Ecja e rrezikshme e Thaçit drejt ndarjes hasë në kundërshtimin ndërkombëtar

Politika

Ecja e rrezikshme e Thaçit drejt ndarjes hasë në kundërshtimin ndërkombëtar

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 15 gusht 2018 Në ora: 08:15
Hashim Thaçi, foto ilustrim nga Bota sot

Kancelaria gjermane Angela Merkel ka kundërshtuar deklaratat e fundit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, se mund të ketë korrigjim të kufijve.

Merkel tha se, ka tendenca të caktuara në Ballkanin Perëndimor dhe se po flitet për rivendosje të kufijve, gjë e cila, sipas mendimit të saj nuk mund të bëhet.

““Kufijtë dhe integriteti territorial i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të krijuara (vendosura) dhe janë të paprekshme. Kjo duhet të përsëritet shumë herë sepse ka disa tendenca të bisedohet për kufij, dhe kjo nuk mund të bëhet”, u shpreh kancelaria Angela Merkel të hënën.

Kurse, të martën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka përshëndetur deklaratën e kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, kundër ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Thaçi, përmes një komenti në tëitter ka komentuar deklaratën e kancelrares gjermane, Angela Merkel, lidhur me ndryshimet e kufijve në Ballkan.

Thaçi “sfidon” Merkel-in

E pavarësisht kësaj deklarate të Merkel, Presidenti i Kosovës Hashim Thaci, nuk ka hequr dorë nga ideja për “korrigjimin e kufijve”.

Ai në një intervistë për Reuters, ka thënë se korrigjimi i kufirit 400 kilometërsh, do të ndihmonte në shmangien e problemeve ndëretnike dhe krijimin e çfarëdo rajoni autonom si Republika Srpska (në Bosnjë).

“Definitivisht tani është momenti për të korrigjuar kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, që është rreth 400 kilometra. Kjo do të ndihmonte në shmangien e problemeve ndëretnike dhe krijimin e çfarëdo rajoni autonom si Republika Srpska (në Bosnjë). Korrigjimi i kufijve definitivisht do të shmangë ndarjen e Kosovës, duke shkëmbyer territore, më shumë krizë apo probleme ose ndoshta edhe një luftë të re. Nëse palët bien dakord në procesin e dialogut dhe arrijnë një marrëveshje për korrigjimin e kufirit, BE dhe Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin atë. Ne po ndjekim një proces paqësor dhe kjo do të shmangë problemet, do të shmangë krizat dhe do të hapë një perspektivë të BE për të dy vendet”, deklaroi Hashim Thaçi për Reuters.

Millaku: Këto lojëra të Thaçit po bëhen për shkak të asociacionit

Por, a rrezikon Kosova t`i prishë marrëdhëniet me ndërkombëtarët, pas paralajmërimeve të këtyre të fundit, që nuk ka ndryshim kufijsh në Ballkan, si dhe a po e ndjekë Thaçi vijën e Serbisë dhe Rusisë për shkëmbim territoresh kundër qëndrimit të SHBA-së dhe BE-së?

Deklaratat e Merkelit janë të pritura edhe për njohësit e çështjeve politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku thotë se, Hashim Thaçi me veprimet e tija aventureske ka bërë që Kosova të humbë shumë nga paraqitja në rrafshin ndërkombëtarë e kombëtarë.

Image
Drita Millaku

Ajo pohon se, iniciativa për shkëmbim territoresh është vetëm aventurë e radhës që i ndihmon politikës serbo-ruse-sllave në Ballkan dhe sidomos në destabilizimin e rajonit.

“Nuk ka koordinim me asnjë forcë politike dhe institucion në vend dhe as me miqtë ndërkombëtarë. Sjellja e presidentit është e papërgjegjshme dhe i sjell dëm çështjes sonë në botë dhe mbjell huti në vend. Nuk ka asnjë strategji dhe studim rreth kësaj çështjeje dhe vendimet dhe mendimet kuturu janë tejet të rrezikshme e sidomos në raportet me Serbinë që është satelit rus dhe armik tradicional shumëshekullor i shqiptarëve”, thotë Millaku për gazetën “Bota sot”.

Ajo thotë se, këto janë lojëra për shkak të asociacionit.

“Mendimi im është se, këto lojëra të Thaçit po bëhen për shkak të asociacionit dhe edhe një herë e potencojë se kjo është parapërgatitje për të formuar një asociacion që do ta shkatërronte këtë gjysmë shteti. Loja e Thaçit është "më mirë ta pranojmë asociacionin se të ikë veriu" ky do të jetë fundi i këtij episodi me skenar të Thaçit dhe Vuçiqit”, përfundon ajo.

Gecaj: Ndarja ka qenë dhe mbetet opsion i Serbisë

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, pohon se, presidenti Thaçi as vet nuk e din se çka është duke bërë. Sipas tij, marrëdhëniet me ndërkombëtarët nuk i rrezikojmë për asnjë individ, kurse ndarja ishte opsion i Serbisë.

Image
Bajram Gecaj

“Nëse e din, nuk i ka bërë llogaritë mirë. Hashim Thaçi duhet ta dijë se nuk është as Enver Hoxha i Shqipërisë, as Kim Yong Un i Koresë Veriore, por as Erdogani i Turqisë apo Vuçiq i Serbisë. Vendimet e tilla nuk mund ti shtyjë ai në stilin e diktatorit. Ne jemi Republikë Parlamentare, prandaj vendimet e tilla i takojnë Kuvendit të Republikës dhe vetëm atij. Në marrëdhëniet me vendet mike nuk i rrezikojmë as për Hashimin, as për Kadriun, as për Ramushin dhe as për asnjë individ tjetër. Ato marrëdhënie tejkalojnë secilin nga ne, posaçërisht Presidentin Thaçi. Ndarja ka qenë dhe mbetet opsion i Serbisë, rrjedhimisht ecja në atë vijë rrezikon gjithsecilin që të kaloi në atë tabor, prandaj nuk guxojmë të lejojmë askënd të na dërgoj në një rrugë të tillë të pa-krye”, thotë Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Korrigjimi për të mbrojtur veriun?

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, pohon se, dialogu Kosovë-Serbi është projekt ndërkombëtar i sponzoruar pikërisht nga SHBA-të dhe fuqitë kryesore evropiane, andaj s’ka dhe s’mund të ketë ndonjë rrezik për raportet e Kosovës me partnerët  ndërkombëtarë.

Image
Arben Fetoshi

“Sa i përket idesë së presidentit Thaçi për “korrigjim të kufirit” me Serbinë, mendoj se ishte kundërpërgjigje ndaj diskursit serb për ndarjen e Kosovës dhe që mund të shërbejë si kundërmasë ndaj insistimit të tyre për autonomi në veri. Në këtë fazë, mendoj se të dy presidentët po dialogojnë përmes opinionit publik. Por, duke e ditur qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe ndjeshmërinë e çështjes së kufijve jo vetëm në Ballkan, qasja e Thaçit mendoj se është strategjike dhe jo kurs i ri politik. Fundja, ai s’mund ta ndryshojë kursin edhe po të dojë”, thotë Fetoshi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, të gjithë e dinë se ndryshimi i kufijve aktualisht do të shkaktonte efekt zinxhiror dhe qëndrimin kundër së fundi e bëri të qartë edhe kancelaria Merkel.

“Pra, sfida kryesore e marrëveshjes finale do të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, përkatësisht synimi i Beogradit për një autonomi në veri, prandaj mendoj se Lugina e Preshevës është përdorur në këtë kontekst nga presidenti”, thotë profesori Arben Fetoshi.

Maloku: Është vetëm një tentim për të krijuar huti në opinion

Image
Albinot Maloku

Ndërsa, politologu Albinot Maloku thotë se, raporti i politikës vendore me ndërkombëtarët nuk është ai i duhuri dhe ndërkombëtarokracinë aktuale me të cilën qeveriset vendi nuk mund ta prishin politikanët e varur nga të huajt.

“Në relacion me këtë nuk shoh prishje të mundshme të raporteve të Kosovës me ndërkombëtarët sa shoh mundësi të konsumimit të politikanëve aktual nga të huajt e të cilët në një moment do ti hedhin nga froni. Presidenti i vendit e ka humbur toruan dhe nuk mund të them se me këto veprime po ndjek ndonjë linjë ruso-serbe në lidhje me këto broçkullat për shkëmbim territoresh. Është vetëm një tentim për të krijuar huti në opinion nga ana e presidentit Hashim Thaçi, por jo edhe të qarqet apo mendjet e shëndosha që e dinë gjendjen aktuale dhe kapacitet e Kosovës në këto situata”, thotë Maloku për gazetën “Bota sot”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dalë me idenë për korrigjim të kufijsh, që sipas tij nënkupton jo ndarje të Kosovës, por bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat