“Pazaret” dhe gabimi historik i Hashim Thaçit!

Politika

“Pazaret” dhe gabimi historik i Hashim Thaçit!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 28 gusht 2018 Në ora: 19:22
Pamje nga konferenca në në Forumin Evropian Alpbach

“Të dielave, në kohë të vikendit në mungesë të ndërmjetësuesve formalë ndërkombëtarë Thaçi është duke bërë pazare me Vuçiqin. Larg syve të qytetarëve dhe në kundërshtim të kushtetutës Thaçi është duke bërë gabimin historik para të gjithë qytetarëve parlamentarëve dhe miqve që kanë ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Për serbët është e qartë, nuk është hequr Kosova nga preambula e kushtetutës, nuk janë pranuar fajet e së kaluarës, janë fituar kontrolla efektive ne territorin e brendshëm të resurseve, kanë mbajtur pozitat strategjike në veri dhe në jug dhe kane sabotuar shtetin e Kosovës dhe njohjen  tij që 20 vite”, ka deklaruar Abazi për “Bota sot”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në një konferencë të përbashkët me presidentin austriak, Alexander Van der Bellen, presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor,  Komisioneri i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq ka thënë se marrëveshja e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të garantojë paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkan.

Në këtë konferencë, Thaçi ka deklaruar se nuk duhet të ketë frikë nga marrëveshja për  korrigjim të kufirit.

“Ne jemi krejtësisht të vetëdijshëm për nevojën që stabiliteti dhe paqja në Ballkanin Perëndimor të ruhen me çdo çmim. Kjo është arsyeja pse ne duam të sigurojmë shtetet fqinje, shtetet anëtare të BE-së apo shtete të tjera të botës se nuk duhet të kenë frikë nga një marrëveshje potenciale paqësore midis Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë nënkupton një korrigjim të kufirit”, ka shtuar ai.

Për më tepër, ai ka deklaruar se një marrëveshje e tillë do të garantonte paqe.

“Kemi vendosur që të arrijmë një zgjidhje kreative dhe të pranueshme nga të gjithë. Jemi të bindur se kjo do të garantonte stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor. Kosova dhe Serbia nuk do të jenë shtetet e vetme që të korrigjojnë kufijtë”, tha Thaçi.

Por, kjo marrëveshje për korrigjim të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po cilësohet si e rrezikshme për vendin dhe se Thaçi është duke bërë gabim historik.

Kosova nuk është pronë private

Image
Valentina Bunjaku

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku ka thënë për “Bota sot”, se  presidenti Thaçi nuk mundet të kërkojë mbështetje në Austri, e as në Bruksel, pasi që Kosova nuk është pronë private.

“Thaçi përkundër autoritetit tashmë shumë të kontestuar dhe pa përkrahje që ka, duke humbur përkrahjen e popullit dhe klasës politike nuk mundet të bëj pazare me sovranitetin territorial të Kosovës as në Austri duke kërkuar mbështetje as në Bruksel a gjetiu sepse vendi nuk është prone e tij private”, ka deklaruar ajo për “Bota sot”.

“Korrigjimi kufijve shihet qartë se është fare i pamundur në këtë kohë por ai tenton ta orientojë opinionin dikund tjetër duke e larguar fokusin e gabimeve të tij si president tani e kryeministër më herët!!”, ka përfunduar  Bunjaku për “Bota sot”.

Ndarja e Kosovës, projekt serb

Image
Drita Millaku

Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Drita Millaku, ka thënë se projekti i ndarjes se Kosovës është synim dhe projekt serb i cili për shqiptarët është jo vetëm i disfavorshëm por edhe i rrezikshëm.

“Pozicioni i Kosovës në këto bisedime është tepër i keq kur marrim për bazë se këto bisedime me insistim dëshiron t'i udhëheqë Hashim Thaçi  i cili tashmë ka dhënë prova se do ta dëmtojë vendin duke humbur toka tjera si me Maqedoninë dhe Malin e zi”, ka potencuar ajo për “Bota sot”.

Gabimi historik i Thaçit

Njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë se Thaçi është duke bërë gabimin historik para të gjithë qytetarëve, parlamentarëve dhe miqve që kanë ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Image
Haki Abazi

“Të dielave, në kohë të vikendit në mungesë të ndërmjetësuesve formalë ndërkombëtarë Thaçi është duke bërë pazare me Vuçiqin. Larg syve të qytetarëve dhe në kundërshtim të kushtetutës Thaçi është duke bërë gabimin historik para të gjithë qytetarëve parlamentarëve dhe miqve që kanë ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Për serbët është e qartë, nuk është hequr Kosova nga preambula e kushtetutës, nuk janë pranuar fajet e së kaluarës, janë fituar kontrolla efektive në territorin e brendshëm të resurseve, kanë mbajtur pozitat strategjike në veri dhe në jug dhe kanë sabotuar shtetin e Kosovës dhe njohjen  tij që 20 vite”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka shtuar se ky skenar është i zi për shqiptarët, pavarësisht se në "korrektimin" mund të shtyhet kufiri në disa fshatra të Luginës.

Por, sipas tij, nuk flitet për tërë Luginën e sidomos jo për autostradën dhe hekurudhën që lidhë Serbinë me Greqinë.

“Kanë arritur që serbët të konsiderohen viktima, ndërsa shqiptarët kanë pranuar statusin e si një element i rrezikshëm në Ballkan. Është e hera e parë që nga lufta e parë botërore që shqiptarët po pranojnë që fizikisht dhe gjeografikisht të komunikojnë me Evropën nëpërmjet lejes së veçantë të Serbisë. Në radhë është Mali i Zi pas kësaj marrëveshje dhe dalja e Rusisë në detin Adriatik. Ky skenar është i zi për shqiptarët pavarësisht se në "korrektimin" mund të shtyhet kufiri në disa fshatra të Luginës, por aspak nuk flitet për Luginën e sidomos jo për autostradën dhe hekurudhën që lidhë Serbinë me Greqinë. Thaçi është një analfabet që nuk kupton asnjë gjë përveç interesit të tij. Ideja e tij se duke bërë këto kompromise do të mundësojë të ikë nga gjykata speciale është ëndërr që do ti kthehet atij dhe shteti si një bumerang i rëndë”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Në fund, Abazi ka shtuar se assesi nuk mund të pritet asnjë gjë e mirë nga ky proces.

“Marrëveshja ndërmjet Vuçiq dhe Thaçi është diskutuar kohë më herët dhe është negociuar me ndërmjetësim privat të Wolfgang Peteristch, por jo ndonjë palë garantuese dhe pa u këshilluar me askënd që kupton përmbajtje dhe pasojat e marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve të papranuara. Këto marrëveshje si ato që janë bërë më herët janë degraduese për Kosovën dhe assesi nuk mund të pritet asnjë gjë e mirë nga ky proces”, ka përfunduar Abazi për “Bota sot”.

Kuvendi vazhdon me “rrezitjen” verore

Kurse, analisti politik, Nexhat Haziri, ka thënë për “Bota sot” se në forumin Europian Alpbach, Thaçi ka shfrytëzuar për të siguruar mbështetjen e disa vendeve të BE-së që po e kundërshtojnë opsionin e tij.

Image
Nexhat Haziri

“Pra marrë parasysh këtë, presidenti Thaçi do ta shfrytëzojë edhe takimin e Vjenës, për të siguruar mbështetjen e disa vendeve të BE-së që po e kundërshtojnë opsionin e tij, Pra ky takim i cili po mbahet me temën perspektiva evropiane e Ballkanit perëndimor në të cilën po marrin pjesë si lider nga rajoni vetëm Thaçi dhe Vuçiq, do të jetë edhe një rast i mirë për promovimin e idesë Thaçi-Vuçiq, për ndryshim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që padyshim është në dëm të Kosovës”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Sipas tij, është e habitshme se si Kuvendi i Kosovës nuk ka ende një qëndrim dhe se presidenti i Kosovës do të duhet të ndalohet pasi që po e dëmton vendin.

“Është e habitshme për mua se si Kuvendi i Kosovës po vazhdon me “rrezitje” verore, në këtë kohë të zhvillimit të ngjarjeve më një dinamikë të shpejtë për Kosovën dhe rreth saj, dhe institucioni më i lartë ligjvënës në vend, akoma nuk ka një qëndrim. Po ashtu edhe qytetarët e Kosovës nuk duhet të qëndrojnë indiferentë ndaj këtyre zhvillimeve që prekun të ardhmen e tyre si shoqëri e pavarur, e lirë dhe demokratike, duke u sjellur sikur asgjë nuk po ndodh. Detyrë e jonë imediate si shoqëri është se si të ndalet ky njeri (presidenti Thaçi) që me veprimet e tij antikushtetuese po e dëmton vendin dhe perspektivën e tij të funksionimit si shtet i mirëfilltë”, përfundoi Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat