Sinjalet nga Brukseli, kur pritet t’i hiqen vizat Kosovës?

Politika

Sinjalet nga Brukseli, kur pritet t’i hiqen vizat Kosovës?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 24 gusht 2018 Në ora: 22:39
Foto ilustrim

Për disa vite liberalizimi i vizave mbetet një ndër çështje më aktuale për vendin, por përkundër premtimeve të shumta ende qytetarët e Kosovës, nuk janë të lirë të lëvizin në vendet Evropiane.

Njëra ndër datat më të fundit që është proklamuar nga politikanët është edhe muaji shtator. Të njëjtën gjë e ka potencuar edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, që ka thënë për mediat vendore se sinjali pozitiv i Komisionit Evropian për liberalizimi i vizave për Kosovën është hap i madh për lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës.

“Pas pushimit veror, ne duhet të sigurohemi që të ecim me shpejtësi me të gjitha procedurat e nevojshme. Kjo së pari do të vihet në agjendën e Komitetit ‘LIBE’ që do të ndodhë menjëherë pas pushimit, atëherë do të vijë vendimi nga Parlamenti Europian, i cili jam i bindur se do t’i japë dritën jeshile regjimit pa viza në fillim të vjeshtës”, ka thënë raportuesi për Kosovën në PE.

Por, ekspertët shpresojnë që Kosovës të mos i shtohen kritere të reja për liberalizmin e vizave, pasi që kjo çështje ka cenuar rënd popullin shqiptar, ku sipas tyre ka mundësi që vendi mos të ketë viza deri në pjesën e dytë të vitit 2019.

“Dua ta besoj se nuk do të "luhet" më me Kosovën, nuk do të shtohen akoma të tjera standarde shtesë por do të liberalizohen vizat. Liberalizimi i vizave ka qenë në rajon presion ndaj qeverive, presion ndaj qeverive të Kosovës me radhë, ka qenë fatkeqësi për qytetarët e thjeshtë, pasi bosat e drogës dhe krimit i kanë patur të liberalizuara vizat, edhe politikanet i kanë patur të liberalizuar vizat”, ka thënë ai për “Bota sot.

Shpresat në shtator

Image
Rexhep Shahu

Për me tepër, Shahu ka potencuar se mos liberalizimi i vizave ka cenuar rëndë popullatën shqiptare.

“Mungesa e liberalizimit të vizave nga Europa, i ka sjellë një dëm të pallogaritshëm shoqërisë shqiptare, ka detyruar shumë shqiptarë që të shkruhen greke, bullgare, serbe, etj-etj, duke cenuar rëndë popullsinë shqiptare në trojet e veta. Shpresoj që shtatori të jetë i mbarë për shqiptarët në Kosovë dhe të mos vazhdojë edhe me tej diskriminimi i tyre prej Europës”, ka deklaruar Shahu për “Bota sot”.

Kosova ende larg liberalizimit

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi,  ka potencuar se liberalizimi i vizave varet nga raportet e bisedimeve në Bruksel, ku sipas tij Kosova është larg marrjes së vizave.

Image
Muhamet Kelmendi

“Liberalizimi i vizave për Kosovën varet dhe rrjedhe kryesisht nga raportet e bisedimeve në Bruksel. Natyrisht se Parlamenti mund të vendosi pozitivisht. Këtej mendoj edhe se edhe Këshilli Ministrave të UE do të vepron. Vendimi mund dhe besoj se do të nxirret nga këto dy mekanizma. Ndërsa, de-fakto jemi ende larg kësaj”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai shtuar se liberalizimi i vizave është një proces i gjatë që nuk mund të ndodh para pjesës së dytë të vitit të ardhshëm.

“Pra, heqja e vizave është një proces mjaftë i gjatë dhe nuk mendoj se ka mundësi para pjesës së dytë të vitit 2019 të bëhet diçka në drejtim faktik. Liberalizimi i vizave është mjet shumë i lartë i presionit dhe natyrisht se UE këtë edhe do të përdori në jetë. Por, të shpresojmë se jemi para liberalizimit të vizave. Disa muaj a një vit nuk konsiderohet kohë e gjatë në UE”, ka deklaruar Kelmendi për “Bota sot”.

Sinjalet nga Brukseli

Image
Nexhat Haziri

Ndërkaq, analisti politik, Nexhat Haziri shpreson që këto sinjale nga Brukseli mos të jenë për të zgjatur pritjen e qytetarëve për liberalizimin e vizave.

“Këto sinjale që vijnë nga Brukseli, shpresojmë që mos të jenë vetëm sinjale sa për ta rritur  apo zgjatur pritjen e qytetarëve të Kosovës për liberalizim vizash, e që në fakt do të ishte një vendim i padrejtë i Brukselit në raport me qytetarët e Kosovës, pasi këta qytetar nuk mund të dënohen në këtë mënyrë për shkak se udhëhiqen nga një kastë e politikanëve mafioz, edhe pse as ne si qytetar nuk mund të përjashtohem nga përgjegjësia për këtë klasë politike që po udhëheq me institucionet e shtetit”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Haziri ka shtuar se Brukseli duhet që t`i liberalizojë vizat për qytetarët , kurse kastës mafioze në Kosovë do të duhet që t`i vë vizë.

“Pra , nëse Brukseli dëshiron që t'iu ndihmoj qytetarëve dhe Kosovës në përgjithësi, do të duhej që më në fund tua bëjë të mundshëm lëvizjen e lirë qytetarëve, ndërsa të iu vë viza kastës mafioze sunduese të Kosovës”, ka përfunduar Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat