Thaçi “varrosi” çështjen e krimeve të luftës

Politika

Thaçi “varrosi” çështjen e krimeve të luftës

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 3 shtator 2018 Në ora: 07:59
Hashim Thaçi

Aktualiteti i zhvillimeve rreth prekjes së kufirit përmes termave të presidentit Thaçi siç janë “korrigjim”, “ndarje” dhe “shkëmbim” në dialogun me Serbinë në Bruksel, përveç që janë të rrezikshme për Kosovën, po lënë anash edhe çështjet e rëndësishme për Kosovën, siç është diskutimi i krimeve të luftës me Serbinë, shkruan “Bota sot”.

Madje, në bisedimet e Brukselit është harruar edhe çështja e të pagjeturve, gjë që Serbia po tenton ta heshtë. Por, si do që të jetë, nevoja për diskutimin rreth krimeve të luftës duhet të ndodhë patjetër, pasi Kosova fiton politikisht pikë para BE-së, duke i treguar asaj dhe të gjithë botës se Serbia nënkupton një shtet kriminelësh. Gjithsesi, kjo duhet të përcillet me kërkim-falje nga Serbia dhe dëmshpërblime për ato krime.

Pengesë kryesore brenda Kosovës për këtë, po është presidenti Thaçi, i cili dialogun në Bruksel po e sheh vetëm për arritjen një marrëveshje eventuale, e cila prek kufijtë e Kosovës, duke harruar tema tjera të rëndësishme për vendin.

Islami: Me një marrëveshje ku preken kufijtë e Kosovës, krimet e luftës nuk do të diskutohen asnjëherë

Image
Gazmend Islami

Lidhur me këtë ka folur për “Bota sot” publicisti Gazmend Islami, i cili thotë se Thaçi është duke u futur në një rrugë pa kthim, duke theksuar se me një marrëveshje ku preken kufijtë e Kosovës, krimet e luftës nuk do të diskutohen asnjëherë.

“Hashim Thaçi vazhdimisht është duke u futur thellë më thellë në rrugën që nuk  ka kthim e që do i kushtojë shumë. Ai po harron që në Kosovë ka shumë familje të dëshmorëve që ende e kanë plagën e hapur nga krimet që i ka bërë Serbia gjatë luftës. Me një marrëveshje ku preken kufijtë e Kosovës, krimet e luftës nuk do të diskutohen asnjëherë”, ka thënë Islami.

Ai tutje ka shtuar se, bisedimet për krime të luftës është dashur të bëhen moti, ndërsa ka theksar se populli duhet ta ndalë Thaçin para se të jetë vonë.

“Është dashur shumë moti që çështja e krimeve të luftës të bisedohet në Bruksel dhe të kërkohet kërkim falja nga Serbia, si dhe dëmshpërblimi nga ta për masakrat e luftës. Populli duhet ta ndalë Hashim Thaçin para se të jetë vonë, sepse kjo është diçka historike”, ka përfunduar Islami për “Bota sot”.

Thaçi e ka futur edhe dialogun në qorrsokak

Image
Enver Bytyçi

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, ka thënë për “Bota sot”, se debati për këmbim territoresh, për korrigjim kufijsh dhe ndarjen e Kosovës ka dëmtuar imazhin e vendit, ndërsa thekson se Thaçi e shndërroi pas gati 30 vitesh problemin e Kosovës në një problem serb.

“Debati për këmbim territoresh, për korrigjim kufijsh dhe ndarjen e Kosovës ka dëmtuar imazhin e vendit, ka dëmtuar pozicionin e Kosovës në raport me faktorin ndërkombëtar si dhe ka shkatërruar linjat e diskutimit në këtë dialog me Serbinë. Kjo do të thotë se Beogradi me këtë diskutim të sajuar e të mbështetur me militantizin e Shejshelit nga ana e Hashim Thaçit I ka arritur që tani objektivat e veta, edhe nëse heq dorë nga ndryshimi i kufijve. Tashmë Kosova është në krizë vendimmarrjeje. Krerët politikë të saj janë në konflikt të hapur me njëri-tjetrin, sepse opsioni i ndarjes i ideuar nga Vuiçiq dhe Edi Rama dhe i mbrojtur me aq zell nga Hashim Thaçi i kanë ndarë ata. Në këto kushte, kur presidenti manovron me mashtrime dhe triblime të ditë përditshme dhe ka autoritet mbi politikën e Kosovës, nuk është e lehtë që të rikompozohet një grup tjetër dialogues. Kjo do të thotë se Thaçi e ka futur edhe dialogun në qorrsokak. Dhe kam përshtypjen se gjithçka e ka bërë qëllimisht, sipas një skenari të përgatitur në Tiranë dhe në Beograd. Prandaj kanë dalë jashtë agjendës së dialogut tema të tilla krimet e luftës, kërkesa për dëmshpërblim dhe për kërkim ndjese publike e kështu me radhë. Duhet të kuptojmë se zoti Thaçi e solli Serbinë përsëri në Kosovë. Ai e shndërroi pas gati 30 vitesh problemin e Kosovës në një problem serb. Kosova ishte prej vitit 1989 një problem ndërkombëtar, ndërsa propozimet e Thaçit për ndryshim të kufijve e kanë shndërruar problemin e Kosovës në një problem serb, për të cilin do të kujdesen tre çakej, Fredirca Mogherini, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq”, është shprehur Bytyçi.

“Në këto kushte askush nuk pret të flitet për ndonjë krim serb në Kosovë”

Ai ka thënë se në këto kushte nuk pritet të flitet për çështjen e krimeve të luftës në Kosovë, pasi sipas tij, këtë e “varrosi” presidenti Thaçi.

“Në këto kushte askush nuk pret të flitet për ndonjë krim serb në Kosovë, për faje dhe gjenocid serb në Kosovë, për 1650 të zhdukurit shqiptarë, të cilët ende sot janë pa varr. Këto çështje i varrosi përgjithmonë presidenti i vendit, ai që do të duhej të ishte në krye të agjendës së tillë për të zbutur sado pak dhimbjen e nënave dhe vëllezërve e motrave të atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Është situatë shumë e rëndë. Kjo që ka ndodhur këto muaj me autorësinë e presidentit të Kosovës është e paimagjinueshme”, ka shtuar Bytyçi.

Burjani: Dëmshpërblimi është problematik

Image
Blerim Burjani

Ndërsa njohësi i çështjeve politike në vend, Blerim Burjani thotë për “Bota sot” se, Thaçi është njeri që i nxit temat për pak javë, pastaj ato harrohen menjëherë pasi që hedh një temë tjetër para publikut.

“Po dalin tema që jo rrallë Thaçi i nxit si tema, e pas dy jave harrohen plotësisht, tash ky njeri rrinë në top media të lajmeve rreth dy javë dhe pastaj e harron, ideja për te nxit tema është karakteristikë e Thaçit, pastaj ngadalë tërhiqe. Ky pështjellim i bërë nga ky njeri ka nxitur diskutime të kota se në Kosovë, po ashtu në bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Burjani.

Ai shton tutje se për diskutimin e kufijve ka ende kohë, kurse thekson se dëmshpërblimi nga Serbia është problematik.

“Për kufijtë ka ende shumë kohë, njëherë marrëveshje, mendoj se kufijtë ekzistues janë të vetmit, pra në mes Kosovës dhe Serbisë këta kufij nga viti 1974 duhet të shkruhen, dhe ky duhet të jetë fundi i dialogut. Dëmshpërblimi është problematik, se për të ndodhe kjo, Serbia duhet të pranojë se ka bërë krime, dhe shkatërrime, në të kundërtën Serbia nuk do të pranoj dialog asnjëherë për tema të tilla”, ka potencuar Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat