“Haradinaj mendon se është në odë të Gllogjanit”

Politika

“Haradinaj mendon se është në odë të Gllogjanit”

Nga: Drilon Rrahmani Më: 27 gusht 2018 Në ora: 22:12
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk u përmbajt në fjalorin e tij drejtuar ish prokurorit të dorëhequr, Elez Blakaj.

Haradinaj e quajti hajn e pishpirik Blakajt, madje e ofendoi jo vetëm atë por edhe shumë shqiptarë që gjatë luftës ishin të strehuar në Bllacë.

Lidhur me këtë ka folur për “Bota sot” publicisti Gazmend Islami, i cili nuk e sheh Haradinajn si adekuat për pozitën që është. Ai thotë se Haradinaj nuk mund t’i kontrollojë emocionet e veta, e lëre më një shtet me probleme si Kosova. Islami ia kujton Haradinajt se në çdo shtet ku ka luftë, ka edhe emigrantë që largohen nga aty.

Image
Gazmend Islami

“Ramush Haradinaj si kryeministër është në pozitën e gabuar. Kur ai nuk mund t’i kontrollojë emocionet e veta dhe shprehet në atë gjuhë fyese para publikut, si mund ta kontrollojë një shtet me shumë probleme siç është Kosova. Haradinaj duhet ta dijë se në asnjë vend të Botës ku zhvillohen luftërat, nuk marrin pjesë e gjithë popullsia e vendit. Disa bashkohen në ushtri, disa largohen si emigrantë. Nuk është e thënë që të gjithë të largohen. Ramushi e di shumë mirë se po ata civilë e sollën NATO-në në Kosovë, siç është rasti i masakrës së Reçakut, ku pas raportimit të Wollker-it, u bind SHBA se duhet të ndërhyjë në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas Islamit, Haradinaj nganjëherë mendon se është në odë të Gllogjanit duke e përdorë atë fjalorë, ndërsa shprehet se i ka ditët e fundit në qeveri.

“Haradinaj është nën stres, pasi çdo ditë e re, është një ditë e fundit për të si shef i qeverisë. Haradinaj po e rrëzon vetën nga qeveria. Këtë ai po e bënë që nga fillimi, ku ofendimet e tij nuk kanë të ndalur. Ai nganjëherë po mendon se është në odë të Gllogjanit”, ka theksuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat