Komandantëve të shantazhuar do t'iu vjen fundi

Politika

Komandantëve të shantazhuar do t'iu vjen fundi

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 8 shtator 2018 Në ora: 13:05
Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe Hashim Thaçi

Tani është më se e qartë se presidenti i vendit Hashim Thaçi, e ka lansuar planin e tij të radhës, i cili konsiderohet mashtrues për qytetarët e Kosovës dhe skenën politike në vend.

Propozim emërimi i Fatmir Limajt si shef i negociatave me Serbinë, ngjallë dyshime të mëdha nëse shtrohet pyetja, pse kjo po ndodh pak ditë pas disa përgjimeve të publikuara në media, në të cilat dëgjohet deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, së bashku me mikun e tij Ilir Krasniqi, duke përmendur emrin e tij, të përfshirë në një aferë korruptive 3 milionë euro.

Vetë Fatmir Limaj nuk po duket që këtë punë e ka marrë me vullnetin e tij personal, pasi vazhdimisht po tregohet shumë i heshtur karshi këtij zhvillimi, e që protagonist kryesor është vetë ai.

Millaku: Komandantëve të shantazhuar do t'iu vjen fundi

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një prononcim për “Bota sot”, e përshkruan propozimin e Limajt si kryenegociator përmes një zinxhiri të të shantazhuarve, duke thënë se shumë shpejt këtyre do t’iu vjen fundi.

“I shantazhuari që në këtë rast është Ramush Haradinaj, me urdhër të të shantazhuarit si Hashim Thaçi, propozon të shantazhuarin Fatmir Limaj për kryenegociata. Megjithatë, komandantëve të shantazhuar do t'iu vjen fundi.  Fundi i tyre është çlirimi i vërtetë i Kosovës”, ka thënë Millaku për “Bota sot”.

Sipas saj, ata nuk mund të jenë një zgjidhje të mirë për Kosovën sepse janë nën urdhrat e presidentit Thaçi.

“Ata nuk do të mund të jenë një zgjidhje pozitive për Kosovën, sepse janë nën urdhrat e Thaçit. Kjo qeveria duhet të japë dorëheqje nga pushteti së bashku me presidentin Thaçin”, ka potencuar Millaku.

Islami: Limaj ra në grackën e Thaçit

Image
Gazmend Islami

Ndërsa, kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Gazmend Islami thotë për “Bota sot”, se ky propozim është i rrezikshëm për vendin dhe se është një lojë e pistë mes Thaçit e Haradinajt. Ai nuk e sheh një gjë pozitive në këtë ekip, pasi thotë se është nën komandat e Thaçit.

“Kjo lojë e pistë politike e Hashim Thaçit së bashku me të paditurin Ramush Haradinaj, është shumë e rrezikshme për vendin. Propozimi për emërimin e një ekipi që komandohet nga Thaçi dhe që nuk janë të pavarur, natyrisht që nuk i sjellë ndryshime në të mirë vendit. Fajtor është edhe Fatmir Limaj, i cili u tregua gjatë gjithë kohës si i mençur, mirëpo në fund prapë ra në grackën e Thaçit. Kjo duhet të jetë vetëdijesim për Limajn herën e ardhshme”, ka thënë ai.

Sipas tij, Thaçi duhet të largohet sa më shpejtë nga pozita që ka sepse po e rrezikon çdo ditë e më shumë qytetarin e Kosovës, ndërsa thekson se për interesa të veta personale, Thaçi do ta falte Kosovën deri në gjysmë të Prishtinës.

“Thaçi dhe grupi i tij duhet sa më shpejtë të largohet nga kjo pozitë që e kanë, pasi çdo ditë e më tepër qytetari i Kosovës do të jetë më i rrezikuar dhe i izoluar. Po të mos ishin sadopak këto presionet nga publiku i gjerë, Thaçi për interesa të veta do ta falte Kosovën deri në gjysmë të Prishtinës”, është shprehur Islami për “Bota sot”.

“Grup që shkon pas Hashim Thaçit”

Image
Muhamet Kelmendi

Në anën tjetër, profesori Muhamet Kelmendi e sheh ligjore propozimin e këtij ekipi për t’u votuar më pas në Kuvend, mirëpo këtë grup e quan “Grup që shkon pas Hashim Thaçit”

“Grupi negociator-grup që shkon pas Hashim Thaçit si "muqa pas dajive"! Kur e them këtë zakonisht mendoj në dy çështje të mëdha: 1. Mos përcaktimi i platformës politike në raport me shtetin serb, duke u mbështetur në Kushtetutë dhe 2. Caktimi i Grupit Negociues, kuptohet nga qeveria, duke dalë në votim në Kuvend, që është organ më i lartë i pushtetit në Republikën Parlamentare. Çështja e sotme është një çështje shumë normale. Qeveria ka të drejte t'i paraqet propozimet e veta. Kuvendi duhet të analizojë dhe të votojë. Mos pjesëmarrja në Kuvend është një çështje jo ligjore. Këtu nuk dua të futem më thellë në aspektin ligjor të procedurës së funksionimit të shtetit parlamentar. Këtu janë me rëndësi çështjet që janë thelbësore për Republikën. Konkretisht mendoj në dy vizione të paraqitura: 1. Korrigjimi i kufijve në raport me shtetin serb dhe 2. Ruajta e tërësisë territoriale dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës sipas Kushtetutës”, ka thënë Kelmendi për “Bota sot”.

Ai ekipin e propozuar nga qeveria i quan vegla të Thaçit, të paaftë dhe tejet kundërthënës, si dhe pa mbështetje në masat e popullit tonë. Sipas Kelmendit, një ekip si ky i sjellë rreziqe të mëdha Kosovës.

“Duhet thënë qartë dhe prerë se pavarësisht faktit të sanksionuara me normat kushtetuese, bisedimet me palët në konflikte janë domosdoshmëri dhe askush nuk mund te ia ndali. Po a ka bisedime pa platformë të Kuvendit? Këtu përgjigjja është thjesht jo. Po natyrisht se diskutime dhe korrigjime te kufijve ka gjithandej. Bëhen tërheqje të kufijve dhe caktohen kufijtë. Unë jam që shteti i Kosovës ta ruajë Ujmanin, Mitrovicën dhe Trepçën. Jam që Lugina e Preshevës të bashkohet me shtetin e Kosovës. Nëse bisedimet e ruajnë këtë konstolacion territorial nuk ka fare dyshim dhe aspak kundërshtime që mos të realizohet ky bashkim. I uroj që në këtë anë të kemi unitet të mendimit dhe të veprimit, unitet në kuadër të raporteve me shtetet tjera. Nuk duhet kurrsesi të kemi humbje të pikave strategjike dhe jetike për Republikën. Është shume mirë nëse jemi unik. Po çka me ketë ekip negociator? Është ekip jo kompetent, i paaftë dhe tejet kundërthënës, si dhe pa mbështetje në masat e popullit tonë. Tërë anëtarët e ekipit janë vegla të Hashim Thaçit. Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj, Mahir Jaggjillar etj., janë të tille. Ata shkojnë tamam: "Si muqa pas dajive". Ekipi i tillë sjellë vetëm rreziqe të mëdha. Është shumë larg detyrave që i ka vendi ynë. Pa Parlament dhe pa platformë dhe pa përfshirje të gjithanshme në ekip, është shume larg ekipi për të kryer detyrën madhore në raport me Serbinë. Po duket se rreziqet për Republikën janë të mëdha”, ka përfunduar Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat