Kosova po hynë në krizë të thellë politike

Politika

Kosova po hynë në krizë të thellë politike

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 8 shtator 2018 Në ora: 10:40
Kuvendi i Kosovës, foto arkvi

“Prandaj jemi këtu ku jemi dhe kështu të mjerë, si kurrë ndonjëherë! Dështimi i seancave është e keqe e vogël, sepse, edhe po të mbahen, asgjë të mirë e të dobishme nuk do të sjellin! Vendi është në rrezik të madh, sepse kriza tashmë është e pashërueshme! Zgjedhjet në këtë gjendje, nuk shihet se mund sjellin diçka të re! Por as kështu gjatë nuk mund të shkohet”, ka vlerësuar analisti Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Kuvendi i Kosovës filloi sesionin vjeshtor me dy seanca të thirrura, por që për shkak të mungesës së kuorumit, asnjëra prej tyre nuk u mbajtën. E para ishte thirrur me kërkesë të partive opozitare, për të miratuar një rezolutë që ndalon të flitet në Bruksel me Serbinë për ndryshim të kufijve, ndërsa tjetra seancë e jashtëzakonshme u thirr me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, për ta votuar Ekipin Negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Për tre ditë, asnjëra nga seancat nuk arriti të mbahej, duke u shtyrë vazhdimisht, deri në mbajtjen e mbledhjes së kryesisë të enjten, e cila nuk pati rezultat.

Haxholli: Vendi mund të shkojë në krizë institucionale

Lidhur me mos mbajtjen e seancave dhe mundësinë që vendi të futet në krizë nëse seancat nuk mbahen, hulumtuesja Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për gazetën “Bota sot”, se seancat nuk po mbahen për shkak të mungesës së votave dhe që partitë duhet të dakordohen për një dokument të përbashkët për dialogun me Serbinë.

Image
Violeta Haxholli

“Po seancat rreth dialogut po dështojnë për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme si për qeverinë ashtu edhe opozitën. Prandaj është e nevojshme që partitë politike të ulen dhe të dakordohen për një dokument të përbashkët rreth dialogut me Serbinë. Ne kemi parë që ka mospajtime mes partive lidhur me atë se si duhet të udhëhiqet kjo fazë e dialogut, por partitë duhet që së paku të dakordohen në vija të trasha, për vijat e kuqe të Kosovës dhe kërkesat e Kosovës nga kjo fazë e dialogut”, është shprehur ajo.

Sipas Haxhollit, kushdo që të jetë përfaqësuesi i Kosovës në dialog, duhet të bëjë veprime në pajtim me spektrin politik.

“Më pas, përfaqësuesi i delegacionit të Kosovës në dialog, kushdo që është ai, të mos bëjë veprime që dalin përtej këtyre dakordimeve të spektrit politik”, ka vlerësuar ajo.

Sipas saj, vendi mund të futet në krizë nëse seancat vazhdojnë të dështojnë dhe zgjidhje për krizën janë zgjedhjet.

“Po vendi mund të shkojë në krizë institucionale nëse vazhdojnë të dështojnë seancat për këto çështje. Dhe Kuvendi mund të bëhet jofunksional nëse partitë opozitare vendosin të bojkotojnë Kuvendin. Mendoj se nëse vazhdojnë të dështojnë seancat, atëherë zgjedhjet mund të jenë zgjidhja e duhur për këtë ngërç. Por nëse rezultati zgjedhor sjell një konstalacion të njëjtë në Kuvend, atëherë sërish numrat mund të bëhen problem dhe zgjedhjet jo domosdoshmërish mund të jenë zgjidhja”, ka deklaruar Violeta Haxholli për gazetën “Bota sot”.

Zogaj: Vendi është në rrezik të madh, sepse kriza tashmë është e pashërueshme!

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, duke folur për gazetën “Bota sot” për këtë çështje, ka thënë se gjendja e një krize është paralajmëruar prej kohësh, por për këtë ai e fajëson edhe popullin, që e ka zgjedhur një tufë deputetësh, që Kuvendin e kanë shndërruar në një fermë pulash.

Image
Skënder Zogaj

“Manifesti i një kryeneçësie idhnake i të gjitha partive politike kosovare, kaherë ka paralajmëruar këtë gjendje krize, që tashmë ka mbërri zenitin dhe, do të ketë pasoja të jashtëzakonshme dhe afatgjata! Pos partive politike, fajin për gjendjen e krijuar e kanë edhe shtetasit e Kosovës, pra populli i Kosovës, që e ka zgjedhur një tufë deputetësh injorantë, të cilët Parlamentin e kanë shndërruar në fermë pulash”, ka deklaruar ai.

Sipas Zogajt, vendi është në rrezik, zgjedhjet nuk mund të sjellin diçka të re, por as kështu nuk mund të vazhdohet.

“Prandaj jemi këtu ku jemi dhe kështu të mjerë, si kurrë ndonjëherë! Dështimi i seancave është e keqe e vogël, sepse, edhe po të mbahen, asgjë të mirë e të dobishme nuk do të sjellin! Vendi është në rrezik të madh, sepse kriza tashmë është e pashërueshme! Zgjedhjet në këtë gjendje, nuk shihet se mund sjellin diçka të re! Por as kështu gjatë nuk mund të shkohet”, ka vlerësuar analisti Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Shahu: Zgjedhje të reja, probleme të vjetra

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se mund të shkohet në zgjedhje por nuk kanë leverdi shumë deputetë pasi do të mbesin jashtë Kuvendit, do të ketë një Kuvend të ri por me probleme të vjetra dhe as ai nuk do të ketë fuqi që t’i zgjidhë ato.

Image
Rexhep Shahu

“Mund të shkohet në zgjedhje por do të ishin zgjedhjet më të papërgatitura dhe do të nxirrnin produkt jo serioz për shkak të ngutjes. Mund të shkohet në zgjedhje por nuk kanë leverdi shumica e deputetëve pasi do të mbeteshin jashtë parlamentit të ardhshëm për shkak se kanë rezultuar deputetë të pa duhur një pjesë e mirë e deputetëve aktuale. Mund të shkohet në zgjedhje, të prodhohet parlament i ri por problemet do të mbeten të vjetra dhe as parlamenti i ri nuk do të ketë fuqi të zgjidhë probleme të vjetra”, ka theksuar Shahu.

Ai vlerëson se kufijtë e shqiptarëve nuk janë vendosur asnjëherë dhe s’do të vendosen nga shqiptarët.

“Kufijtë e shqiptarëve nuk janë vendosur asnjëherë nga shqiptarët dhe as kanë për tu vendosur nga shqiptarët të cilët më e shumta mund t’i shkruajnë Evropës letër por nuk shkojnë në kufi ku vendosen gurët e kufirit”, ka vlerësuar ai.

Analisti shprehet se Kosova nuk humbë nëse Kuvendi shpërbëhet, por as nuk fiton nëse mbahen zgjedhjet, pasi është fatkeqësi që përfaqësuesit e tyre politik janë nën nivelin mesatar të shoqërisë shqiptare.

“Për fund, nuk besoj se humbet Kosova nëse shpërbëhet ky Kuvend, por as nuk besoj se fiton Kosova nëse bëhen zgjedhje të pamenduara dhe nëse nuk zgjidhen njerëzit për Kuvend. Fatkeqësia e shqiptarëve kudo ku janë është se përfaqësuesit e tyre politike janë nën nivelin mesatar të shoqërisë shqiptare”, ka përfunduar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat