Krasniqi: Pa opozitën, Ekipi Negociator është jo-legjitim

Politika

Krasniqi: Pa opozitën, Ekipi Negociator është jo-legjitim

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 5 shtator 2018 Në ora: 20:23
Kuvendi i Kosovës

E thirrur për të martën në ora 09:00 me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, seanca për votimin e Ekipit Negociator për dialogun me Serbinë është shtyrë vazhdimisht, duke mos u mbajtur ende dhe duke u kundërshtuar nga partitë opozitare.

Se a mund të bëhet ky Ekip pa opozitën dhe si komentohet kjo, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ekipi pa opozitën do të ishte jolegjitim dhe se në të duhet të ketë dhe përfaqësues të opozitës.

Image
Faik Krasniqi

“Pa opozitën do të ishte jo-legjitime ekipi i propozuar nga Qeveria që t'i udhëheq negociatat finale me Serbinë. Në atë ekip duhet të ketë përfaqësues edhe nga opozita, dhe të krijohet një plan i detajuar me pika se për çfarë mund të bisedohet me Serbinë, dhe për çfarë s'mund të bisedohet”, është shprehur ai.

Krasniqi ka thënë se Kuvendi duhet të krijojë një Rezolutë, përmes së cilës jep pikat se për çka mund dhe nuk mund të diskutohet në Bruksel, ku kufijtë nuk do të duhej të negocioheshin.

“Cilat do të duhej të ishin pikat kryesore të Rezolutës që do të duhej ta votonte Kuvendi. Për kufijtë de resurset natyrore të Kosovës s'ka dialog, janë të panegociueshëm dhe reciprocitet i dyanshëm për të drejtat e minoriteteve, të drejtat që i gëzon pakica serbe në Kosovë, t'i gëzojnë edhe shqiptarët në Kosovën Lindore. Të zhdukurit dhe dëmet e luftës për mijëra viktima në njerëz dhe dëme ekonomike të shkaktuar nga ana e Serbisë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por edhe për shumë pika të tjera që janë në interes të Kosovës”, ka vlerësuar Krasniqi.

Sipas tij, Ekipi Negociator duhet t’i raportojë Kuvendit për dialogun, në të kundërtën është i pavlefshëm dhe për të duhet të ndërhyjë edhe Gjykata Kushtetuese.

“Ai ekip negociator e ka për obligim që t'i raportojë Kuvendit për çdo gjë se është biseduar në Bruksel me palën serbe. Në të kundërtën ky ekip negociator është i pavlefshëm dhe Gjykata Kushtetuese do të duhej të ndërhynte për çdo shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat