Ramush Haradinaj argat i Thaçit, për hir të pushtetit

Politika

Ramush Haradinaj argat i Thaçit, për hir të pushtetit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 6 shtator 2018 Në ora: 20:10
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri publik propozimet e tij në lidhje me emrat e grupit negociator të bisedimeve me Serbinë.

Haradinaj, propozoi si kryetar të grupit, Fatmir Limajn, ndërsa si nënkryetar është propozuar emri i Enver Hoxhajt.

E, këta emra, kanë nxitur reagime të shumta, si nga radhët e opozitës, njashtu edhe nga shoqëria civile, të cilët po e konsiderojnë si një taktikë të radhës nga kreut i shtetit, Hashim Thaçi.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), qeveria aktuale po provon në vazhdimësi atë se janë “sejmen” të Hashim Thaçit, dhe se për hir të mbajtjes së pushtetit janë në gjendje t’i bëjnë të gjitha kompromiset e mundshme, disa nga të cilat edhe të paimagjinueshme.

Ndërsa, njohësit e zhvillimeve politike në vend deklarojnë se nuk ka ndonjë kuptim caktimi i serishëm i njerëzve që nuk janë adekuat dhe nuk mund të përballen profesionalisht me Serbinë.

Bajram Gecaj: Nëse e kundërshtojnë Thaçin nuk mund të qëndrojnë gjatë në pushtet

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, ka thënë se Qeveria “Haradinaj”, për hir të mbajtjes së pushtetit janë në gjendje t’i bëjnë të gjitha kompromiset e mundshme, disa nga të cilat edhe të paimagjinueshme.

Gecaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se, ashtu siç shkelen mbi fjalët, veprimet dhe premtimet e tyre në çështjen e demarkacionit, ashtu do të vazhdojnë ta bëjnë në të gjitha çështjet.

“Kjo qeveri po provon në vazhdimësi se janë “sejmen” të Hashim Thaçit, dhe se për hir të mbajtjes së pushtetit janë në gjendje t’i bëjnë të gjitha kompromiset e mundshme, disa nga të cilat edhe të paimagjinueshme. Ashtu siç shkelen mbi fjalët, veprimet dhe premtimet e tyre në çështjen e demarkacionit, ashtu do të vazhdojnë ta bëjnë në të gjitha çështjet, duke përfshirë edhe dialogun”, ka thënë Gecaj.

Tutje, zyrtari i LDK-së ka thënë se kjo qeveri e dinë mirë se nëse e kundërshtojnë Thaçin nuk mund të qëndrojnë gjatë në pushtet.

Në fund, ai ka theksuar se qeveria aktuale tanimë kanë provuar se për pushtet janë në gjendje edhe “jetën ta japin”.

“Ata e dinë mirë se nëse e kundërshtojnë Hashimin nuk mund të qëndrojnë gjatë në pushtet, prandaj bëjnë kompromise sepse tanimë kanë provuar se për pushtet janë në gjendje edhe “jetën ta japin””, ka përfunduar zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, për gazetën “Bota sot”.

Burjani: Këta njerëz janë problematikë dhe të padijshëm

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike-kushtetuese, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se, nuk ka ndonjë kuptim caktimi i serishëm i njerëzve që nuk janë adekuat dhe nuk mund të përballën profesionalisht me Serbinë.

“Kjo nuk është e duhur dhe as që ka ndonjë kuptim, caktimi i serishëm i njerëzve që nuk janë adekuat dhe nuk mund të përballën profesionalisht me Serbinë, për lider të bisedimeve dihet kush është Thaçi. Deri më tani i vetmi njeri që diti e nuk diti ka marrë përsipër dhe e ka dërguar këtë proces gati në fund, politikisht më s’ka nevojë askush të caktohet as nga ekzekutivi i cili s’ka kurrfarë roli në këto bisedime. Caktimi i këtyre njerëzve kotë është sikur për të kontrolluar Thaçin, se a po bënë shkëmbim a jo territorial. Caktim për mbikëqyrje të Thaçit në dialog është dështim total, kjo nuk i ofron asgjë të mirë dialogut”, ka thënë Burjani.

Sipas tij, askush nuk mund të marrë përgjegjësi për shkak se presidenti Hashim Thaçi e ka devijuar dialogun prej atij teknik në atë politik.

“Këta njerëz i kanë bërë këto, të gjitha që shihen dështime, probleme me rendin dhe ligjin, problemet me gjykatat ndërkombëtare, problemet e brendshme të shumta, pra nuk ka kurrfarë rëndësie kjo më, ka dështuar plotësisht konsensusi me kohë për negociata, që nga viti 2013 është të ketë konsensus, askush nuk mund të merr përgjegjësi për shkak se Thaçi e ka devijuar dialogun prej atij teknik ka kaluar në atë politik, dhe e ka sjellë përpara shumë dilema; si fusnota që edhe sot është në fuqi në të gjitha konferencat dhe ngjarjet ndërkombëtare që e ka zbehë pavarësinë. Tash e vetmja rrugë mbeten zgjedhjet e jashtëzakonshme, për të riformuluar këtë dialog dhe për të vendos diçka çka të mundet në binare”, ka thënë ai.

 Në fund, ai ka theksuar se këta njerëz janë problematikë dhe të padijshëm, ndërsa ka thënë se tashmë është bërë vonë për të bërë një ekip negociator.

“Këta njerëz janë problematikë dhe të padijshëm, por mendojnë që i din dhe kanë kapacitete,  fatkeqësisht nuk dinë me dallu aftësinë, po merren me paaftësinë e tyre duke e kërkuar aftësi në zgjidhje. Deri me tash kishte dëme të mëdha që nga Vjena , dështim mas dështimi. Është bërë vonë shumë për të bërë një ekip negociator, askush nuk do përgjegjësi në fund të procesit, sepse ka pas dështime të mëdha dhe tmerrshme, pa marr parasysh se disa vetën në këtë proces e kanë ndijë vetën hero, si Thaçi një lider mesjetar dhe me ide arkaike të kaluara kaherë në civilizimin bashkëkohorë, pra s’ka lider dhe mite më, ka vetëm shërbyes të popullit”, ka përfunduar analisti dhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Edhe Fatmir Limaj mund të jetë shantazhuar

Image
Faik Krasniqi

E, në një linjë më Burjanin, qëndron edhe analisti tjetër, Faik Krasniqi.

Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ashtu siç Bashkësia Ndërkombëtare i ka kartat dhe i shantazhon shumë politikanë edhe presidenti Thaçi i ka kartat e tij dhe i nxjerr sa herë që i duhen për shumë politikanë.

“Ashtu siç Bashkësia Ndërkombëtare i ka kartat dhe i shantazhon shumë politikanë tonë si shembull Hashim Thaçin për shkak të të bëmave të tyre, edhe Thaçi i ka kartat e tij dhe i nxjerr sa herë që i duhen për shumë politikanë që në të kaluarën janë përfshirë bashkërisht në afera të ndryshme korruptive”, ka thënë Krasniqi.

Me tej, ai ka thënë se edhe i propozuari për kryenegociator mund të jetë shantazhuar.

“Edhe Fatmir Limaj mund të jetë shantazhuar dhe ka pranuar të bëhet kryesues i dialogut por që nuk do do ta pyes askush, sepse Hashim Thaçi do të jetë ai kryesuesi i vërtetë i dialogut final me Serbinë”, ka thënë ai.

Ai shton se arsye tjetër është edhe taktika e pushtetit se kreu i Nismës Socialdemokrate është më i pranueshëm për opozitën që ai t'i udhëheq bisedimet me Serbinë.

“Arsyeja tjetër është edhe taktika e pushtetit se Fatmir Limaj është më i pranueshëm për opozitën që ai t'i udhëheq bisedimet me Serbinë. Por, edhe fëmija në djep e dinë se ky nuk është gjë tjetër veçse një taktizim i Thaçit, dhe tentim për të manipuluar me opinionin në Kosovë”, shtoi Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat