Vetëvendosje fton LDK-në: Le t’i mbushim bashkë sheshet

Politika

Vetëvendosje fton LDK-në: Le t’i mbushim bashkë sheshet

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 8 shtator 2018 Në ora: 08:11
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Për të tretën ditë me radhë ka dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga subjektet politike opozitare për miratimin e një rezolute në mbrojtje të tërësisë territoriale të Kosovës. Për këtë arsye, Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë ftesë publike LDK-së për organizmin e tubimeve me qytetarë për protesta qytetare. Ndër deputetë të LDK-së ka mendime të ndryshme lidhur me ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje. Mirëpo, në parim ata përkrahin çdo hap që bëhet në mbrojtje të territorit të vendit.

Përmes një komunikate për media, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se ka zhvilluar mbledhjen e jashtëzakonshme të kryesisë, në të cilën është debatuar për zhvillimet e fundit politike në vend.

Sipas komunikatës, në mbledhje është marr vendim që të ftohet Lidhja Demokratike e Kosovës për organizimin e përbashkët të protestave dhe të fillojnë përgatitjet për to.

Në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje, thuhet se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pa mandat të Kuvendit po vrapon në negociata pa parime me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Ne nuk mund të lejojmë pazare me sovranitetin, territorin dhe kufijtë e Kosovës. Aventura personale e Presidentit të Kosovës është e papranueshme. Ai po i mashtron si qytetarët e Kosovës ashtu edhe ata të Kosovës Lindore. Prandaj, ai duhet të largohet. Qeveria e pakicës po e bojkoton Kuvendin e Republikës. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duhet të dorëhiqet. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. Kërkojmë zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme. Nevojitet legjitimitet i ri i një qeverie të re”, theksohet në komunikatë.

Vetëvendosje thotë se, institucionet e Kosovës nuk po funksionojnë derisa Kuvendi është bllokuar.

“Presidenti i Serbisë do të vijë në Kosovë këtë fundjavë, por qeveria dhe policia e Kosovës nuk do ta arrestojë atë. ‘Zajednica’ Thaçi-Vuçiq është evidente. Presidenti i Serbisë nuk duhet lejuar të hyjë në Kosovë. Sa më shpejt nevojiten ndryshime për ta shpëtuar Republikën e Kosovës. Protestat janë të domosdoshme. Gatishmëria e popullit është e lartë. Sepse masivisht kuptohet dëmi që mund të sjellë vonesa. Le t’i kthehemi qytetarëve dhe le t’i mbushim bashkë sheshet. Le të organizojmë tubime me qytetarë për protesta qytetare. Ta ruajmë dhe mbrojmë shtetësinë dhe pavarësinë, sovranitetin dhe kushtetutshmërinë, integritetin territorial e institucional të Republikës së Kosovës, popullsinë tonë në trojet e saj!”, përfundon komunikata.

Mirëpo a është e gatshme LDK për protesta?

Image
Haxhi Avdyli

Ndër deputetë të LDK-së ka mendime të ndryshme lidhur me ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputeti i kësaj partie, Haxhi Avdyli, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se LDK ka kryetarin, kryesinë dhe GP-në që do të vendosin për këtë, por personalisht ai është që të dilet edhe në protesta nëse është e nevojshme, me popullin, për ta mbrojtur demokracinë, pasi ajo së fundmi është dëmtuar rëndë nga Kadri Veseli e Hashim Thaçi.

 “LDK ka një strukturë, ka kryesi, kryetarin, Grupin parlamentar dhe për vendimet e tyre do të informoheni. Por, mendimi im personal, jashtë asaj është se demokracia parlamentare është dëmtuar rëndë nga kryetari Kadri Veseli bashkë me Hashim Thaçin dhe zëri i qytetarëve dhe deputetëve të përzgjedhur është cenuar rëndë me këto lojërat e fundit që kanë ndodhur, lojërat me kufijtë dhe mos mundësinë e diskutimeve në Parlament dhe mendoj që me këtë ne si deputetë jemi të dëmtuar rëndë për të paraqitur mendimet dhe idetë tona në këtë drejtim”, është shprehur ai.

Sipas Avdylit, protestat janë mënyrë për t’i treguar pushtetit se nuk mund ta nëpërkëmbin demokracinë dhe se ai thotë se do të jetë me popullin, për ta mbrojtur vendin nga njerëz të padijshëm e të pangishëm.

“Prandaj, protestat paqësore janë një mënyrë për t’i treguar këtij pushteti se nuk mund ta nëpërkëmbin demokracinë në Kosovë dhe protestat paqësore popullore dhe ne si përfaqësues të qytetarëve do të jemi me ta si në protestë, si kudo që janë. Dhe unë si deputet do të jem bashkë me qytetarët, nëse kërkohet edhe në protesta për ta mbrojtur sovranitetin edhe integritetin por edhe demokracinë, të cilën e kanë dëmtuar rëndë disa njerëz të padijshëm dhe të pangishëm”, ka deklaruar deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli për gazetën “Bota sot”.

Rugova: Thaçi të shkarkohet me rrugë ligjore

Image
Naser Rugova

Në anën tjetër, Deputeti tjetër  i LDK, Naser Rugova sugjeron të ndiqen rrugët ligjore për të shkarkuar Thaçin.

“Kushtetuta e vendit përcakton saktë shkarkimin e presidentit të Kosovës, konsideroj që rruga ligjore është rruga e vetme e një hapi të tillë, metodat tjera që bien ndesh me rrugën kushtetuese dhe ligjore, konsideroj se mund ta tensionojnë edhe më shumë situatën edhe ashtu tejet konfuze politike që mbretëron në vend. Masat e tilla merren kur mbyllen të gjitha rrugët tjera dhe rrezikohet rendi kushtetues i vendit”, ka thënë Rugova për “Bota sot”.

Kelmendi: Ende nuk kemi vendosur për protesta

Kurse, Deputeti Ramiz Kelmendi, ka thënë se do të analizohet kjo protestë e organizuar nga Kurti, nëse është me të vërtetë për ta ndaluar Thaçin, apo për poenë politike.

Kelmendi ka deklaruar se Thaçin mund ta ndalë edhe Parlamenti.

Image
Ramiz Kelmendi

“Mendoj se LDK-ja ka forca në elektorat të vetin cili do të analizojë protestat e Albin Kurtit dhe do të vendos a është protestë me të vërtetë për ta ndaluar Thaçin apo për të fituar poenë politikë për zgjedhjet e ardhshme. Hashim Thaçi mund të ndalet edhe në Parlament, sepse parlamenti mund t’ia merr të drejtën e negocimit”, ka thënë Kelmendi.

Ai nuk ka përjashtuar pjesëmarrjen në protestë, mirëpo ka ritheksuar se Parlamenti mund ta ndalojë Presidentin.

“Nuk mund të them që nuk marrim pjesë në protestë, për atë do të vendos kryesia e LDK-së, por mendoj se Parlamenti mund ta ndalë marrjen e disa punëve të Thaçit”, ka pohuar Kelmendi.

Opozita të bashkohet deri në një koalicion parazgjedhor

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se protestës së organizuar nga VV-ja duhet ti bashkëngjiten edhe pjesa tjetër e opozitës dhe gjithë shoqëria cilivile, për një qëllim ta ndalim Thaçin.

Image
Drita Millaku

“Situata politike e provokuar nga presidenti i vendit është shumë e keqe pasi që ky president nuk po i kryen detyrat e ngarkuara nga kushtetuta e vendit. Imperativ i partive politike opozitare është bashkëpunimi për të ndalur këtë njeri fillimisht duke e sjellë në kuvend një rezolutë e nëse kjo nuk e ndal Hashim Thaçin atëherë janë të pashmangshme protestat me tërë fuqinë jo vetëm të opozitës por edhe shoqërisë civile dhe popullit në përgjithësi. Unë jam e bindur se populli i Kosovës do të dijë të reagojë në situata të tilla kur preken kufijtë e shtetit tonë të cilët janë të shenjtë dhe për të cilët është derdhur gjak. Ky president tanimë nuk është duke e mbrojtur interesin e shtetit dhe duhet shkarkuar duke përdorur gjitha format dhe mjetet demokratike dhe popullore deri në shkarkim pasi që më nuk përfaqëson interesin e shumicës shqiptare në këtë vend. Bashkëpunimi opozitar duhet të vazhdoj jo vetëm në protesta por edhe me gjatë deri te një koalicion i përbashkët parazgjedhor deri sa të marrin nokaut ky grup mafioze që po e udhëheqin Kosovën” ka përfunduar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku.

Hertica: Tani është koha të kërkohet llogari nga kjo qeveri që po punon për interesa klanore

Image
Drita Millaku

Analisti politik, Ali Hertica ka thënë për gazetën “Bota sot” se është koha që qytetarët të ngrisin zërin e tyre patriotik dhe qytetar ,por pa përdorur dhunë ndaj askujt.

“Tani,  koha e cila po troket në vetëdijesimin e qytetarëve dhe të opozitës është që ta ngrehin zërin në forma ilegale për të kryer misonin e saj patriotik dhe qytetar pa përdorur dhunë ndaj askujt. Protesta qytetare është forma e ligjshme e njohur e veprimit të opozitës në një shoqëri demokratike. Në protestë e ka kundërvështrimin e saj për problemet thelbësore që po i paraqiten shtetit nga kjo kastë e brishtë politike ku nuk respekton ligjet dhe qytetarët,  por vepron në interesa individuale apo klanore. Jemi apo nuk jemi plotësisht dakord me idetë e saja, sepse tani është koha që të kërkohet llogaria nga kjo qeverisje e mjeranëve politik ku nuk ju përmbajtën të gjitha premtimeve elektorale” ka përfunduar analisti politik, Ali Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat