“Fatkeqësi për shqiptarët”, kërkohet izolimi i Thaçit!

Politika

“Fatkeqësi për shqiptarët”, kërkohet izolimi i Thaçit!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 27 gusht 2018 Në ora: 16:52
Hashim Thaçi

“Fatkeqësisht për ne ky njeri është rikthyer si një nga personazhet në të rëndësishëm të Shtëpisë së Bardhë. Por fatkeqësia e shqiptarëve nuk është as Bolton, as Vuçiq, askush tjetër, përveçse presidentit të vendit, Hashim Thaçi. Nëse Beogradi nuk do të kishte partner e lobues të palodhur për ndarjen e Kosovës vetë presidentin e vendit, as Bolton nuk do ta kishte bërë deklaratën e tij në Kiev sot, pavarësisht qëndrimeve të tij të dikurshme”, ka thënë Bytyçi për “Bota sot”.

Gjatë një vizite në Kiev, ku mori pjesë në ceremonitë e 27-vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton preku për të parën herë haptazi çështjen e ndryshimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë,  që kur ka nisur të diskutohet kjo mundësi nga dy presidentët e të dy shteteve, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.

“Shumë njerëz kanë bërë përpjekje të ndërmjetësojnë në mosmarrëveshjet mes Kosovës e Serbisë, por kanë dështuar”, kujtoi Bolton.

“Ndërsa tani ka shenja se të dyja qeveritë janë të vullnetshme, që të negociojnë për këtë. Politika jonë, politika e Shteteve të Bashkuara është që, nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, ne nuk e përjashtojmë rregullimin territorial. Qartazi është një çështje e vështirë. Nëse nuk do të ishte, do të ishte zgjidhur shumë kohë më parë. Por, ne nuk do të qëndrojmë në rrugë dhe nuk mendoj që kushdo në Europë do të qëndrojë në rrugë, nëse të dyja palët arrijnë një marrëveshje të ndërsjellë e të kënaqshme”, citohet të ketë thënë zyrtari i lartë i administratës amerikane.

Ndërsa, analistët politikë dhe njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare, thonë se tashmë për Kosovën rreziku më i madh është Hashim Thaçi.

Fajtor Thaçi, shqiptarët t’i shpallin luftë!

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi e ka komentuar për “Bota sot” deklaratën e këshilltarit për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë në SHBA, John Bolton, i cili tha se Amerika nuk e përjashton korrigjimin e kufijve mes Kosovës e Serbisë.

“Është shumë e qartë se Beogradi e aktivizoi skenarin milosheviçian të ndarjes së Kosovës pasi loboi në shumë vende, përfshirë SHBA-të, dhe përgatiti njëfarë terreni. John Bolton ishte gjah i lehtë për qeverinë e Beogradit, sepse ai ka qenë skeptik e deri diku kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë”, tha Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ai e quan fatkeqësi të shqiptarëve presidentin Thaçi, ku sipas tij është një lobues i madh i Beogradit.

 “Fatkeqësisht për ne ky njeri është rikthyer si një nga personazhet në të rëndësishëm të Shtëpisë së Bardhë. Por fatkeqësia e shqiptarëve nuk është as Bolton, as Vuçiq, askush tjetër, përveçse presidentit të vendit, Hashim Thaçi. Nëse Beogradi nuk do të kishte partner e lobues të palodhur për ndarjen e Kosovës vetë presidentin e vendit, as Bolton nuk do ta kishte bërë deklaratën e tij në Kiev sot, pavarësisht qëndrimeve të tij të dikurshme”, ka shtuar Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se shqiptarët duhet t’i shpallin luftë presidentit të Kosovës, e jo Serbisë apo Boltonit, sepse ky i fundit ka thënë se “Nëse palët bien dakord...”.

“Tani jemi para një situate, kur shqiptarët duket t’i shpallin luftë presidentit të Kosovës. Nuk kanë pse t’i shpallin luftë as Serbisë, as John Bolton. Në fund të fundit ai thotë qartë: “Nëse palët bien dakord…”! Presidenti ka rënë dakord. Madje ka lëshuar zagarët proserbë të Kosovës të lobojnë fort për ndarjen e Kosovës. Por edhe zagarët kur lehin gjëmojnë gjahun në favor të të zotit. Këta zagarë që lehin në Kosovë, që flasin shqip, që Kosovën e trajtojnë si mall të vetin, këta zagarë janë aktivë e nuk pushojnë së lehuri për “t’i dhënë diçka Serbisë”, pra t’ia dhënë asaj një pjesë të territorit. Ndryshe, thonë ata, nuk mund të pajtohemi ne më serbët”! Po kush duhet të pajtohet me palën tjetër? Shqiptarët me serbët, apo serbët e shqiptarët? Ne jemi të aftë të shkatërrojmë Brenda natës gjithçka që brezat nuk kanë mundur ta ndërtojnë. Ne jemi të aftë të zhbëjmë shtetin, të falim territore, të puthim dorën e vrasësve edhe kur nuk kërkojnë ndjesë për krimet që ata kanë bërë kundër nesh. Ne jemi njerëz të dobët, pa karakter pa qëndrueshmëri, pa forcë mendimi dhe argument”, ka Bytyçi.

Ai e quan Thaçin person që zvarritet para Serbisë, kurse iu bënë thirrje shqiptarëve të diasporës në Bruksel të tubohen me thirrjet kundër idesë së Thaçit dhe Vuçiqit.

Investimi amerikan në Kosovë nuk duhet të zhbëhet

Sipas Bytyçit, investimi amerikan në Kosovë nuk duhet të zhbëhet.

“Shqiptarët që zvarriten para Serbisë sot, përfshirë dhe Hashim Thaçin, nuk janë më pak se plaçkitësit e shekullit XVIII e XIX. Kështu që rrezikun e ka krijuar i pari ishtetit të Kosovës. Nuk na e solli John Bolton. Në këto kushte Hashim Thaçi duhet të ndalohet, në mos nga parlamenti, nga populli që të shkojë në shtator për bisedime në Bruksel. Nga ana tjetër shqiptarët e diasporës në Bruksel duhet të tubohen në një manifestim gjigand me thirrjet kundër ndarjes së Kosovës kundër Aleksandër Vuçiq, kundër Hashim Thaçit dhe kundër Fredrica Mogherinit. Shqiptarët në Amerikë duhet ta marrin shumë seriozisht situatën që në Kosovë e ka krijuar presidenti i vendit në bashkëpunim me armiqtë e Kosovës dhe të shqiptarëve. Deklarata e John Bolton është një rast I mirë që të gjitha organizatat patriotike në SHBA t’i drejtohen Kongresit, Senatit, të gjithë kongresmenëve veç e veç, të gjithë senatorëve veç e veç, Presidentit Amerikan Donald Trump, Sekretarit të Shtetit, personaliteteve politike dhe diplomatike në Amerikë. Duhen bërë memorandum, letra, duhet të flitet në të gjitha zyrat dhe sallat e politikës dhe diplomacisë amerikane dhe t’u kujtohet se amerikanët e famshëm që kanë investuar për shqiptarët kanë më shumë buste e statuja në Kosovë dhe në Shqipëri sesa në Amerikë. Investimi amerikan nuk bën të zhbëhet, nuk bën të kthehet në të kundërtën e vet. Por e para është izolimi total i Hashim Thaçit, shkarkimi I tij si rrezik për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Pa bërë këtë, askush nuk do ta marrë Kosovën seriozisht, askush nuk do të përfill vullnetin e shqiptarëve. Është detyrë e parlamentit që ta bëjë këtë ndoshta me urgjencën më të madhe”, ka përfunduar Bytyçi.

Kuvendi ta ndalë Thaçin

Ndërsa publicisti Rexhep Shahu, ka thënë për “Bota sot” se Kuvendi i Kosovës është ai që duhet ta ndalë presidentin Thaçi.

Image
Rexhep Shahu

“Thaçi i cili sillet si i ngarkuar me punë i Beogradit në Prishtinë duhet që Kuvendi i Kosovës t'ia ndalojë të drejtën e përfaqësimit në bisedime me Serbinë, le të shesë tituj veteranesh dhe te mbledhë euro nga ky biznes. Por Kosovën nuk ka te drejtë morale ta përfaqësojë në bisedime me Serbinë pasi ai sillet si përfaqësues i Beogradit në Prishtinë, sillet sikur Kosova është koloni e Serbisë dhe ai administrator i caktuar nga Beogradi”, është shprehur Shahu.

Rreth deklaratave të Bolton, Shahu ka thënë se nuk vendos asnjë zyrtarë amerikanë për Kosovën, por atë e bënë senati e kongresi i SHBA-ve. Në anën tjetër, Shahu nuk i sheh shumë serioze deklaratat e Bolton, pasi që ai tha se “Nëse bien dakort”.

“Sa i përket deklarimit të zyrtarit amerikan, besoj se Amerika nuk e ka çliruar Kosovën për hatër të Serbisë dhe nuk vendos asnjë zyrtar amerikan për fatin e Kosovës i vetëm, por vendos senati e kongresi amerikan. Pastaj zyrtari amerikan ka thënë nëse bien dakord palët, kështu Kosova nuk ka pse të bjere dakord. Dialogun me Serbinë duhet ta bëjnë ata shqiptarë që nuk ua ka shkelë bishtin askush, duhet ta bëjnë ata njerëz që nuk i kanë asnjë borxh Serbisë”, ka theksuar Bytyçi për “Bota sot”.

Kujtojmë se ndryshimi i kufijve në Ballkan është kundërshtuar ashpër nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Kufijtë dhe integriteti territorial i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të krijuara (vendosura) dhe janë të paprekshme. Kjo duhet të përsëritet shumë herë sepse ka disa tendenca të bisedohet për kufij, dhe kjo nuk mund të bëhet”, ishte shprehur javë më parë Angela Merkel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat