Kush është babai biologjik i SHIK-ut

Politika

Kush është babai biologjik i SHIK-ut

Nga: Bota sot Më: 27 gusht 2018 Në ora: 10:25
Foto ilustrim

Që nga fillimi i luftës guerile në Kosovë në vitet e 90’ta, filloi pastaj edhe përkrahja e madhe nga shumë burra të Kosovës të cilët nuk i linte gjaku pasiv për ta parë Kosovën nën atë gjenocid e torturë nga armiku serb.

Në marsin e vitit 1998, kur ra heroikisht familja Jashari me bacën Adem në krye, filloi aterimi dhe vërshimi në atë masë, sa që ishte e vështirë të kontrollohej se kush po hynte pa pasur një organizim të duhur dhe sistem për këtë, që do të kishte qëllimin e zbulimit të elementeve negative që mund ta dëmtonin luftës për liri.

Kur okupatori serb arriti që me ofenzivën e tij t’i tregonte Botës se lëvizjet ushtarake mbrojtëse të Kosovës ishin vetëm institucione legale, ai arriti edhe ta kontrollonte atë nga brenda, për shkak të mungesës së atij sistemi kontrollues që e përmenda më lartë.

Kur UÇK-ja u rrit me shumë ushtarë në radhët e saj, primare ishte furnizimi i armëve nga Shqipëria sepse mungesa e tyre do të ishte fatale për UÇK-në në atë kohë. Edhe pse UÇK-ja kishte ushtarë që nuk ishin të armatosur, madje kishte zona që kontrollohej nga 5-6 ushtarë, të cilët vetëm ishin lajmëtar për ofenzivat serbe.

Me ardhjen e Tahir Zemajt në Kosovë në korrik të vitit 1998, mbeten anash Ramush Haradinaj e të tjerët, për arsye se koloneli Zemaj shumë shpejtë fitoi simpatinë e një burri të pashëm luftarak, i cili ishte i pasur dhe erdhi në Kosovë duke marrë çdo gjë mbi vete. Madje, ai formoi në gusht të 98’ës policinë lokale që e quajti “mbrojtja territoriale e Kosovës.

Nëse SHIK-u do të ekzistonte si strukturë në radhët e UÇK-së, operacionet e Tahir Zemajt nuk do të zhvilloheshin kurrë. Nëse SHIK-u do të ishte UÇK, nuk do të vritej kolonel Ahmet Krasniqi e me siguri gjallë do të ishte edhe Azem Hajdari. Azem Hajdari ishte pranë Sali Berishës politikisht, por, ishte me zemër e me gjak me UÇK-në.

Kur UÇK-ja po humbte shtyllat kryesore të saj, doli një organizatë që u formua nga njerëz që ateruan pa e ditur. U formua Shërbimi Informativ i Kosovës – SHIK, i cili në atë kohë u deklarua se do të punonte për të mirën e vendit. Pas lufte, SHIK-u u bë i dyshuari kryesor për vrasjet politike që ndodheshin njëra pas tjetrës, kryesisht të anëtarëve të LDK-së.

Në pamundësi të financimit nga qeveria e Kosovës në atë kohë, “nëntoka” e SHIK-ut kishte si financim haraqin, ryshfetin për keqpërdorime publike, grabitjeve, shantazheve etj.

Kur jemi te pamundësia e financimit nga qeveria në atë kohë, qeveria e LDK-së e Ibrahim Rugovës, shtohet pyetja se a ishin vrasjet politike me qëllim dobësimin e LDK-së dhe ardhjes në pushtet të partive tjera që mund ta financonin SHIK-un dhe të ishin krahë i djathtë i tyre.

Është fakt që SHIK-u është formuar për likuidimin e njerëzve që ishin bashkëpunëtor të armikut serb, saktësisht bashkëpunëtor të UDB-së serbe, mirëpo sot kemi njerëz që nëpër institucionet tona që kanë qenë pjesë e tyre dhe kjo dihet publikisht.

Zyrtarisht SHIK-u e mori hijen si një veprimtari kriminale kur KFOR-i i bëri një hulumtim profilit të shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli dhe organizatës që ai drejtonte. Ata e  përshkruanin atë si inteligjent, elegant, por të lidhur ngushtë me njerëz që biznes kryesor kanë drogën. KFOR-i thoshte se SHIK-u kishte një listë prej 40 anëtarësh të LDK-së që duhej “hequr qafe”.

Padyshim që në çdo veprimtari ilegale të SHIK-ut, kishte të bënte edhe dora e zgjatur e SHISH në Shqipëri, nën timonin e Fatos Klosit. Lidhjet e tij me LPK-në gjatë kohës së luftës ishin të ngushta. Logjikisht, “babai” biologjik i SHIK-ut është ai që në fund të luftës së Kosovës e formoi këtë organizatë me njerëzit e tij që kishin hyrë në Kosovë, madje edhe në UÇK pa ditur se kush janë, me qëllim ta merrte nën kontroll të gjithë Kosovën, përfshirë edhe Kosovën, duke u thirrur në mbrojtje të shtetin tonë nga UDB-ashët serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat