Kosova po sakrifikohet për “lëkurën” e Thaçit dhe integrimin e Serbisë

Politika

Kosova po sakrifikohet për “lëkurën” e Thaçit dhe integrimin e Serbisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 31 gusht 2018 Në ora: 07:43
Hashim Thaçi

“Lëvizjet e Hashim Thaçit në relacion me bisedimet me Serbinë shkojnë në drejtim të ndarjes së Kosovës, gjë që  është shumë e dëmshme, por edhe e rrezikshme. Epilogu është i ditur se çon ujë në mullirin e Serbisë, por edhe aspekti zgjidhjes së asociacionit po ashtu i dëmshëm dhe i rrezikshëm. Pra, ky njeri e ka vënë Kosovën me shpatulla për muri duke e vënë  të zgjedhë në mes dy të këqijave, krejt kjo për të shpëtuar nga Gjykata Speciale”, ka  deklaruar Drita Millaku nga Lëvizja Vetëvendosje.

Marrëveshja  e Kosovës me Serbinë për ndryshim kufijsh është e ndërlidhur me fatin e Presidentit Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale, thotë Lëvizja Vetëvendosje dhe analistët politikë.

Ata shprehen se Presidenti është duke negociuar me Serbinë vetëm që t’i shpëtojë Gjykatës Speciale.

Presidenti Hashim Thaçi, të shtunën në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, ka prezantuar idenë për “korrigjimin e kufijve” në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ideja e tij është kundërshtuar përsëri nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ka deklaruar se kishte biseduar edhe me presidentin Donad Trump për Kosovën.

Kundërshtimet

Ajo ka thënë se ata mbështesin marrëveshjen Kosovë- Serbi, mirëpo integriteti territorial për momentin është mall i çmuar.

"Ne natyrisht mbështesim të gjithë bisedat që mund të çojnë në qëllimin, por në të njëjtën kohë themi se integriteti territorial ashtu siç është momenti është një mall i çmuar", ka thënë Merkel.

Ndërkaq, me përjashtim të ish- partisë së Presidentit (PDK), që ende nuk kanë shprehur qëndrim konkret për idenë e tij, partitë tjera në pozitë dhe ato opozitare në Kosovë janë kundër idesë për ndryshim kufijsh. Madje, Lëvizja Vetëvendosje e quan Kosovën kurban për integrimin evropian të Serbisë dhe për çintegrimin e Thaçit nga Gjykata Speciale.

 “Kosovën po duan ta bëjnë kurban për integrimin evropian të Serbisë dhe për çintegrimin e Thaçit nga Gjykata Speciale. Vuçiqi do marrëveshje fitimtare për Serbinë, që ta fitojë bindshëm referendumin për ndryshimet kushtetuese atje. E tillë mund të jetë vetëm një marrëveshje fort e keqe për Kosovën. Por, Vuçiqit edhe po i ngutet, sepse: 1) Thaçi do t’i bëhet i papërdorshëm porsa ta akuzojë Gjykata Speciale; 2) Mogherini mbyll zyrën para fushatës për zgjedhjet evropiane të Majit 2019; 3) Marrëveshja duhet bërë gjersa Kosova ende nuk ka ushtri dhe Lëvizja jonë ende s’është qeveria e re”, ka shkruar kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti në profilin e tij social Facebook.

Takimi i radhës në mes të Presidentit Hashim Thaçi dhe Presidentit Aleksandër Vuçiq, do të mbahet më 7 shtator, ndërsa partitë opozitare kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme para takimit.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme partitë opozitare po kërkojnë të votohet një rezolutë, për siç kanë thënë ata të mbrohet integriteti territorial.

E kryeministri Haradinaj, tha se nëse rezoluta e propozuar nga opozita e ka pikën që të mos ndryshojnë kufijtë e territori, do të votohet nga partia e tij.

“Nëse është vetëm një pikë në rezolutë, që mos me ndryshu kufijtë e territorit, e ka votën time sot e nesër e në çdo kohë”,  ka thënë Haradinaj.

Arsyetimet e Thaçit

Ndërsa, presidenti Thaçi vazhdon t’i konsiderojë fake news, deklaratat për ndarje apo shkëmbim territoresh.

Ai thotë se është për bashkangjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës si tërësi me Kosovës, duke shtuar se nuk ka ndarje e as shkëmbim territoresh.

“Po bashkëngjitjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si tërësi me Kosovën. Po njohjes reciproke Kosovë - Serbi dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe organizata ndërkombëtare. Jo ndarje, jo shkëmbim territoresh. Të tjerat fake neës”, shkruan Thaçi në Facebook.

Por, lëvizjet e Thaçit, sipas Vetëvendosjes vazhdojnë të shkojnë në drejtim të ndarjes së Kosovës.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për “Bota sot”, se lëvizjet e Thaçit në relacion me bisedimet me Serbinë janë të rrezikshme.

Image
Drita Millaku

Millaku: Ky njeri e ka vënë Kosovën me shpatulla për muri

Millaku ka pohuar se, Thaçi e ka vënë Kosovën “me shpatulla për muri”, duke e vënë të zgjedhë në mes të dy të këqijave dhe e gjitha kjo për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale.

“Lëvizjet e Hashim Thaçit në relacion me bisedimet me Serbinë shkojnë në drejtim të ndarjes së Kosovës, gjë që  është shumë e dëmshme, por edhe e rrezikshme. Epilogu është i ditur se çon ujë në mullirin e Serbisë, por edhe aspekti zgjidhjes së asociacionit po ashtu i dëmshëm dhe i rrezikshëm. Pra, ky njeri e ka vënë Kosovën me shpatulla për muri duke e vënë  të zgjedhë në mes dy të këqijave, krejt kjo për të shpëtuar nga Gjykata Speciale”, ka  deklaruar Millaku.

Marrëveshja me Serbinë dhe Gjykata Speciale, sipas Millakut, ka emërues të përbashkët, e ai është Hashim Thaçi.

Ajo ka vazhduar të potencojë se, Thaçi punon për interesat e Serbisë, përmes shërbimeve sekrete franceze.

“Dëshiroj të ceki se në kombin tonë historikisht na përsëriten situata të tilla dhe ne nuk po vëmë mend. Pra lidhja kauzale në mes të marrëveshjes me Serbinë dhe Gjykatës Speciale ka emërues të përbashkët Hashim Thaçin. E kam potencuar disa herë se Thaçi punon për interesa të Serbisë dhe atë nëpërmjet të shërbimeve sekrete franceze. Pra koordinimin në mes Vuçiqit dhe Thaçit kalon nëpërmes shërbimit francez, i cili historikisht ka punuar në favor të Serbisë”, ka shtuar Millaku.

Edhe analistët politikë kanë konsideruar se Thaçi dëshiron të bëjë marrëveshje me Serbinë në mënyrë që t’i shpëtojë Gjykatës Speciale.

Ata madje kërkojnë protesta nga qytetarët për të parandaluar ndryshimin e kufijve.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Në Bruksel dhe Austri po copëtohet Kosova

Analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se Kurti ka të drejtë kur thotë se Kosova po bëhet kurban për integrimin e Serbisë dhe fatin personal të Thaçit.

Mehmeti  ka pohuar se, në marrëveshjen me Serbinë po negociohet fati i një njeriu në shkëmbim të territorit të Kosovës, i cili sipas tij, është në rrezik të madh të tkurrjes.

“Hashim Thaçi fatin e tij personal e ka lidhur mishërisht me viktimizimin e Kosovës, duke bërë çdo gjë që të shpëtojë nga Gjykata Speciale. Në marrëveshjen me Serbinë po negociohet fati i një njeriu, në shkëmbim të territorit të Kosovës, i cili është në rrezik të madh të tkurrjes. Mendoj se Albin Kurti ka të drejtë kur thotë se Kosova po bëhet kurban për integrimin e Serbisë, si dhe fatin personal të Thaçit”, ka deklaruar Mehmeti.

Në Bruksel dhe në Austri po copëtohet Kosova, ka thënë Mehmeti, gjersa ka shtuar se Serbia është duke marrë maksimumin e mundshëm.

“Nga e gjithë kjo situatë fituese është Serbia, ndërsa Kosova vetëm se po humbë në të gjitha aspektet. Fatkeqësisht Kosova po përdoret nga Thaçi si mburojë personale me një opozitë të heshtur dhe krejtësisht e përgjumur.  Besoj se në Bruksel dhe Austri po copëtohet Kosova, derisa Serbia po merr maksimumin e mundshëm”, ka theksuar Mehmeti.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi: Presidenti duket se ka marrëveshje të fshehura me Serbinë

Edhe, analisti politik Jeton Kelmendi është duke u pajtuar me deklaratën e kreut të VV-së, i cili thotë se Thaçi e bënë Kosovën kurban për integrimin e Serbisë.

Ai i konsideron të natyrshëm shqetësimin qytetarë, duke sugjeruar se ata duhet të çohen në protesta.

“Deklarata e Albin Kurtit kur thotë se Hashim Thaçi e bënë Kosovën kurban për integrimin e Serbisë është plotësisht e vërtetë. Është më se i natyrshëm shqetësimi qytetar dhe me të vërtetë është shqetësuese, një protestë do të ishte më se normale, është mënyrë demokratike për të protestuar dhe natyrisht nuk duhet të mbahet në pushtet ai, qytetarët nëse duan ta ruajnë shtetin duhet të ngriten në protesta”, ka pohuar Kelmendi.

Thaçi bënë pazare me Serbinë, ka thënë Kelmendi, duke i konsideruar ato pazare të liga në mënyrë që t’i shpëtojë Gjykatës Speciale.

“Përfundimisht ai ka pazare me Serbinë dhe shihet që pazaret me Serbinë janë shumë të liga, ai dëshiron t’i shpëtojë Gjykatës Speciale. Veç saj, Presidenti duket se ka marrëveshje të fshehura me Serbinë, duke që e kaluara e tij është shumë e zymtë dhe realisht Kosova nuk ka qenë asnjëherë në një situatë të tillë. Deklarata e Kurtit duhet të merret shumë seriozisht”, ka përfunduar Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat