Brezi kufitar në Karaçevë me tre policë, pa veturë zyrtare të Policisë së Kosovës

Politika

Brezi kufitar në Karaçevë me tre policë, pa veturë zyrtare të Policisë së Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 shtator 2018 Në ora: 08:06
Karaçevë

Fshati në brezin kufitar me Serbinë, Karaçeva ka vetëm tre policë që e ruajnë rendin dhe qetësinë e asaj pjese, mirëpo në rast se ndodhë ndonjë ngjarje më larg se stacioni policor ata do të kenë problem të arrijnë me kohë në vendin e ngjarjes, kjo sepse ata duhet të ecin me këmbë.

Policët e Karaçevës nuk kanë veturë zyrtare, përkundër kërkesave të vazhdueshme të Bashkësisë Lokale për furnizim.

Kryetari i Bashkësisë Lokale, Selver Lenjani, ka kritikuar institucionet për këtë, madje ka thënë se ata duhet të turpërohen, sepse Karaçeva është brez kufitar dhe mungesa e veturës së policëve mund të sjellë ndonjë rrezik.

Lenjani: Policët nuk dihet a janë në punë apo jo

Lenjani ka treguar sesi policët e Karaçevës çdo ditë punojnë pa veturë zyrtare, vetëm me veturë private dhe shpesh herë qytetarët nuk e dinë nëse është në punë, apo në pushim.

“Policët e Kosovës në atë pikën kufitare nuk dihet a janë në punë apo jo, ai del me veturë private për ta përfunduar punën e kanë shumë vështirë. Pastaj, as qytetarët nuk e dinë a është në pushim, apo është në detyrë, sepse kur e shohin që dalin me vetura private policin është tmerr, ai shpesh herë në këmbë kryen detyrën e tij”, ka thënë Lenjani.

Ai e quan qeverinë të paaftë për ta furnizuar policinë në atë pikë kufitare, duke thënë se kërkesa e tyre po shkon në vesh të shurdhër.

Lenjani e konsideron të nevojshme një veturë zyrtare, sepse ajo vijë e kufirit është e gjerë dhe e hapur.

Image
Selver Lenjani

“Qeveria e Kosovës nuk është në gjendje ta pajisë këtë pikë kufitare, kjo është vijë e kufirit dhe këtu nevojitet patjetër, është shumë i gjerë dhe i hapur. Atje del për shembull te Ugari, një pjesë është prezenca e xhandarmërisë serbe, pastaj duhet të lëshohet në poshtë te rruga e Breznicës, në këmbë nuk mund t’i arrijë policia. Ne kemi bërë kërkesë, por kërkesë ka hasur në vesh të shurdhër, ne nuk jemi ndalur kemi bërë kërkesë përsëri duke filluar nga Presidenti, Kryeministri, Krye parlamentari, ministri i punëve të brendshme, drejtori i policisë dhe nga drejtoria regjionale. Ka vetura, ka mundësi potenciale që të furnizohet policia”, ka treguar Lenjani.

Vetëm tre policë dhe pa veturë zyrtare

Sipas tij, buxheti i Kosovës ka mundësi që ta pajisë atë anë, sepse Kamenica nuk mund ta bëjë këtë për shkak të buxhetit të limituar.

“Polici ka veshje policore, por pa veturë zyrtare, ai del pa asgjë. Duhet të pajiset ky brez kufitar, kjo Polici, mendoni pak a nuk është turp për qeverinë e Kosovës kjo neglizhencë që kjo Polici të mos furnizohet me veturë zyrtare, pasi brezi kufitar është shumë i ndjeshëm. Unë nuk e di vallë kujt i shkon për shtati kjo kur ka mundësi nga buxheti i Kosovës, nga buxheti i popullit ka mundësi ta pajisin. Asnjëherë nuk janë përgjigjur, komuna e Kamenicës është më e anashkaluar, kryetari nuk ka mundësi buxheti është i limituar”, ka pohuar tutje Lenjani.

Ai shprehet se, përgjegjësitë nuk mund t’i kërkohen policisë së Karaçevës, sepse nuk mund t’i përfundojnë punët në kohë për shkak të mungesës së veturës.

“Është vendim nga Bashkësia Lokale që të pajiset policia e Karaçevës që është pikë raportuese, duhet veturë zyrtare. Besoj që duhet të kuptohet kjo, sepse edhe ai i polic duhet të shkojë i përgatitur. Tre policë janë, të gjithë janë në këmbë, të gjithë shkojnë me vetura private dhe asnjë përgjegjësi nuk i kërkohet policisë së Karaçevës, sepse nuk mund t’i përfundojë punët, nuk mund të vjen në kohën e duhur nëse ka një rrahje, një vjedhje apo rrëmbim, polici vonohet dhe është plotësisht e qëlluar sepse nuk e ka veturën atje në stacion për t’i ndalë në ndihmë banorëve”, ka nënvizuar ai.

Rreziku permanent nga xhandarmëria serbe

Banorët e Karaçevës edhe në të kaluarën kishin shqetësime për prezencën e forcave policore serbe, por edhe tani një gjë e tillë është duke ndodhur.

Lenjani ka thënë se veturat policore serbe ende janë të pranishme.

“Është turp për të gjithë institucionet, nga Presidenti e deri te drejtori pse nuk furnizohet me veturë, ka vetura e dimë këtë. Vetura të policisë së Serbisë ka, ata sillen vazhdimisht e ndonjëherë edhe me vetura civile dhe askush nuk mund ta dijë sepse askush nuk jep përgjegjësi atje është e pakontrollueshme”, ka shtuar Lenjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat