Për kufijtë vendosë vetëm Amerika! - Bota Sot
Për kufijtë vendosë vetëm Amerika!

Politika

E enjte, 15 nëntor 2018

Për kufijtë vendosë vetëm Amerika!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 16 gusht 2018 Në ora: 19:47
Shtëpia e Bardhë, SHBA

Riaktualizimi i çështjes së kufirit të Kosovës me Serbinë ka bërë që krerët e institucioneve të rëndësishme vendore si kryeministria dhe presidenca e Kosovës të mos kenë mendime të njëtrajtshme.

Kjo pasi që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se do të ketë korrigjim të kufijve të vendit. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, ka dhënë një deklaratë të “fortë” duke thënë se vetëm lufta mund t`i ndryshojë kufijtë.

Por, njohës të zhvillimeve në vend vlerësojnë se me deklaratat e krerëve të shtetit ë të turbullojnë opinionin politik , por edhe të rritin vëmendjen e tyre.

Shahu: Historitë e Hashimit janë përralla vere

Image
Rexhep Shahu

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se dëshirat e Thaçit apo vullneti i Ramushit e bëjnë të kuptoj se sa herë Thaçi pretendon të bëjë politikë, nuk ia qëllon kurrë dhe se bëhet qesharak.

“Nana gjyshe, Lala Kazan, kështu e quaj unë këtë histori. Kufijtë e Kosovës dhe kufijtë në tërësi nuk kanë qenë asnjëherë vullnete shtetesh që nuk i kanë vu kufijtë me luftë. Kosovës e Shqipërisë ia kanë vu kufijtë fuqitë e mëdha dhe sërish ato janë që vënë apo heqin kufij. Dëshirat e Thaçit apo vullneti i Ramushit më bën të kujtoj e kuptoj se sa herë Thaçi pretendon të bëjë politikë nuk ia qëllon kurrë dhe bëhet qesharak pasi politika nuk ka lidhje me Thaçin përveçse mini-politikë katundi me uzurpuar pasuri të Kosovës me dhunë. Sa i përket Ramushit nëse flitet për kontribut lufte ai e lë pas Thaçin i cili ka bërë e shumta lufte kundër Rugovës me ia marrë pushtetin në studion televizive të stacionit satelitor në Televizionin shqiptar që e kishte si qendër zëri Thaçi me vjelle urrejtje e përçarje në Kosovë”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka shtuar se korrigjimin e kufijve mund ta bëjnë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se, Thaçi  ka bërë deklarata të tilla për të kërkuar vëmendje.

“As vendosje kufijsh as korrigjim nuk bën dot Kosova as Serbia as Shqipëria as Evropa por vetëm Amerika pasi ajo ka hipotekën e lirisë e të pavarësisë së Kosovës bashkë me ata që kanë dhanë jetën për Kosovën. Të gjallët si Hashim Thaçi e shumta mund të tregojnë ndonjë përrallë me spiun. Në fund, besoj se historitë e Hashimit janë përralla vere që i tregoi ai për pak vëmendje”, ka deklaruar Shahu për “Bota sot”.

Të gjithë po i kontribuojnë fundosjes se anijes

Image
Skënder Zogaj

Kurse, analisti tjetër politik, Skënder Zogaj ka potencuar se deklaratave të kontradiktore, që po i lansojnë udhëheqësit në të gjitha trevat shqiptare po turbullojnë opinionin publik.

“Kosova po përjeton një fushatë të ashpër propagandistike e cila po e turbullon fuqishëm opinionin publik, përmes deklaratave të jashtëzakonshme kontradiktore, që po i lansojnë njerëzit më përgjegjës të politikës dhe qeverisjes në të gjitha trevat shqiptare! Pavarësisht se kush çka po thotë, e vërteta është se, të gjithë me ose pa vetëdije, po i kontribuojnë fundosjes se anijes!”, ka thënë ai.

Po ashtu, është shprehur se është për tu brengosur ndasija e personaliteteve me ndikim dhe se mendon se kryeministri duhet të jetë kryenegociatori i dialogut me Serbinë.

“Më shumë se kush çka është duke deklaruar, për brengosje është  ndasia e madhe e personaliteteve me ndikim, që janë bërë pikë e pesë, dhe po e përsërisin përvojën e keqe nga e kaluara historike, duke fituar  në luftë e duke humbur në liri! Ramush Haradinaj është kryetari i Qeverisë dhe duhet të jetë në krye të procesit për finalizimin e marrëveshjes finale Kosovë - Serbi! Anashkalimi i Kryeministrit nuk guxon me ndodh!”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

Ahmeti: Duhet të ndalët kjo “luftë” e inateve të kaluara

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërkaq, Hidajet Ahmeti ka potencuar se përmes deklaratave të pamatura  janë ngjallur polemika të shumta e në shumë raste është keqpërdorur gjuha institucionale.

“Ditëve të fundit  janë shpërfaqur deklarata të pamatura e pa analizuara në rrafshin  e frymës institucionale, të cilat kanë ngjallur polemika të shumta në opinionin publik, por edhe në rrafshin ndërkombëtar. Gjuha institucionale  nuk duhet keqpërdorët në kuptimin politik për rritje të retingut personal apo edhe  për shpërqendrim  të opinionit publik nga problemet reale  të përditshme. Ky çakordim politik i ngjanë një mendësia të kaluar, e cila nuk kontribuuan në proceset e konsolidimit dhe avancimit të shtetit të Kosovës  brenda por as në politikën jashtme”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, është shprehur se këtë deklarata të liderëve nuk ngërthejnë asgjë  substanciale dhe se duhet të ndalët kjo “luftë” e inateve të kaluara personale.

“Nëse analizohen me vëmendje deklaratat  e liderëve të institucioneve më të larta shtetërore shihet qartë se është një “luftë” për bajraktarizëm, e cila brenda vetës nuk ngërthen asgjë substanciale përveç impaktit që e ka në opinion e brendshëm dhe të jashtëm. Gjykoj se kjo lojë e tillë nuk i kontribuon proceseve integruese, por as zhvillimit socio-ekonomik e politik të vendit. Duhet të ndalët kjo “luftë” e inateve të kaluara personale dhe të punohet e veprohet brenda mandatit kushtetues e ligjor e jo të bëhen lojëra të tilla në kurriz të qytetarëve të lodhur nga ky mjerim socio-ekonomik”, ka përfunduar Ahmeti për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test