Gecaj thotë se qeveria Haradinaj përbëhet nga matrapazë

Politika

Gecaj thotë se qeveria Haradinaj përbëhet nga matrapazë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 2 shtator 2018 Në ora: 11:54

Zyrtari i Lidhjes Demokratike, Bajram Gecaj, i ka thënë “Bota sot” se qeveria aktuale përbëhet nga matrapazë me qëllim të realizimit të aspiratave individuale, grupore e klanore. Ai mendon se dëshira e madhe Haradinajt për t’u bërë kryeministër dhe ajo e Thaçit për t’u bërë sundimtar autokrat, ka qenë shkas që këta të dy janë bashkuar.

“Që nga fillimi kjo qeveri, e cila për kumbarë e ka pasur Hashim Thaçin, ka qenë fund e krye qeveri matrapazësh me qëllim të realizimit të aspiratave individuale, grupore e klanore. Pra, qëllimi kryesor që në start ka qenë që të realizohet fiksimi i Ramush Haradinajt për t’u bërë kryeministër dhe aspirata e Hashim Thaçit për t’u shndërruar në sundimtar autokrat. Këto synime nuk guxojmë t’i lejojmë të thellohen, sepse pastaj e kemi të vështirë të kthehemi prapa në normalitet pa pasoja serioze për të ardhmen e këtij vendi”, është shprehur Gecaj.

Image
Bajram Gecaj

Ai këtë qeveri e quan të përkohshme që duhet të ik sa më parë, ndërsa thekson se e vetmja gjë që i lidhë këta qeveritarë, është interesi i tyre i kundërligjshëm.

“Kjo nomenklaturë, të cilën unë e quaj QPK 2 (Qeveria e Përkohshme e Kosovës), duhet të ik sa më parë, përndryshe do të hyjmë thellë e më thellë në kriza të pakthyeshme. E vetmja gjë që i lidhë këta qeveritarë, është interesi i tyre i kundërligjshëm, dhe ne kësaj duhet t’i japim fundin sa më parë”, ka theksuar Gecaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat