Atdheu thërret përsëri!

Politika

Atdheu thërret përsëri!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 29 gusht 2018 Në ora: 23:19
Protestë e kaluar në Kosovë

Ditët që po vinë e që nuk kanë mbetur shumë, janë tëmbushura me ankth për të gjithë qytetarët e vendit, pasi zyrtarisht është në tavolinë cenimi i integritetit territorial të Kosovës përmes marrëveshjeve “të dhimbshme” ashtu siç i quante presidenti, i cili është i përfshirë në këtë vëmendje së bashku me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq.

I gjithë populli i Kosovës shpresat i patën nën ombrellën e SHBA-ve dhe Evropës duke u ndjerë të sigurt, mirëpo që të dyja po e lënë fatin e Kosovës në dorën e Thaçit dhe Vuçiq, por, edhe në dorën e qytetarit të këtij vendi.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq, përmes diplomacisë së tyre tinzare, po bëjnë fushatë qe shumë muaj rresht te Bashkimi Evropian, që t’i lë të “qetë” për marrëveshjet e tyre që do t’i nënshkruajnë shumë shpejt. “Ne nuk jemi djem problematikë, ne po përpiqemi të bëjmë një marrëveshje”, ishin fjalët e Thaçit para shumë zyrtarëve Evropian në Austri.

Tani, gjithçka është në dorën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, me theks të veçantë opozitës së Kosovës të cilët 3 ditë para takimit Thaçi-Vuçiq, do të tentojnë t’i japin një goditje përfundimtare Hashim Thaçit që të mos e shpalosë në tavolinë çështjen e kufijve.

Veçanërisht Lëvizja Vetëvendosje si parti më e votuar në vend në zgjedhjet e qershorit 2017, në krye me liderin më të votuar Albin Kurtin, duhet ta marrin në dorë primatin në rrugën për shpëtimin nga Hashim Thaçi dhe marrëveshjet e dëmshme të tij. Albin Kurti është votuar të veprojë politikisht dhe ai duhet ta bëjë këtë, mençurisht dhe në dobi të shtetit. Hapësirën e veprimit sa më parë duhet ta gjejë vet e të mos mjaftohet sot me deklarime e komunikata dhe eventualisht nesër me arsyetime banale se s'ka pas hapësirë veprimi. Krah Vetëvendosjes do të jetë padyshim edhe LDK-ja dhe disa parti tjera.

Por, arma kryesore sigurisht që do të jetë populli i Kosovës në këtë luftë të papritur. Natyrisht, nëse di të veprojë. Atyre iu duhet një udhëheqës i duhur në këtë betejë, që përmes protestave masive të jenë të pranishëm nëpër rrugët e kryeqytetit për t’i treguar jo vetëm Thaçit, por edhe të gjithë atyre shteteve që kanë dhënë dritën e gjelbër për marrëveshje me Serbinë, se këtu në Kosovë ka ende atdhedashës, patriotë e familje të dëshmorëve, që nuk e lanë fatin e Kosovës në një njeri që e i sjellë dëme shtetit të vet për arsye të veta personale.

Jo vetëm shqiptarët që jetojnë në Kosovë, por e gjithë mërgata duhet të organizohet për ta ndihmuar Kosovën në këto ditë të vështira. Ata duhet ta kuptojnë se Kosova është në gjendje më shqetësuese sesa në vitin 1999, dhe mobilizimi duhet të jetë si atëherë, por jo me mjete materiale, por të jenë të gjithë fizikisht për ta mbrojtur Kosovën. Këtu po humbet territori përmes një letre të nënshkruar nga dy persona që njëri prej tyre nuk ka as mandat kushtetues, por ka grabitur këtë përgjegjësi për të shpëtuar vetën nga Gjykata Speciale.

Sfidat që na presin brenda 8 ditëve që po vinë, nuk kanë qenë asnjëherë më serioze që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, madje edhe që nga lufta e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat