Kërcënimet dhe shantazhet e Ramush Haradinajt

Politika

Kërcënimet dhe shantazhet e Ramush Haradinajt

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 27 gusht 2018 Në ora: 12:31
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, edhe me tej nuk i ka rënë pishman se ka quajtur “hajn” ish prokurorin që po hetonte listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Elez Blakajn.

Kjo qasje e kryeministrit po konsiderohet e frikshme, duke e etiketuar e sulmuar një prokuror, i cili ishte duke e kryer punën e vet, duke identifikuar kështu afër 20 mijë “mashtrues” që po harxhonin miliona nga buxheti i Kosovës.

Lidhur me këtë, opozita është e mendimit se nuk duhet të ketë kërcënime dhe shantazime, pasi që, sipas tyre, Kosova pretendon të bëhet shtet ligjor dhe nëse ka ndërhyrje në drejtësi atëherë nuk është mirë për askënd.

E, njohësit e çështjeve juridike dhe shoqëria civile bëjnë me dije se kryeministri i vendit nuk do duhej të merrej më kërcënime të tilla, ndërsa, bëjnë thirrje për verifikim dhe korrigjim të listave të veteranëve sa më parë.

LDK dënon shantazhimet

Image
Agim Veliu

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se si parti insititucionalite mendojnë se nuk është e mirë përzierja e kryeministrit në pushtete.

Veliu ka thënë se nuk duhet të ketë kërcënime dhe shantazime, sepse, siç ka thënë ai, Kosova pretendon të bëhet shtet ligjor dhe nëse ka ndërhyrje në drejtësi atëherë nuk është mirë për askënd.

“Lidhja Demokratike e Kosovës si parti institucionalite i ka qëndrimet e qarta, sa i takon pushteteve. Për ne, pushtetet janë të ndara dhe nuk e mendojmë se është mirë përzierja në pushtete. Pushteti i gjyqësorit, prokuroria duhet që ta ketë autonomin e vet të veprimit, ta kenë lirinë ashtu siç është e përcaktuar, nuk duhet të ketë kërcënime, shantazime sepse në një shtet që po pretendojmë për ta bërë shtet ligjor nëse ka ndërhyrje në drejtësi atëherë nuk është mirë për askënd në radhë të parë, por edhe qytetarët që jetojnë në atë shtet nuk jetojnë të lirë, pra jetojnë me frikë”, ka thënë Veliu.

Nënkryetari i LDK-së ka theksuar se pushtetet duhet të jenë secili në funksionin e vet dhe nuk duhet të ketë ndërhyrje pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë.

“Për ne pushtetet duhet të jenë secili në funksionin e vet, nuk duhet të ketë ndërhyrje pa marrë parasysh se a është në pyetje kryeministri apo kryetari i shtetit. Shtet ligjor mund të ketë vetëm atëherë kur para drejtësisë nëse bën dikush ndonjë vepër të del si kryetari i shtetit, si kryetari i qeverisë, sikurse arsimtari, mjeku, bariu, punëtori, pa marrë parasysh, të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit”, ka përfunduar nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, për gazetën “Bota sot”.

“Nga paslufta me tentativa të tilla”

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike-kushtetuese, Blerim Burjani, konsideron se nga paslufta ka pas tentativa të tilla, ku shumë individ u paraqiten si pjesëmarrës në luftë.

Burjani në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se çdo prokuror dhe gjyqtar mund të ketë probleme me këtë kategori njerëzish.

“Kjo nuk ka ndonjë dallim se kush është prokuror, më rëndësi është me arrit qëllimin që kanë disa njerëz. Pasluftës ka pas tentativa të tilla të paraqiten shumë individ si pjesëmarrës në luftë, duhet të korrigjohet lista dhe të verifikohet si duhet. Prokurorët dhe gjyqtarët që e donë zbatimin e ligjit kanë problemë dhe mund ta ketë problem me këtë kategori njerëzish, tash ka shumë përfitime në Kosovë në të gjitha variantet, por duhet një vetëdijesim më i madh i qytetarëve në këtë çështje dhe veçmas tek njerëzit e tjerë që kanë interesa”, ka thënë Burjani.

Tutje, njohësi i çështjeve juridike thekson se situata është e komplikuar, ani pse, sipas tij, ligjërisht do të duhej të ishte e qartë.

“Normal se të gjithë ata që verifikohen nga prokuroria se kanë qenë pjesëmarrës në luftë duhet dhënë pensionin meritor, në këtë temë mund të ndihmojnë më së shumti komandatët të shumtë, që së paku të tregojnë se kush është ushtar dhe kush veteran. Situata është më e komplikuar edhe pse ligjërisht do të duhej të jetë e qartë, ligji duhet të kategorizojë në luftëtarë të drejtpërdrejt, në luftëtarë pjesëmarrës dhe ndihmës logjistik të luftës apo pasivë, pastaj duhet të dihet edhe numri final i tyre. Veteran termi është sipas logjikës së shumë ligjeve që kanë shtetet se a janë pjesëmarrës në dy apo më shumë luftëra. Duhet edhe këtu të ketë përkufizim kush është veteran e kush pjesëmarrës”, ka përfunduar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

“Kryeministri nuk do duhej të merrej më kërcënime të tilla”

Image
Ali Hertica

Ndërsa, analisti politik, Ali Hertica, duke i komentuar fyerjet e kryeministrit Haradinaj ndaj ish-prokurorit të dorëhequr, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Elez Blakaj kishte marrë informacione se Komisioni i Mjekëve në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që ishte duke u marrë me përcaktimin e statusit të invalidëve kishte pasur kanosje.

 “Prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, përderisa ishte duke hetuar rastin e njohur dhe të kahëmotëshem si “fryrja e listave të veteranëve të UÇK-së”, kishte marrë informacione se Komisioni i Mjekëve në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte duke u marrë me përcaktimin e statusit të invalidëve të luftës dhe se gjatë punës së këtij komisioni ka pasur kanosje, për të cilën edhe është hapur rasti i tillë”, ka thënë Hertica.

Me tej ai thotë se një kryeministër i vendit nuk do duhej të merrej më kërcënime të tilla, pasi siç thotë Hertica, pushteti është i ndarë.

“Një kërcim i tillë del edhe nga vet Haradinaj, ku si një kryeministër nuk do duhet të merret me këtë çështje për të ndaluar apo kërcënuar një prokuror, kur dihet se është pushtet i ndarë prokuroria nga instancat e Qeverise dhe shteti, i cili fillonte të ndriçonte të gjitha dukuritë dhe keqpërdorimet e vlerave të luftës nga matrapazët të cilit janë të fshehur mbrapa perdes së emblemës së UÇK-së”, ka thënë ai.

Në fund, analisti politik konsideron se kërcënimet nuk janë demokratike dhe parimore.

“Të gjitha kërcënimet të çdo institucioni të cilit kërcënohen nuk janë demokratike dhe parimore të politikës së sistemit demokratik i cili dëshiron të ketë shtet ligjor. Këto kanosje nga kush do qoftë janë të papranuara dhe duhet të distancohen të gjitha instancat e shteti e së pari vet kryeministri. Fyerjet dhe etiketimet me fjalë  të rrugëve nuk do i shkon për shtatit kush do qoftë nga liderët e skenës politike, e më shumë Haradinajt”, ka përfunduar analisti politik Ali Hertica për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat