Gjarpri e “pickoi” Fatmir Limajn

Politika

Gjarpri e “pickoi” Fatmir Limajn

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 5 shtator 2018 Në ora: 22:57
Fatmir Limaj dhe Hashim Thaçi

Tani është më se e qartë se presidenti i vendit Hashim Thaçi, e ka lansuar planin e tij të radhës, i cili është mashtrues për qytetarët e Kosovës dhe skenën politike në vend.

Propozim emërimi i Fatmir Limajt si shef i negociatave me Serbinë, ngjallë dyshime të mëdha nëse shtrohet pyetja, pse kjo po ndodh tre ditë pas disa përgjimeve të publikuara në media, në të cilat dëgjohet deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, së bashku me mikun e tij Ilir Krasniqi, duke përmendur emrin e Fatmir Limajt, të përfshirë në një aferë korruptive 3 milionë euro.

Presidenti Thaçi u tregua një gjarpër i vërtetë, i cili priti momentin kur dikush nga skena politike të “rrëshqas” në ndonjë lloje afere si kjo, e pastaj përmes saj ta shantazhojë dhe ta shndërroj në një robot për bisedimet e Brukselit, të cilin vetë ai do e komandoj.

Për dyshime më të mëdha u përkujdes Fatmir Limaj, i cili qëndroi më shumë i heshtur në lidhje me këtë.

Tash, brenda skemës së Thaçit, ekziston mundësia që vetë ai të vazhdojë t’i udhëheq bisedimet me Serbinë, duke u thirrur në atë se Kuvendi i Kosovës nuk ishte i gatshëm që ta hedhë në votim propozim vendimin e qeverisë që Fatmir Limaj të jetë shef i këtyre negociatave.

Obligimi dhe detyra parësore e kreut të një shteti është që ta kryejë me nder detyrën e tij, ta mbrojë tërësinë territoriale të vendit të vet, kushtetutën. Në këtë rast Thaçi nuk është duke e bërë as njërën e as tjetrën, madje ai është duke e thyer ligjin, kushtetutën. Por, kjo për të nuk ka rëndësi, sepse kushtetuta është vetëm një copë letër sa për sy e faqe, nuk është burimi juridik i vendit, parimet mbi të cilat ndërtohet dhe qeveriset vendi. Po ta njihte dhe po ta zbatonte kushtetutën e vendit për të cilën është betuar Thaçi, atëherë ai do të sillej pak më ndryshe.

Thaçi do të del para mediave dhe do ta akuzojë opozitën, që ai është prapë në bisedime me Serbinë, duke u treguar i “mëshirshëm” para publikut, e në veçanti para opozitës.

Kjo lojë e ndytë nga Thaçi, veç sa i shton edhe më tepër pasojat për Kosovën, pasi në të njëjtën kohë nuk do e lejojë prokurorinë që të nisë hetimet për Limajn.

Gjithsesi, të rënë në grackën e Thaçi, opozitës nuk i mbetet gjë tjetër veç se të organizojë protesta gjithë popullore, e sigurisht që përkrahja e qytetarëve të lodhur e të pashpresë, nuk do të mungojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat