Ramush Haradinaj rrezikon liberalizimin e vizave

Politika

Ramush Haradinaj rrezikon liberalizimin e vizave

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 25 gusht 2018 Në ora: 14:54
Ramush Haradinaj

“Bazuar në informacione që si qytetarë kemi për rastin, lehtë mund të vijmë në përfundim se në pikëpyetje liberalizimin e vizave e ka vënë vet Haradinaj me drejtues të tjerë partiak që kanë shtrirë ndikimin përmes ndërtimit të strukturave partiake brenda sistemit të drejtësisë”, është shprehur Daku.

Fillimisht e quajti hajn. E më pas, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se prokurori i dorëhequr, Elez Blakaj, që po hetonte listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), po rrezikon marrjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Shikojeni edhe një send unë jam kundër që ai që nuk e gëzon epitetin ‘veteran’ me qenë në lista por nuk jam që, ashtu qysh kam fol, një hajn, se ai është hajn, dhe a e dini pse ai është hajn, për do që po thonë jo është jo nuk është. Atij njeri krejt kushtet e mundshme për me kry punën e vet ia kemi dhënë. Çdo përkrahje të kryetarit të Qeverisë e ka pasur, ia kam dhënë zyrën teme, materiet që i kam në besim krejt lëndën  ia kam dhënë, nëse ky është kërcënim, mohim i drejtësisë, nëse është mohim kini parasysh nuk është e vërtetë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka hedhur akuza të rënda përsëri ndaj Blakajt, të cilin e quan hajn i cili rrezikon një sistem të drejtësisë.

“Është abuzim me të vërtetën është rrenë çka ka thanë e ka lyp me marrë fajllin, kemi vendos kamera dhe kemi shpenzuar kosto që të mos ketë manipulime me lëndë,  dhe për ditë të tanë ka nejt në zyre të kryeministrit në katin tim për me këqyr lëndën. Pak qeveri në pak shtete din më respektua kaq mirë e ne e kemi zbatu. Në fund shiko se çka ka ndodhur   e ka gjuajtur fajlin dhe ka dalë me spekulime publike. Ky është një hajn pra, ky nuk është profesionistë. Unë kam qenë në procese ligjore, nuk flasin profesionistët. Këta tanë po donë me marrë shembull Tomë Gashin, përmes mediave përmes zhurmave publike me u bë dikush. Nuk bëhet ashtu...Na jemi në proces të liberalizimit të vizave jemi në proces të bindjes së Bashkësisë ndërkombëtare që kemi rend dhe ligj qëky hajni na e k qit pikëpyetje me e marrë liberalizmin e  vizave sepse po e akuzon një sistem...”, ka thënë Haradinaj.

Rugova paralajmëron Haradinajn

Image
Naser Rugova

Lidhur me këtë deklaratë, deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kryeministri duhet të jetë i matur me deklarimet e tij dhe se nuk duhet të ndërhyjë apo fyejë prokurorët.

“Së pari, kryeministri duhet të jetë i matur në deklarime, të përdorë komunikim adekuat me publikun dhe jo të flasë kështu si po flet, jashtë çdo norme qytetare dhe politike. Së dyti, ai nuk duhet të ndërhyjë, komentojë apo edhe të fyejë prokurorët sepse konsiderohet ndërhyrje flagrante në hetime dhe tek organet e ndjekjes”, është shprehur Rugova.

Sa i përket mundësisë që ky rast të ndikojë në mos liberalizimin e vizave, deputeti ka thënë, se atë e rrezikon kjo qeverisje dhe jo prokurori Blakaj.

“Liberalizimin e vizave nuk e rrezikon prononcimi i prokurorit Blakaj, por kjo qeverisje dhe ky mentalitet qeverisës më i keqi në 8 dekadat e fundit në Kosovë. Të tentosh të fshihesh dhe të fajësosh për deklaratën publike një prokuror se po rrezikon liberalizimin e vizave, tregon se sa e dobët, e paaftë dhe sa e mjerë është kjo qeveri”, ka vlerësuar Naser Rugova për gazetën “Bota sot”.

Haradinaj po rrezikon liberalizimin

Në anën tjetër, drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se në pikëpyetje liberalizimin e ka vënë Haradinaj me drejtues të tjerë partiakë.

Image
Selim Daku

“Bazuar në informacione që si qytetarë kemi për rastin, lehtë mund të vijmë në përfundim se në pikëpyetje liberalizimin e vizave e ka vënë vetë Haradinaj me drejtues të tjerë partiakë, që kanë shtrirë ndikimin përmes ndërtimit të strukturave partiake brenda sistemit të drejtësisë”, është shprehur ai.

Sipas Dakut, dorëheqja e prokurorit Blakaj nuk e pengon, por kontribuon në liberalizimin e vizave dhe se ky rast nuk do të duhej të përdorej për fyerje dhe ofendime.

“Në të kundërtën, veprimi i prokurorit Blakaj është argumentim i dyshimeve të bazuara nga e kaluara mbi pavarësinë e organeve të drejtësisë, prandaj, dorëheqja e tij nuk do të pengojë, përkundrazi, do të kontribuojë si fakt shtesë në argumentimin e propozimit për liberalizim të vizave për Kosovën nga Komisioni Evropian. Në tërë këtë zhvillim, dorëheqja e prokurorit  do të duhej të shihej si kthesë për krijimin e hapësirave për vlera profesionale dhe punë të pavarur brenda sistemit të drejtësisë dhe assesi nuk do të duhej të shfrytëzoheshin për fyerje dhe ofendime diletante mbi organin e akuzës”, ka vlerësuar Selim Daku për “Bota sot”.

Në lidhje me mundësinë që ky rast të mund të përdoret politikisht, ai vlerëson se po përdoret për linçuar personalitetin e prokurorit të rastit dhe për të mbuluar falsifikimin e mundshëm të statusit të veteranëve.

“Nuk e besoj. Konsideroj që më shumë po përdoret politikisht për të stigmatizuar dhe linçuar personalitetin e prokurorit të rastit. Krejt kjo për të tentuar mbulimin e falsifikimeve të mundshme me statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Daku.

Dorëheqja e Blakajt nënkupton kapitullimin e shtetit

Image
Sami Blakaj

Kurse, njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Sami Blakaj, duke folur për këtë çështje, ka thënë se liberalizimi i vizave nuk rrezikohet nga gardianët e ligjit, por nga abuzuesit e tij dhe se prokurorë sikur Elez Blakaj, ka pak në Kosovë.

“Liberalizimin e vizave nuk e rrezikon gardiani i ligjit, por abuzuesi i tij- Shtetndërtimi i Kosovës dhe e ardhmja e saj evropiane asnjëherë nuk kërcënohet nga njerëz parimorë, profesionistë dhe gardianë të ligjit, siç ishte rasti me Prokurorin Blakaj. Prokurorë të nivelit Blakaj ka pak Kosova dhe ky numër i prokurorëve të dinjitetshëm mjerisht është në zhdukje e sipër, meqenëse ata nuk po arrijnë t'u mbijetojnë eprorëve të tyre të cilët "në emër të ligjit" abuzojnë çdo ditë me ligjin”, ka theksuar ai.

Sipas Blakajt, prokurorët e tillë duhet të dorëhiqen për shkak të kërcënimeve dhe dorëheqja e Elez Blakajt nënkupton kapitullimin e shtetit.

“Prandaj prokurorët me moral dhe etikë të lartë profesionale detyrohen të dorëhiqen, prandaj u dorëhoq edhe prokurori Blakaj, i cili ishte i detyruar ta bëjë një gjë të tillë për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme që kishte marrë si nga udhëheqja prokuroriale ashtu edhe nga ajo politike. Dorëheqja e detyruar e Elez Blakajt nuk mund të interpretohet ndryshe, përveçse kapje e shtetit dhe politizim i drejtësisë. Kapitullimi i drejtësisë përballë politikës dhe krimit të organizuar nënkupton vetë kapitullimin e shtetit”, ka përfunduar Sami Blakaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat