Ditët e fundit të Ramush Haradinajt - Bota Sot
Ditët e fundit të Ramush Haradinajt

Politika

Ditët e fundit të Ramush Haradinajt

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 29 gusht 2018 Në ora: 07:51
Ramush Haradinaj

Dorëheqja e Elez Blakajt bëri jehonë të madhe në gjithë opinionin publik shqiptar, ndërsa më i emocionuari për këtë ishte kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, i cili nuk mund ta kontrollonte veten me deklaratat e tij duke i përcjellë ato me ofendime drejt Blakajt.

Haradinaj e ka sulmuar në mënyrë të paprecedentë prokurorin e dorëhequr, Elez Blakaj, duke e quajtur hajn dhe pishpirik, që nuk mund të vlerësojë numrin e veteranëve, meqë ka ikur në Bllacë e Stankovec.

Ai ka thënë se nuk duhet askush të flasë për numrin e madh të veteranëve nga rajoni i Dukagjinit sepse, sipas tij, në të vërtetë ka pasur shumë luftëtarë nga atje.

“Nuk e di ku ka qenë prokurori gjatë luftës, në Bllacë apo ku. Sa i përket asaj që ka ndodhë në Dukagjin për luftë, i qëndroj prapa. Ata që i kam nënshkruar janë veteranë. Kanë qenë të mobilizuar i madh e i vogël. Çdo vendbanim ka qenë i furnizuar me armë. Lëvizje, qarkullim, ikje, kthim nga vendi i luftës ka në çdo kohë dhe në çdo luftë. Nuk është mirë të ofendohet pjesëmarrja në luftë e njerëzve të Dukagjinit sepse ka qenë numër i madh. Numri ishte i madh që ishin direkt në luftë apo marrja pjesë në luftë në një kohë të caktuar. Qëndrimi im është i qartë, nuk ia mohoj askujt kontributin për liri. Atë që ia njeh ligji e meritojnë. Mos u ankoni pasi është bërë ligji. Nëse dikush nuk është veteran atëherë duhet të merret ligji me të. Nëse është dikush 27 vjeçar sot e veteran, është i paligjshëm e duhet ta gjejë prokuroria, pse ka hy dhe kush e ka shti. Por në Dukagjin të thuhet se kanë hyrë shumë e s’kanë qenë në luftë, është marre për ata që flasin. Njerëzve prej Bllacës e Stankovecit nuk iu takon të flasin kush ka qenë në luftë në Dukagjin. Qysh po e di ai kush ka qenë në luftë? Unë tregoj se nuk e kam lëshuar kurrë luftën. Në Dukagjin i madh e i vogël, në qindra vendbanime, kanë qenë në luftë, nga njëqind njerëz të armatosur. E kanë fituar të drejtën me ligj. Është dashur të mendohej me kohë se a do t’i dalim zot të drejtës së tyre, por jo të çohet një pishpirik të ofendojë kontributin e tyre”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj në vend të gabuar

Image
Gazmend Islami

Lidhur me këtë ka folur për “Bota sot”, publicisti Gazmend Islami, i cili nuk e sheh Haradinajn si adekuat për pozitën që është. Ai thotë se Haradinaj nuk mund t’i kontrollojë emocionet e veta, e lëre më një shtet me probleme si Kosova. Islami ia kujton Haradinajt se në çdo shtet ku ka luftë, ka edhe emigrantë që largohen nga aty.

“Ramush Haradinaj si kryeministër është në pozitën e gabuar. Kur ai nuk mund t’i kontrollojë emocionet e veta dhe shprehet në atë gjuhë fyese para publikut, si mund ta kontrollojë një shtet me shumë probleme siç është Kosova. Haradinaj duhet ta dijë se në asnjë vend të botës ku zhvillohen luftërat, nuk marrin pjesë e gjithë popullsia e vendit. Disa bashkohen në ushtri, disa largohen si emigrantë. Nuk është e thënë që të gjithë të largohen. Ramushi e di shumë mirë se po ata civilë e sollën NATO-në në Kosovë, siç është rasti i masakrës së Reçakut, ku pas raportimit të Wollker-it, u bind SHBA se duhet të ndërhyjë në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas Islamit, Haradinaj nganjëherë mendon se është në odë të Gllogjanit duke e përdorë atë fjalor, ndërsa shprehet se i ka ditët e fundit në qeveri.

“Haradinaj është nën stres, pasi çdo ditë e re, është një ditë e fundit për të si shef i qeverisë. Haradinaj po e rrëzon vetën nga qeveria. Këtë ai po e bënë që nga fillimi, ku ofendimet e tij nuk kanë të ndalur. Ai nganjëherë po mendon se është në odë të Gllogjanit”, ka shtuar ai.

“Haradinaj dikur i shante ‘Komandantët e Bllacës’”

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa analisti politik Faik Krasniqi, thotë për “Bota sot”, se Haradinaj po mundohet përmes akuzave ndaj të tjerëve t’i fsheh manipulimet me listat e veteranëve.

Ai shprehet se Haradinaj nuk e ka gjatë në pozitën si kryeministër.

“Dikur Haradinaj akuzonte rënd të ashtuquajturit ''Komandantët e Bllacës''. Madje i shante edhe me nënë. I njëjti për të mbuluar pisllëqet që i kanë bërë me pesë fishimin e numrit të veteranëve, po shan dhe vjellë vrerë ndaj çdo kujt që e akuzon për këto mashtrime që i kanë bërë. Prokurorin Blakaj dhe liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtin. Edhe popullin me fjalët më të rënda. Por edhe për skandalet dhe premtimet e parealizuara. Kjo tregon që kryeministri Haradinaj e ka humbur kontrollin, dhe një kryeministër që e ofendon popullin e tij dhe e humb kontrollin, ai nuk e ka gjatë”, theksoi Krasniqi.

Fjalori abuzues i Haradinajt

Image
Faton Mehmeti

E analisti tjetër, Faton Mehmeti thotë se gjuha e Haradinajt është e papranueshme, e këtë ai po e bënë që kur ka ardhur në qeveri.

“Gjuha komunikatave e kryeministrit është e papranueshme, dhe si e tillë ajo nuk përfaqëson personalitet të formuar te një individ. Që nga ardhja e tij në pushtet e deri më sot, në vazhdimësi Ramushi ka përdorur një fjalor abuzues, fyes dhe kërcënues ndaj mediave, kundërshtarëve politikë dhe qytetarëve të vendit”, potencon Mehmeti.

Ai Haradinajn e quan “çoban i Gllogjanit” që nuk e ka vendin në qeveri.

“Derisa kryeministri fyen të dëbuarit nga Kosova në Bllacë, harron se ndërhyrja e NATO-së ishte humanitare për të dëbuarit në Bllacë, falë cilëve Ramushi edhe sot është kryeministër. Është ofenduese dhe e papranueshme të fyesh një popull të përndjekur, dhe ndaj së cilit ndërhyri NATO-së. Sa për Ramushin sot Serbia do ishte në Kosove. Një fyerje të tillë shqiptarëve në Bllacë iu kishte bërë Shesheli, ndërsa Ramushi po ngjan në këtë aspekt me të. Qytetarët duhet ta dëbojnë Ramushin nga qeveria e ta çojnë në Gllogjan, aty ku e ka vendin çobani i Gllogjanit”, përfundon Mehmeti për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...