Opozita në mbrojtje të sovranitetit, kundër Hashim Thaçit

Politika

Opozita në mbrojtje të sovranitetit, kundër Hashim Thaçit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 4 shtator 2018 Në ora: 07:48
Foto ilustruese

“Kur vjen te mbrojtja e interesave vitale të këtij vendi siç është sovraniteti, integriteti dhe rendi kushtetues do jemi një. Dallimet krahinore, religjioze, profesionale, ideologjike, e partiake do mbesin në rend të dytë para rrezikimit të çfarëdo arsyeshëm dhe nga çdo rrezik i brendshëm apo i jashtëm të shtëpisë sonë të përbashkët të quajtur Kosovë”, është shprehur deputeti Haxhi Avdyli.

Thirrjet për të ndalur presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi nga ideja e tij për korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë të ndalur.

E, për një pjesë të opozitës, protesta po konsiderohet si forma e vetme për t’i thënë përfundimisht mjaftë kreut të vendit.

Është kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që duke komentuar korrigjimin e kufirit, u ka bërë thirrje anëtarëve të partisë së tij, që të mobilizohen pasi në ditët dhe javët e ardhshme do të vendosen në krye të protestave qytetare dhe paqësore për siç ka thënë “ta ndalur krimin që po i bëhet Kosovës dhe popullit tonë”.

Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, ka thënë se fatkeqësisht Kosova po kalon në një moment të vështirë.

“Një udhëheqësi e kapur dhe e kriminalizuar, e udhëhequr nga Thaçi, po e nxjerr në shitje territorin e Kosovës për të fituar paprekshmërinë individuale. Ne këtë nuk duhet dhe nuk do ta lejojmë këtë pasi e kemi obligim historik dhe moral. Situata politike është ajo që ka nevojë për forcim të organizatës në ditët dhe javët e ardhshme do të vendosemi në krye të protestave qytetare dhe paqësore për ta ndalur këtë krim që po bëhet ndaj Kosovës dhe popullit tonë”, ka thënë Kurti.

Edhe LDK i janë është përgjigjur pro thirrjes për organizimin e një demonstrate të madhe për ndalimin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Ndërsa, për njohësin e zhvillimeve politike në vend, të gjithë qytetarët duhet të bashkohen kësaj ideje, për të dalë kundër krimit dhe kundër si dhe pazareve që sot po bëhen me sovranitetin.

Millaku: Të çmendurin duhet ndalur

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se për ta ndalur në parlament kreun e shtetit janë deputetët, ndërsa në rrugë janë qytetarët.

Sipas saj, presidenti i vendit është çmendur, dhe sipas saj, i çmenduri duhet ndalet dhe për këtë duhet edhe trajtim psikiatrik.

“Protesta duhet të mbahen jo se ne si Lëvizje Vetëvendosje po dëshirojmë, por se nuk kemi tjetër alternativë. Deputetët në parlament duhet ta ndalin Thaçin, e qytetarët në rrugë, sepse ky njeri është çmendur. Të çmendurin duhet ndalur dhe duhet trajtim psikiatrik. Nuk kemi rrugëdalje tjetër”, ka thënë Millaku.

Tutje, deputetja e Vetëvendosjes ka thënë se në vazhdimësi janë duke u takuar me strukturat e partisë, ndërsa sa i përket partive tjera, ajo ka thënë se nuk ka informacione se a do ta përkrahin.

“Ne si subjekt jemi të gatshëm, jemi duke u takuar me strukturat tona, ndërsa sa i përket subjekteve tjera nuk e di. Por, si duket qytetarët kësaj radhe nuk kanë tjetër zgjidhje, e vetmja mundësi u ka mbetur rruga”, ka përfunduar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku për gazetën “Bota sot”.

Haxhi Avdyli: Angazhimin për ndaljen e çdo të keqe ia kemi borxh kësaj gjenerate

Image
Haxhi Avdyli

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Avdyli,i është përgjigjur pro thirrjes për organizimin e një demonstrate të madhe për ndalimin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se kur duhet të mbrohet integriteti i sovranitetit, integriteti dhe rendit kushtetues do të jemi një.

“Kur vjen te mbrojtja e interesave vitale të këtij vendi siç është sovraniteti, integriteti dhe rendi kushtetues do jemi një. Dallimet krahinore, religjioze, profesionale, ideologjike, e partiake do mbesin në rend të dytë para rrezikimit të çfarëdo arsyeshëm dhe nga çdo rrezik i brendshëm apo i jashtëm të shtëpisë sonë të përbashkët të quajtur Kosovë”, është shprehur deputeti Haxhi Avdyli.

Sipas tij, angazhimi për ndaljen e presidentit Thaçi ia kanë borxh kësaj gjenerate dhe gjeneratave që do të vijnë.

“Këtë angazhim për ndaljen e çdo të keqe ia kemi borxh kësaj gjenerate dhe gjeneratave të ardhshme. Dhe ky angazhim për ndaljen e plan prishësve do jetë pa diskutim i të gjitha formave të njohura demokratike sepse këto pazare me vendin tonë nuk kemi për ti lënë në heshtje për të kaluar”, ka deklaruar deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli për gazetën “Bota sot”.

“Forma e vetme për t’i ndaluar lojërat me shtetin”

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Ali Hertica, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se protestat janë të nevojshme për të paralajmëruar institucionet udhëheqëse.

Image
Ali Hertica

“Thirrja për protesta për gjithë qytetarët nga lideri shpirtëror i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe i gjithë OJQ-ve është obligim qytetar për t’iu bashkuar, ndërsa Kurti ka lënë të kuptojë se do të jetë një protestë paqësore. Një protestë duhet gjithsesi, për ta paralajmëruar Qeverinë dhe të gjitha institucionet që udhëhiqen nga analfabetë dhe pseudopatriotët për ta ndaluar më të keqën për shtetin dhe shoqërinë kosovare”, ka thënë Hertica.

Me tej, ai ka thënë se të gjithë qytetarët duhet të bashkohen kundër krimit dhe kundër dhe pazareve që sot po bëhen me sovranitetin.

“Të bashkohen të gjithë si qytetarë kundër krimit dhe kundër dhe pazareve që sot po bëhen për sovranitetin e Republikës dhe copëtimin e saj nja kjo kastë politike e cila po degradon skajshmërisht vlerën e shtetasin dhe atyre qe u flijuan”, ka thënë ai.

Në fund, Hertica ka thënë se është tani koha për ndryshime rrënjësore nga këta matrapazë, ndërsa, ka theksuar se protesta është forma e vetme për t’i ndaluar këto lojëra me shtetin nga vet Hashim Thaçi dhe klani i tij.

“Një protestë e ka kundërvështrimin e saj për problemet thelbësore që po i paraqiten shtetit nga kjo kastë e brishtë politike ku nuk respekton ligjet dhe qytetarët, por vepron në interesa individuale apo klanore. Jemi apo nuk jemi plotësisht dakord me idetë e saja, sepse tani është koha që të kërkohet llogaria nga kjo qeverisje e mjeranëve, ku nuk ju përmbajtën të gjitha premtimeve elektorale. Tani është koha për ndryshime rrënjësore nga këta matrapazë dhe protesta është forma e vetme për t’i ndaluar këto lojëra me shtetin e Republikës së Kosovës nga vet Hashim Thaçi dhe klani i tij”, përfundoi analisti politik, Ali Hertica për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat