Nisin lëkundjet e koalicionit qeverisës, shkak ideja e Thaçit

Politika

Nisin lëkundjet e koalicionit qeverisës, shkak ideja e Thaçit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 30 gusht 2018 Në ora: 20:15
Qeveria PANA-Lista serbe

Çështja e "Korrigjimit të kufirit", të cilën është duke e promovuar Presidenti i vendit Hashim Thaçi,  mund t`i prishë partnerët e koalicionit qeverisës.

Përderisa NISMA dhe AAK kanë dalë kundër Thaçit dhe idesë për korrigjimin kufirit, PDK-ja nga ana tjetër, ka kërkuar mbështetje për Hashim Thaçin. 

Haxhiu: NATO e ka vendosur gjendjen dhe përkufizimin territorial të Kosovës

Image
Teuta Haxhiu

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu ka pohuar se lëvizja e kufijve, do të thotë luftë e re në Ballkan. Për këtë, sipas saj duhet të jen të gjithë të vetëdijshëm, pasi Kosova është shpallur e Pavarur dhe është njohur ndërkombëtarisht me këtë territor.

Ajo ka vlerësuar se lufta e përbashkët e UÇK-së dhe NATO-s e ka vendosur gjendjen dhe përkufizimin e saj territorial. 

“Hapja e diskutimeve kundër këtij realiteti për tërësinë tonë territoriale e ndryshon këtë gjendje, këtë realitet. Prandaj është e papranueshme për popullin e saj, pasi askush asnjëherë nuk e ka këtë të drejtë. Këtë të dejtë nuk e ka as presidenti Thaçi dhe askush tjetër. Kosova kjo që e kemi ndërtuar të gjithë, me mund të madh me djersë e me gjak, sot është demokratike  dhe i ka institucionet “, ka thënë deputetja Haxhiu.

Ndërsa, deputeti i Nismës Milaim Zeka, ka thënë se, të gjitha partitë, pozitë dhe opozitë nuk po flasin për të ardhmen e vendit, por vetëm për vota.

Image
Milaim Zeka

“Ne duhet të kërkojmë qartësi në deklaratat e presidentit, po jo vetëm ta kundërshtojmë sa për sy e faqe. Duhet të jemi bashkë rreth temave që janë interes kombëtar, e jo të flasim vetëm pse Thaçin nuk e durojmë organikisht. A mendoni se po i hanë palla Thaçit se çfarë po themi ne a? Aspak. Pse? Sepse nuk ka as pozitë, e as opozitë të bashkuar dhe që marrin vesh për dy gjera: 1. Çka është shteti?! Dhe 2 çka është kombi?! Ne nuk transmetojmë askund këto dy interesa, pasi hajnia është bërë kulturë kombëtare. Por a mundet hajni ti kuptojë edhe me mbrojte këto dy interesa jetike të një vendi?! Jo. Kurrë jo”, ka thënë Zeka.

Ahmeti: Prishja partneritetit qeverisës më shumë është në dorën e PDK-së

Kurse analisti politik Hidajet Ahmeti, ka thënë se është  faktike se ka fërkime politike në mes partnerëve të koalicionit, por këto thumbime përmes deklaratave politike kanë  qenë prezentë që nga fillimi i koalicionit qeverisës dhe do të vazhdoj deri aty ku përfundojnë interesat reciproke të partnerëve të koalicionit. 

Image
Hidajet Ahmeti

“Gjykoj se prishja e këtij partneriteti qeverisës më shumë është në dorën e PDK-së, kurse partitë tjera të koalicionit qeverisës janë reduktuar vetëm në paterica të PDK-së. Edhe ashtu, nëse kthehemi në retrospektivë  shohim se PDK ka qenë motori kryesor, e cila ka determinuar koalicionet qeverisëse, por edhe prishjen e tyre”, ka thënë analisti politik Ahmeti.

Sipas tij, në momentin kur PDK-ja e kupton se ka një terren të përshtatshëm për të shkuar në zgjedhje, patjetër se do ta gjej një shkak për ta quar  vendin në zgjedhje.

“Deklaratat e pakoordinuara të koalicionit qeverisës japin mesazh shumë të keq në opinionin publik, pasi shihet qartë se nuk kemi një integrim të brendshëm qeverisës sipas vijës hierarkike, dhe të cilat fërkime politike janë garanci e keqqeverisjes, dështimit  dhe jetës së shkurtër të këtij koalicionit qeverisës”, është shprehur Ahmeti.

Opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se opsioni i Hashim Thaçit dhe i PDK-së, për të ashtuquajturin "Korrigjimi i Kufirit" sipas deklaratave të fundit që vijnë nga AAK-ja dhe NISMA, lë për të kuptuar se ka një thyerje në mes partnerëve të koalicionit qeverisës. 

Image
Nexhat Haziri

“Sa i përket këtij opsioni këtë kundërshtim të opsionit të "korrigjimit të kufirit" deri në fund pres ta mbajnë qëndrimin e njëjtë NISMA, por jo edhe AAK-ja, për shkak se kjo e fundit udhëheq qeverinë, dhe se për kryeministrin Haradinaj, ky post është mbi çfarëdo interesi të vendit dhe të qytetarëve, kështu që AAK-ja në ditët e ardhshme edhe mund ta zbus qëndrimin e saj në raport me opsionin e presidentit Thaçi për "korrigjimin e kufirit" me Serbinë, që do të thotë ndarje të Kosovës. Por ky është një moment i mirë për opozitën, e cila tashmë nga retorikat boshe do të duhet të kthehet në veprime për t’ia pamundësuar presidentit Thaçi që ta qojë përpara agjendën e tij që është anti kushtetuese, çoftë përmes kuvendit të Kosovës por edhe përmes protestave në rrugë”, ka thënë Haziri.

Burjani: Gjasat janë shumë të vogla për të arritur më tepër me këtë koalicion

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani ka thënë se ky partneritet është de fakto i prishtë, veç se ende nuk ka prishje formale.

Image
Blerim Burjani

“Edhe pse zërat po shtohen në drejtime negative të këtij klani PAN, megjithatë PDK ende nuk ka një qëndrim tjetër për këtë kohë. Për të provuar dhe për të bërë edhe ndonjë zgjidhje tjetër siç është rasti i asociacionit , përparimi në relacion me zgjidhje përfundimtare me Serbinë, gjasat janë shumë të vogla për të arritur më tepër me këtë koalicion, pasiguri e madhe dhe konfuzitet ka krijuar edhe Thaçi me lojën e tij te zakonshme propozoi në top media një jave apo dhjetë e në fund asgjë”, ka thënë Burjani.

Sipas tij, sjelljet e Thaçit të kësaj natyre kanë bërë që të shpërfaqen shumë pa siguri konfuzitet e mashtrim.

“Nxitja e temave personale dhe vetanake të tija pa konsultim me kuvendin është tepër absurd dhe i vështirë deri në fund për të menaxhuar këtë gjendje në të cilën gjendet vendi. Por, problemi më i madh është se në duart të kujt të shkojë qeverisja e shtetit? Pra është larg çdo gjëje që shteti të ketë një qeveri normale, profesionale të përgjegjshme për veprimet e veta dhe jo për aventura , nxitje dhe tema tjera që janë të natyrës artificiale”, ka thënë Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat