Koha për “goditjen” e Gjykatës Speciale!

Politika

Koha për “goditjen” e Gjykatës Speciale!

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 25 gusht 2018 Në ora: 18:23
Gjykata Speciale

Zhvillimet e fundit politike në Kosovë nuk do të ndikojnë në aktakuzat e para të Gjykatës Speciale, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit Special, gjersa shtojnë se aktakuzat do të ngriten në kohën e duhur dhe do të vendoset për këtë kur provat e faktet ta lejojnë këtë.

Gjykata Speciale, e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës e që selinë do ta ketë në Hagë të Holandës, tashmë sa kohë ka paralajmëruar ngritjen e aktakuzave të para, por deri më tani ende nuk është ndërmarrë një gjë e tillë edhe pse kanë kaluar tri vite që nga themelimi i saj.

Në mandatin e saj, Gjykata Speciale e cila ishte votuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, do të ketë edhe vrasjet politike që kishin ndodhur në Kosovë, gjatë dhe pas luftës, konkretisht fillimi i vitit 1998 dhe fundi i vitit 2000.

Tashmë tri vite që nga formimi i Speciales, ngritja e aktakuzave të para nga kjo gjykatë ende nuk ka ndodhur, dhe nuk dihet ende kur pritet të ndodhë një gjë e tillë.

Por kur do të ngritën aktakuzat e para të Speciales?

Gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar me zëdhënësin e Gjykatës Speciale, Christofer Bennet, i cili ka thënë se gjithçka do të vendoset pas hetimit të gjithë provave përfundimtare.

Tuje nga Gjykata Speciale kanë shtuar se ata po vazhdojnë me mbledhjen e fakteve dhe provave.

Akuzat ngrihen pas mbledhjes të të gjitha provave

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e kupton se ekzistojnë pritje që aktakuzat të ngrihen në kohën e duhur dhe do të vendosë për këtë çështje kur provat dhe faktet e paraqitura ta lejojnë ta bëjë këtë dhe, deri atëherë, ZPS-ja do të vazhdojë me hetimet e tashme. Për të drejtat, privatësinë, dhe sigurinë e atyre që mund të kenë pasoja nga këto aktakuza, duke përfshirë dëshmitarët, viktimat dhe të akuzuarit, vendimet do të merren pas marrjes në konsiderim e të gjitha provave. Rregullorja e Procedurës dhe e Provave e Dhomave të Specializuara, që u miratua para pak më shumë se një viti, i ka vendosur standardet më të larta të praktikave penale ndërkombëtare dhe ZPS-ja do t’iu përmbahet atyre. Për këto arsye, vendimi për të ngritur aktakuza nuk mund të ngutet dhe duhet të bëhet duke pasur pasqyrë të qartë se si do të përmbushen obligimet ligjore për të pasur gjykime të drejta brenda një kohe të arsyeshme”, ka thënë zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Christofer Bennet.

Ai më tej, ka theksuar se do të vazhdojnë hetimet dhe do t’i përmbushin obligimet brenda mandatit të tyre.

“ZPS-ja nuk bën komente për kohën e akuzave të mundshme apo të emrave të mundshëm për arsye profesionale, ligjore dhe etike. Ne vazhdojmë të hetojmë dhe t’i përmbushim obligimet tona procedurale. Gjithashtu, është esenciale që ata të cilët ende nuk kanë ngritur zërin për vepra kriminale ta bëjnë këtë brenda mandatit dhe ZPS-ja e ka bërë një formular të posaçëm për kontaktimin e prokurorëve. Të gjitha kontaktet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale”, është shprehur ai.

Mirëpo, sa mund të ndikojnë politikat e brendshme të Kosovës në punën e Dhomave të Specializuara?

Christofer Bennet është shprehur se Dhomat e Specializuara vazhdojnë punën pavarësisht zhvillimeve politike në Kosovë.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre në përputhje me Ligjin e miratuar për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe amendamentin kushtetues, pavarësisht zhvillimeve politike në Kosovë”, ka përfunduar për gazetën “Bota sot”, zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Christofer Bennet.

Gjykatës Speciale i ka humbur besimi dhe kredibiliteti

Image
Tomë Gashi

Ndërsa për avokatin Tomë Gashi, vonesa e ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale ka humbur kredibilitetin dhe besueshmërinë tek shqiptarët e Kosovës.

“Është paksa e çuditshme vonesa e ngritjes së akuzave të para nga Gjykata Speciale, por kjo fare nuk varet nga Gjykata, por nga zyra e prokurorit special në Hagë. Unë kam besuar dhe besoj ende se kjo gjykatë fare nuk ka të bëjë me Kosovën në aspektin juridik e as politikë. Kjo është një gjykatë ndërkombëtare penale dhe për ngritjen e akuzave të para dhe të fundit vendos faktori ndërkombëtar. Dhe për këtë arsye janë duke bërë gara udhëheqësit e Kosovës se kush do të jetë më i dëgjueshëm në raport me faktorët ndërkombëtarë. Për të ju bërë  favore sa më të mëdhaja në dëm të Kosovës e me të vetmin qëllim që të shpëtojnë veten nëse janë në shënjestër të kësaj gjykate” ka thënë ai.

Tutje, avokati Gashi ka theksuar se koha për ngritjen e akuzave të para tashmë ka ardhur.

“Çështjet e acaruara politike në Kosovë nuk ndikojnë në mos ngritjen e akuzave në këtë Gjykatë, por në përzgjedhjen e të akuzuarve të cilët kanë ndikim. Dihet se qysh moti prokuroria në Hagë ka deklaruar se do të ngrisin akuza në kohën e duhur. Dhe koha tani mjerisht ka ardhur. Por, saktë askush përveç zyrës së prokurorit në Hagë nuk e din askush se kur do të ngritën akuzat e para dhe kush do të jenë të akuzuarit e parë. Me vetë faktin e vonesës më tepër se 3 vite nga nxjerrja e ligjit për Gjykatën Speciale kësaj gjykate i ka humbur kredibiliteti dhe besueshmëria tek shqiptarët e Kosovës”, ka përfunduar avokati, Tomë Gashi.

Drejtësia fragmentare

Image
Adrian Gjoshi

Kurse avokati, Adrian Gjoshi thekson se vonesa mund të jetë indikacion se nuk ka shpresë për drejtësi.

“Viktimat e krimit përveç që kërkojnë drejtësi, kërkojnë edhe shpejtësi në arritje të drejtësisë. Mos zbardhja e rasteve penale të pasluftës ka ndikuar në uljen e besimit të qytetarëve në drejtësinë penale. Për mosvënien e drejtësisë në vend, përveç institucioneve vendore të drejtësisë, një pjesë të konsiderueshme të fajit e ka prania e UNMIK-ut dhe EULEX-it, të cilat nuk kanë bërë atë për të cilën kanë pasur mision. Si rezultat, viktimat dhe familjarët e viktimave kanë arsye të ndihen pësimit që edhe Gjykata Speciale do të sjellë drejtësi fragmentare ose do të dështojë e tëra”, është shprehur Gjoshi.

Ai ka shtuar se me licencimin e avokatëve do të fillojnë aktakuzat e para.

“Vonesa e ngritjes së aktakuzave nuk duhet të jetë indikacion se nuk ka shpresë për vënien e drejtësisë, sepse thuajse gjithçka është drejt finalizimit. Në momentin e licencimit të avokatëve të parë në Gjykatën Speciale, hapen rrugët për ngritjen e aktakuzave të para. Megjithatë, nga këndvështrimi im si avokat, konsideroj se Gjykata Speciale ka shkuar me hapa të ngadalshëm drejt funksionalizimit të saj, pavarësisht kompleksitetit të rasteve penale dhe vetë gjykatës si gjykatë e pashembullt në historinë e gjykatave (ndërkombëtare) penale”, ka përfunduar avokati Gjoshi.

Kujtojmë se Gjykata Speciale vazhdon të jetë njëra nga temat kyçe që vazhdon të diskutohet dhe nga shoqëria civile dhe partitë politike në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat