“Kosova është kapur nga injorantë provincialë, që nuk dinë çka është interesi i shtetit”

Politika

“Kosova është kapur nga injorantë provincialë, që nuk dinë çka është interesi i shtetit”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 4 shtator 2018 Në ora: 16:01
Kuvendi i Kosovës

Prej ditësh opozita kishte bërë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për ditën e sotme, e cila u caktua që të mbahej në orën 10:00. Mirëpo mbrëmë, u mblodh kryesia e Kuvendit, e cila me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, thirri për sot në orën 09:00 seancë të jashtëzakonshme, për votimin e Ekipit Negociator për dialogun me Serbinë. Kështu, seanca e opozitës nuk u mbajt dhe opozita nuk mori pjesë në seancën e thirrur nga partitë në pushtet dhe po ashtu deklaroi se nuk do të jetë pjesë e Ekipit Negociator.

Lidhur me këtë, profesori universitar Fadil Maloku, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se kjo “lojë me seanca” siç ai e ka quajtur, është improvizim nga Qeveria për të krijuar pakënaqësi ndaj kërkesës së opozitës për seancë dhe është mjerim t’i dëgjosh këta njerëz se si maskohen me iniciativa të tilla.

Image
Fadil Maloku

“Loja me seancën e Kuvendit”, nga ana e Qeverisë nuk është asgjë më tepër se një improvizim dhe një tentativë për të krijuar satisfaksion politik e pandam moral, ndaj kërkesës së opozitës për seancë të jashtëzakonshme! Është mjerim t’i shikosh e dëgjosh këta njerëz që fodullëkun e tyre e maskojnë me iniciativa të tilla absurde në Kuvendin e Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Malokut, kjo është dëshmi se Kosova është kapur nga injorantë provincialë që nuk e dinë çka është ligji dhe se për ta interesat klanore e personale janë më të rëndësishme se shteti dhe kombi.

“Kjo është edhe një dëshmi shtesë se Kosova, vërtetë është e kapur nga injorantët provincialë që ende nuk kuptojnë dhe nuk dinë, se; çka është vis major i ligjit, institucionit, subordinimit, shtetësisë e interesi kombëtar! Kjo klasë aktuale politike oligarkike, definitivisht po dëshmon që interesat personale, klanore, grupore të tyre, janë shumë më të rëndësishme se sa interesat e shtetit dhe kombit”, ka deklaruar profesori Fadil Maloku për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat