Krasniqi: Në një vend normal zyrtari do të shkarkohej për biseda territoresh

Politika

Krasniqi: Në një vend normal zyrtari do të shkarkohej për biseda territoresh

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 shtator 2018 Në ora: 11:06
Hashim Thaçi

Qeveria e Kosovës dje edhe njëherë e dëshmoi që është një qeveri e pakicës dhe e varur nga votat e Listës serbe.

Gjersa pozita është në pritje për t’i siguruar votat e Listës serbe për ta votuar ekipin negociues, analistët politikë kërkojnë nga opozita urgjentisht të organizohet për protesta që do ta detyronin Presidentin të largohet nga ideja për bisedime territoresh.

Faik Krasnqi, analist politik ka thënë për “Bota sot”, se qeveria e pakicës ka pasur probleme në çdo seancë për votimin e ligjeve.

Ai ka kritikuar kushtetutën dhe Gjykatën Kushtetuese që sipas tij, do të duhej të ishin gardianë të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të shtetit, sepse në një vend normal zyrtari do të duhej të shkarkohej nëse bisedon për territore me shtet tjetër.

Image
Faik Krasniqi

“Kjo Qeveri prej fillimit ka qenë e varur nga votat e Listës serbe sepse është Qeveri e pakicës, dhe në çdo seancë kanë pasur probleme për të votuar ligjet nëse kanë munguar deputetë nga koalicioni qeverisës. Kemi një Kushtetutë dhe një Gjykatë Kushtetuese që do të duhej të ishin gardianë të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të shtetit. Kështu do të duhej të ishte në një vend normal, dhe çdo zyrtar i lartë i shtetit që do bisedonte me ndonjë shtet tjetër për territorin dhe asetet e saj, jo vetëm të shkarkohej por edhe të futej në burg. Por kjo Gjykatë deri më tash nuk na e ka dëshmuar një gjë të tillë. Do të thoja na e ka dëshmuar të kundërtën”, ka pohuar Krasniqi.

Opozita dje kishte bojkotuar seancën e pozitës, madje ata nuk i kanë përjashtuar protestat.

Krasniqi është duke u pajtuar me opozitën dhe mbajtjen e protestave, gjersa thotë se sipas ligjeve ndërkombëtare nëse dy shtete flasin për korrigjim kufijsh, ata fillimisht duhet të njihen.

“ Prandaj opozitës nuk i ka ngelur gjë tjetër veçse të organizojë protesta të mëdha dhe ta detyronin Hashim Thaçin që të hiqet nga ideja për të biseduar për territoret, sepse sipas ligjeve ndërkombëtare nëse dy shtete flasin për korrigjim kufijsh, së pari do të duhej ta njihnin si shtet njëra-tjetrën!”, ka përfunduar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat