Shteti i kapur nga koalicioni PAN - Bota Sot
Shteti i kapur nga koalicioni PAN

Politika

Shteti i kapur nga koalicioni PAN

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 22 gusht 2018 Në ora: 07:59
Veseli, Blakaj, Haradinaj dhe Lumezi, foto ilustrim nga Bota sot

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje ku po qëndron ka dhënë shumë detaje për dorëheqjen e tij.

Balakaj përmes një letre, ka treguar për kërcënimet e tij gjatë punës, për prokurorët të cilët janë krahu i djathtë i politikanëve, për kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezin, i cili e ka qortuar se pse e kishte intervistuar Kadri Veselin si dhe për shumë gjëra të tjera, arsye këto të shumta të cilat e kanë shtyrë drejt dorëheqjes.

“Në kulmin e këtyre hetimeve, gjatë intervistimeve, Kryeprokurori i Shtetit z. Aleksander Lumezi urgjentisht me fton në zyrën e tij dhe kërkon llogari pse e kam ftuar në intervistim z. Kadri Veselin (madje edhe si dëshmitar) për rastin e “Veteranëve”, duke u arsyetuar “ SE ATA KANË IMUNITET NUK KA NEVOJË MI THIRR”, ani pse për këtë çështje ia kam bërë të qartë se Gjykata Kushtetuese në interpretimin e saj “asnjëherë, askujt, në asnjë rrethanë apo cilësi nuk i ka dhënë imunitet kur bëhet fjalë për vepra penale”…. Poashtu, i njëjti e ka hapur edhe temën e rastit “Pronto”, i cili ka provuar të më frikësoj se nëse nuk rishikohet aktakuza e dërguar në gjykatë, do të me dërgoj në komision disiplinor… ndërsa unë iu kam përgjigjur “Lirisht të parin dërgomë mua, se kam problem fare””, shkruan Blakaj.

“Sinqerisht nga ai moment jam shokuar për nivelin e tij, e për me shumë edhe gjatë një takimi të përbashkët pas një jave, në zyrën e tij, përsëri për rastin “Pronto” ku ishte i pranishëm edhe z.Reshat Millaku, znj. Drita Hajdari, z. Lulzim Sylejmani, i njëjti i nevrikosur kërkonte llogari, madje edhe duke uluritur pse kemi ngritur aktakuzë, e poashtu kërkonte të rikthehet apo rishikohet aktakuza e cila ishte dërguar në gjykatë!!! Në këtë takim i njëjti pa fije turpi na tregonte se si është takuar me disa nga njerëzit tani të akuzuar (siç ishte Besim Beqaj) dhe se rezultati i punës nuk i pëlqente duke urdhëruar njërin nga prokuroret e zyrës se tij – z. Lulzim Sylejmani TË MBANTE NJË SHENIM ZYRTAR, sepse disa nga NE nuk po pranonim ta rishikonim vendimin e marrë lidhur me aktakuzën e cila veç ishte derguar në gjykatë! – Nga ky moment e kam kuptuar plotësisht se kush ishte në të vërtetë Kryeprokuroi ynë z. Aleksandër Lumezi”, thuhet ndër tjerash në letrën e Elez Blakaj.

Nga presidenca e Kosovës, kryeministria, por as nga Kuvendi i Kosovës, edhe pse gazeta “Bota sot”, ka provuar të kontaktojë, nuk ka arritur të merr asnjë përgjigje në lidhje më akuzat e ish- prokurorit Blakaj.

Kërkohet dorëheqja

Por, menjëherë pas kësaj kanë vërshuar reagimet nga politikanët, analistët, pjesëtarët e shoqërisë civile dhe qytetarët. Ata kanë kërkuar dorëheqjen e Lumezit nga posti i kryeprokurorit.

Të shumtë ishin ata që i dolën në mbrojtje prokurorit Blakaj, ndërsa të paktë, më mirë të thuhet vetëm të apostrofuarit në letrën e Blakajt ishin kundër asaj se çka tha ai.

Të menjëhershme ishin reagimet e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit, kryeparlamentarit Kadri Veseli, kryeministrit Ramush Haradinaj, të cilët e akuzuan Blakajn.

Lumezi, Blakajn e ka quajtur joprofesional, frikacak, të dështuar dhe prokuror të profileve të ulëta.

“Këto nuk janë akuza shumë të rënda. Është shumë lehtë me fol nga distanca. Është e vërtetë që unë e kam ftuar në zyrë Blakajn për me më tregu se përse e ka ftuar zt.Veselin për intervistim rreth rastit të veteranëve të luftës. Ai më ka thënë se po e thërret për shkak të deklaratave që Veseli i ka dhënë në foltoren e Kuvendit kur ka thënë se janë fabrikuar listat e veteranëve. Kjo ka qenë arsyeja ime, dhe ka qenë një vërejtje se kjo është jo profesionalizëm i skajshëm, është absurde që të intervistohet një person që flet nga foltorja e Kuvendit”, është shprehur Lumezi.

Ish-Prokurori Blakaj, në letrën e tij publike, tha se Lumezi ka ftuar atë dhe prokurorë të tjerë në zyrë, ku iu ka ulëritur nga nervozizmi që ia ka shkaktuar ngritja e aktakuzës për aferën “Pronto’.

“Është e vërtetë që kam biseduar me një ton shumë tretës. Ai ka qenë një person i ngarkuar që së bashku me prokuroren Drita Hajdarin ta hetojnë rastin ‘Pronto’. Ata nuk e kanë bërë asnjë veprim hetimor. Kur i kam thirr në zyrën time, ai më ka thënë se nuk e kam lexu aktakuzën, nuk e di lëndën por e përkrahi Drita Hajdaraj. I kam thënë që nëse humbet aktakuza do të ballafaqohen me komisionin. Ai ka dashtë me tregu guxim si prokuror lidhur me atë se unë po e thërras kryetarin e Parlamentit. Nuk kam dashur që ta kthej aktakuzën e Prontos. Unë vetëm kam dashur që të marr sqarime nga ta lidhur me rastin. Ata nuk më kanë njoftu asnjëherë se çka ka bërë me aktakuzë. Unë atë aktakuzë nuk e kam pa, nuk ma ka dërguar kurrë. Kryeprokurori ka kërkuar që të plotësohet ajo aktakuzë. Kryeprokurori ka kërku nga ai që të dihen emrat”, ka thënë Lumezi.

Haradinaj e quan hajn Blakajn

Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj e ka sulmuar ashpër prokurorin e dorëhequr Elez Blakaj. Ka thënë se ai ka ikur për mastër në SHBA dhe se nuk mund të vlerësojë numrin e veteranëve dikush që ka ikur në Bllacë.Kryeministri Haradinaj e ka quajtur hajn dhe pishpirik, që nuk mund të vlerësojë numrin e veteranëve, meqë ka ikur në Bllacë e Stankovec.

“Ku është ai? Ka shkuar në Amerikë në magjistraturë. Është dashur të shkojë në gjykatë e t’ia vë firmën. Rrenë është puna e kërcënimeve sepse po të ishte ashtu, as Azem Syla, as Sylejman Selimi, as Sami Lushtaku, as Daut Haradinaj s’kishin me hi në burg qe dhjetë vjet. Kjo është rrenë. S’ka pas kurrfarë kërcënimi. Kur kanë gjetur vepra kriminale, kanë përfunduar njerëzit në burg. Edhe mua po t’ma jepnin një magjistraturë, shkoj sot në Amerikë.Veteranit të vërtetë s’ia humb vlerën askush. As edhe një profiter aty. Ligji le ta çojë në burg. Por të themi se në Dukagjin ka pas shumë, atëherë ku ke qenë ti që po i ofendon këta njerëz? Hajn i pulave! Hajn i pulave është ai që flet kështu”, ka theksuar Haradinaj.

Ndërsa, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli  ka thënë se nuk ka dilemë që ka fryrje të listave të veteranëve të UÇK-së, por thotë se nuk pati guxim Blakaj ta çojë deri në fund hetimin e tij pas mbështetjes të plotë që i kishte dhënë shteti i Kosovës.

“Ai kishte menduar të bëhej prokuror hero pa e luftuar krimin, ashtu sikurse këta mashtrues që duan të bëhen veteranë pa pjesëmarrje në luftën çlirimtare.Me deklarata nga SHBA-ja nuk luftohet krimi, për aq sa lufta nuk është fituar me deklarata pa marrë pjesë drejtpërdrejt. Sido që të jetë, ky është morali të cilin e zgjedh vetë individi, më të cilin i edukon edhe fëmijët e vet.Ky proces do të shkojë deri në fund, për aq sa do të shkojë në fund edhe çdo pretendim që ka bërë ky prokuror. Listat do të hetohen. E vërteta do të dalë.Shteti i Kosovës i kishte besuar z.Blakaj dhe profesionalizmit të tij. Me ikjen e tij, ai tregon se nuk e do shtetin e Kosovës”, është shprehur Kadri Veseli.

Drejtësi e kapur

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se kjo është drejtësi e kapur, s’ka barazi para ligjit dhe s’ka mbrojtje shtetërore e as publike.

“Klani PAN është zhvatësi i buxhetit të qytetarëve, i cili fare nuk e ka ndërmend që ta ndalin. Me njerëz të klanit nëpër borde e PTK. S’ka drejtësi, duhet ndryshim qeverisës për të çkapur drejtësinë e kapur nga përfitimet personale, familjare dhe partiake. Drejtësia është e këtij klani, nuk pritet asgjë, prokuroria e pavarur do të vepronte pa dallim dhe pa asnjë ndërhyrje. Këtu shumë procese bëhen me ndërhyrje politike, çerdhja e veteranëve nuk është e vetmja çështje problematike për të ditë se kush është kontribuues në luftë”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, përderisa klani PAN është në pushtet, nuk ka se çka të flitet për atë se a ka drejtësi të barabartë para ligjit.

“Lumezi duhet të trajtohet nga vet KPK-ja, atje duhet vërtetuar se a ka pas ndërhyrje të tij në proces a jo. Gjasat janë të vogla të veprojë KPK në këtë temë”, përfundon Burjani.

Gjergji tregon synimin e ndërkombëtarëve

Image
Seremb Gjergji

Ndërsa, ish- kandidati për president, Seremb Gjergji thotë se, lufta kundër krimit dhe korrupsionit është deklaratë më e përhapur në këto dy dekadat e fundit.

“Madje misioni i ambasadorit amerikan në Kosovë z. Greg Delawie ka qenë "Lufta kundër Krimit dhe Korrupsionit". Ne këtë projekt, ai personalisht e ka përkrahur deri në momentin kur kërcënimiështë bërë shumë serioz. Nga ai moment as ambasadori nuk ka qëndruar prapa Elezit. Kjo nëtraditën tonë quhet TRADHTI. Pasi ia ka kthyer shpinën edhe ambasadori, gjithçka ka filluar të shkoi teposhtë. Deklarime e fundit të liderëve tanë e tregojnë këtë ndryshim. Qasja e tyre, ka ndryshuar shumë ndaj këtij problemi që kur kanë filluar bisedimet në Bruksel”, thotë Gjergji për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, politika ndërkombëtare   është fokusur në diçka më të madhe dhe shumë më të rëndësishme - bllokimin e Serbisë të mos dalë në detin Adriatik.

“Kështu qëdeklaratë e fundit të Kryeministrit Haradinaj, për rastin Blakaj është emocionale dhe patriotike. Por asgjë politike dhe profesionale. Nuk është e lehtë të kthehesh në Kosovës kur je i kërcënuar nga 3 drejtime: 1. Ekstremistët, Pronto dhe "Veteranët". Më e keqja, që ka familjen e kërcënuar - fëmijët dhe gruan. Ndërsa, deklarimi i fundit i z. Aleksandër Lumezit, është shumë i kujdesshëm që ta ruaj institucionin e Prokurorisë, por edhe mos të nxitë njëkonflikt të brendshëm ndërmjet institucioneve dhe politikanëve të fuqishëm. Për ta ruajtur një ballans që nuk ka ballans, është vështirësia më e madhe që mund ta kaloi një udhëheqës. Unë mendoj që z. Lumezi gabon që mundohet të ruaj ballancin. Në rastin aktual duhet të mbaj një anë”, pohon Gjergji.

“Mendoj se ai është dashur të dal në publik dhe t'i thotë edhe popullit edhe shtetit në Kosovë se unë i kam këtokërcënime– edhepse z. Lumezi tash mbanë përgjegjësi për të gjitha”, përfundon ai.

Ish – pjesëtari i SHIK-ut: Ja lidhjet e “Lekës” me Thaçin, Veselin e Haradinaj, përmend edhe vrasjet e pasluftës dhe Prokurorët me emra!

Image
Naim Miftari

Ish- eprori i lartë i UÇK-së, G2, TMK-së dhe pjesëtari i Shërbimit informativ të Kosovës (SHIK), Naim Miftari thotë se, akuzat e ish prokurorit të Gjykatës Speciale, Elez Blakaj ndaj mafisë juridike në krye me Aleksandër Lumezin e PDK-së janë të arsyeshme edhe pse janë të pakta, kur dihet që ka shumë akuza tjera të cilat nuk i ka cekur akoma.

“Sa i përket dorëheqjes së Aleksandër Lumezit, moralisht ai është dashur të japë dorëheqje në momentin që i ka dalë afera në publik, takimi dhe kokorizjet që i ka pasur me PDK-në, në fillim me Adem Grabovcin, pastaj me pronarët tjerë, pra të tjerët e PDK-së. Akuza se është përzier në punë të Prokurorit kur ka qenë puna te marrja në pyetje e Kadri Veselit tregon qartë anshmërinë politike dhe frikën e kryeprokurorit ndaj Kadri Veselit të PDK-së”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Miftari pohon se, Kadri Veseli, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj duhet me u marrë nga Prokuroria në pyetje dhe ka shumë arsye tjera, që sipas tij, për me një gjë të tillë.

“Reagimi i kryeministrit ka qenë si fëmijë, dhe arsyet kinse kundër argumentet e tij me fjalor kafesh e rrugësh nuk i kanë bërë nderë Haradinajt pasi ai po fliste jo për një të ikur gjatë luftës në Bllacë, por për një prokuror të shtetit të Kosovës, dhe mos të harrojmë janë 1 milion e më shumë shqiptarë që kanë ikur disa kohë nga lufta për të shpëtuar nga Serbia, dhe t’i etiketosh si tradhtar e si pishpirika të ikurit para 20 vitesh është mungesë morali, mungesë e dijës dhe nervozizëm i panevojshëm. Pra tregon fajësinë për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së nga Zona e Dukagjinit pa kurrfarë kriteri, duke mos dashur që të ia humbi vlerën e luftëtarëve të tjerë të kësaj Zone”, shprehet ai.

Miftari thotë se Veseli me reagimin e tij është paraqitur me francez sesa francezët, pasi arsyetimi i tij nuk është i qëndrueshëm pasi ai e din shumë mirë se së bashku me dostët e tij se listën e veteranëve e kanë masakruar duke e fryrë për katër fish më shumë.

“Pse është kaq tragjike me u merr në pyetje nga Prokurori i shtetit të Kosovës, Kadri Veseli? A jemi shtet apo jo? Apo ndoshta jemi mësuar dhe kemi dashur të na marrin në pyetje vetëm prokurorët serb që sot si Veseli, si Thaçi e Haradinaj mbahen në pushtet nga Lista serb e cila dirigjohet nga Beogradi. Pra nuk di se kush del tradhtar më shumë! Për më shumë, një histori e njëjtë sikurse prokurorit Elezaj i ka ndodhur edhe hetuesit policor M.M. i cili e kishte intervistuar me hetues ndërkombëtar Kadri Veselin lidhur me krimet e pasluftës dhe sidomos ato të lidhura me grupin e Sabit Gecit, dhe i njëjti hetues shqiptar pastaj ka pas shumë telashe dhe endej nëpër vende të ndryshme të punës, pastaj ishte ndrydhur në fund në parregullsitë dhe keqpërdorimet që i kishte vërejtur i njëjti hetues në Doganën e Kosovës, ku vidheshin milionët për politikanë të korruptuar”, thekson ai.

Ai tutje shton se, gjyqësia dhe prokuroria, hetuesit policorë dhe AKI-ja, janë të kapur nga mafia politike e PDK-së.

“Sidomos nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli duke filluar me kryeprokurorin Aleksandër Lumezin dhe sidomos ish prokurorin e Serbisë dikur, e sot kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, Reshat Milaku (lodra e Thaçi), pastaj prokurori Sylë Hoxhaj i cili deklaronte publikisht ku aludonte në vrasje të SHIK-ut se “njerëzit që i vret shteti nuk zbulohen kurrë autorët”, por bëhet pyetja se ku kishim shtet gjatë viteve 1998 – 2004, pastaj cili shtet pos Koresë Veriore vret njerëzit pa gjykim dhe pa verifikim. Pikërisht këta tre kryeprokuror që dy vite resht, mua personalisht më urdhrin e Thaçit dhe Veselit janë duke më maltretuar me thirrje në polici, me bastisje e çka jo tjetër, shkaku pse po i kritikoj dyshen Thaçi  - Veseli. Por interesant është se pse kurrë këta prokuror nuk na ftuan me na tregua se kush na suspendoi nga Policia dhe pse pa të drejtë. Gjithashtu të na tregojnë se kush po fshihet prapa atentateve të rregullta që shumë vite resh nga 2000-2017, duke tentuar të na vrasin mua dhe gjithë familjen. Pse nuk ka asnjë rezultat nga gjuajtja me snajper nga largësia, breshëri armësh me kallashnikov, bombat dhe mjetet eksploduese të shkrepura në shtëpinë time, kurse për kërcënime as të mos flasim pasi gjithmonë kam hasur në heshtje në drejtësinë e Kosovës”, potencon Miftari.

Pastaj, Miftari thotë se prokurori Beqir Kalludra tregon më së miri se prokuroria dhe gjyqësia jo që janë kapur nga mafia politike e korruptuar, por janë edhe lodra teatrale të tyre.

“Një Veting i përgjithshëm dhe neutral në gjyqësi dhe prokurori, në polici dhe AKI është i domosdoshëm për t’u pastruar shteti nga mafia politike e korruptuar që këtij enti shtetëror të studimit të ligjit i shndërruar në lodra të tyre dhe në strofull të korrupsioni, të dorës së zgjatur të hakmarrjes ndaj kundërshtarëve politik dhe gjithë atyre që mendojnë ndryshe”, përfundon Naim Miftari.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...