi të prodhohen lajme për shpenzime të paarsyeshme. Është mëse e kuptueshme se Kryesia, deputetët dhe pjesa tjetër e stafit të Kuvendit kanë edhe obligime shtetërore që kërkojnë udhëtim jashtë vendit, dhe ato duhet përmbushur, mirëpo Kuvendi duhet të sigurohet edhe për rezultate konkrete të punës, jo vetëm realizim të vizitave pa ndonjë rezultat konkret”, ka përfunduar Murati.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...