“Policia e Kosovës duhet ta ndryshojë strategjinë e veprimit të shpejtë”

Politika

“Policia e Kosovës duhet ta ndryshojë strategjinë e veprimit të shpejtë”

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 12 gusht 2018 Në ora: 22:32
Policia e Kosovës

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Studime te Sigurisë, Armend Halimi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se e meta e policisë së Kosovës, është vonesa e tyre në rastet kur qytetarët kanë nevojë. Kjo vonesë sipas tij, mund të shtyjë qytetarët të vendosin vetë në një rast të caktuar.

“Duhet pranuar se fatkeqësisht vonesa në reagim e Policisë së Kosovës kur qytetarët kanë nevojë, është e metë e këtij institucioni që kanë shprehur qytetarët vazhdimisht. Jo efikasiteti i Policisë në kryerjen e punës së tyre për çka janë të ngarkuar, pra për mbrojtjen e jetës dhe të mirave tjera të shoqërisë, nxit vetëgjyqësinë e qytetarëve si metodë për zgjidhjen e problemeve që mund të ndodhin, pra reagim i dhunshëm ndaj një akti dhune”, thotë Halimi.

Image
Armend Halimi

Sipas tij, Policia e Kosovës duhet të ndërtojë strategji tjetër organizative, me më shumë policë në terren dhe të shpërndaj numrin e tyre në proporcion me numrin e qytetarëve.

“Andaj, Policia e Kosovës duhet të ndërtoj strategji tjetër organizative, pra sa më tepër policë në terren, e më pak në zyre, si dhe te shpërndajnë numrin e tyre në proporcion me numrin e qytetarëve, në mënyrë që të jenë sa më pranë në përgjigjeje ndaj shqetësimeve të ndryshme të qytetarëve. Në këtë drejtim, duhet të zbatohet realisht konceptimi i policisë së bashkësisë, pra policisë se lagjes, ku nëpërmes patrullimit të shpeshtë në këmbë të policëve, qytetarët kanë mundësinë më të madhe të raportimit duke qenë në kontakt permanent me institucionet e sigurisë”, shton tutje Halimi.

Ai e sheh si shumë shqetësuese dhe serioze trendin e vrasjeve në Kosovë, ndërsa mendon se një mobilizim shoqëror për ç’armatosjen e qytetarëve, do të ishte e duhur.

"Ndryshe, rikthimi i trendit të vrasjeve në vend, duhet parë si shqetësim serioz, gjë që paraqet edhe nevojën e një mobilizimi shoqëror për çarmatosjen e qytetarëve, qoftë nëpërmes fushatave sensibilizuese, qoftë mekanizmave tjera, si amnistni apo aksioneve në zbulimin dhe konfiskimin e armëve të shumta që janë pa leje", përfundoi Halimi për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat