Rexhep Selimi zbulon arsyen pse nuk ka aplikuar për statusin e veteranit

Politika

Rexhep Selimi zbulon arsyen pse nuk ka aplikuar për statusin e veteranit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 gusht 2018 Në ora: 13:37
Rexhep Selimi

Lëvizja Vetëvendosje kishte shprehur pakënaqësi për listat e fryra të veteranëve, ndërkaq duke folur rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje, ata thonë se duhet të reagojnë ata që kanë mundësuar këtë katrahurë.

Ish- ushtari dhe tashmë deputet i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë se veteranët duhet ta kuptojnë vetë se nga kush e kanë problemin e listave të fryera.

“Veteranët duhet ta kuptojnë se nga kush e kanë këtë problem. Ata duhet të reagojnë, pikësëpari, sa herë rrezikohen interesat e vendit, por edhe kur rrezikohet imazhi i tyre prej luftëtarit. Prandaj, para se të reagojnë kundrejt "veteranëve mashtrues", ata duhet të reagojnë kundër atyre që e mundësuan një katrahurë të tillë siç është manipulimi deri në degradim i imazhit të luftëtarit të UÇK-së”, ka pohuar Selimi për “Bota sot”.

Ai ka treguar se ai ka pasur vërejtje për këtë çështje dhe prandaj edhe nuk ka aplikuar për statusin e veteranit.

“Unë personalisht, edhe në emër të bashkëluftëtarëve, por edhe në emër të grupit tim Parlamentar e kam ngritur këtë çështje në kuvend dhe në media shumë herë. Madje kam pasur edhe debate edhe me disa bashkëluftëtarë të mi edhe gjatë procedimit të Ligjit për Veteranët kur është proceduar ne Kuvend. Vërejtjet që i kam dhënë atëherë kanë dalur të jenë të drejta dhe tani po e shohim efektin që e pata  paralajmëruar. Si reagim ndaj parregullsive në procesin e verifikimit të listave të veteranëve unë nuk kam aplikuar fare për statusin e veteranit. Jo, se unë nuk e dua statusin e veteranit, por nuk kam dashur që me aplikimin tim t'i amnistoj gjithë ato parregullësi në proces”, ka theksuar Selimi.

Lëvizja Vetëvendosje do ta kundërshtojë qasjen e rritjes së numrit të veteranëve të rrejshëm si dhe do ta denoncojnë publikisht çdo ndërmarrje të shkeljeve ligjore në këtë proces.

“Poashtu, gjatë gjithë këtij procesi unë kam paralajmëruar se po rritet numri i veteranëve të rrejshëm deri në trefishim. Prandaj edhe tash e tutje do ta bëjmë të njëjtën gjë, do ta kundërshtojmë një qasje të tillë dhe do ta denoncojmë publikisht çdo ndërmarrje të shkeljeve ligjore në këtë proces. Por jo vetëm kaq!”, ka deklaruar Selimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat