Viti i dështimit: Nga paktet me kriminelët e veriut, deri te zhvatja e buxhetit të shtetit - Bota Sot
Viti i dështimit: Nga paktet me kriminelët e veriut, deri te zhvatja e buxhetit të shtetit

Politika

E mërkurë, 14 nëntor 2018

Viti i dështimit: Nga paktet me kriminelët e veriut, deri te zhvatja e buxhetit të shtetit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 10 shtator 2018 Në ora: 08:10
Ramush Haradinaj, foto ilustrim nga "Bota sot"

Janë bërë një vit i plotë që kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e kishte nënshkruar dekretimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

12 muaj më parë më 61 vota pro, ishte zgjedhur kryeministër i nominuari për këtë post nga koalicionit PANA, Ramush Haradinaj.

Përkundër premtimeve të mëdha elektorale të udhëheqësve të partive në pushtet, për krijimin e mijëra vendeve të reja të punës, përqindja e papunësisë në Kosovë vazhdon të mbetet e njëjtë. Të dhënat e fundit të Agjencionit të Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë se shkalla e papunësisë në vend është mbi 25 për qind.

Nga opozita punën një vjeçare të qeverisë aktuale po e konsiderojnë si të dështuar. Këta të fundit,  Qeverinë Haradinaj e kanë përkufizuar si qeveri të boksierëve, qeveri pa numra, qeveri të analfabetëve dhe qeveri që kënaq vetëm apetitet e partive për pushtet.

Ndërsa, në anën tjetër, shoqëria civile është e mendimit se kjo qeveri nuk ka asnjë notë pozitive, përveç rritjes së numrit të ministrave, një brigadë e tërë e zëvendësministrave dhe rritja e pagave për kabinetin qeveritar dhe vartësve të tyre.

Gazeta “Bota sot”, ka provuar të marrë edhe deputetë nga radhët e pozitës për ta vlerësuar punën e qeverisë aktuale, mirëpo disa kanë qenë të pa qasshëm e disa të tjerë edhe jashtë shtetit që nuk kanë dashur të deklarohen.

Haxhi Avdyli: Vit me plotë skandale

Image
Haxhi Avdyli

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Avdyli, duke e komentuar punën një vjeçare të Qeverisë Haradinaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ky ishte vit i dështuar e me plotë skandale.

Avdyli në një bisedë të gjatë për gazetën, ka numëruar disa nga dështimet e qeverisë aktuale.

“Një vit i Qeverisjes Haradinaj ishte një vit i dështuar me plotë skandale e dështime. Sa thoshim që ky ishte skandal shumë i madh, pas disa ditësh dilte skandali edhe më i madh, sa që e bënte ta harronte të parin. Keqpërdorime të parasë publike, emërime pa kritere, politizim të administratës e nepotizëm, padituri e gjuhë e rrugës në institucione, rritje pagash për vetën dhe oborrtarët pa kompetenca”, ka thënë deputeti i LDK-së për gazetën “Bota sot”.

Me tej, ai ka përmendur edhe bllokimin e njohjeve si dhe përjashtimet nga organizatat botërore.

“Përzierje e kompetencave qeveri, presidencë, parlament i bllokuar, izolim i qeveritarëve, bllokim i njohjeve , e përjashtime nga organizata botërore, falje borxhesh e pakte me kriminel të veriut ,papunësi, korrupsion e zhvatje të buxhetit gjithandej e shumë skandale që letra si zë”, ka thënë ai.

Krejt në fund, deputeti opozitar ka theksuar se ikja sa më e shpejtë e kësaj qeverie jep shpresë për rimëkëmbjen e këtij vendi.

“Ky ishte viti fatkeq qeverisë së humbjes së shpresës . Prandaj, sot me mijëra të rinj po ikin jashtë për një jetë të re. Prandaj ikja sa më e shpejtë e kësaj qeverie jep shpresë për rimëkëmbjen e këtij vendi”, ka përfunduar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, Haxhi Avdyli, për gazetën “Bota sot”.

Drita Millaku: Qeveri e lodhtë

Ndërsa, në një linjë me deputetin e LDK-së është edhe një deputete nga radhët e LVV-së.

Image
Drita Millaku

Drita Millaku në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se puna e qeverise aktuale gjatë periudhës një vjeçare nuk donë shumë analiza që të shihet se është e dështuar.

Sipas Millakut, tradhtia dhe falja e tokave Malit të Zi, mashtrimi për liberalizimin e vizave janë disa nga dështimet e kësaj qeverie.

“Puna një vjeçare e qeverisë nuk donë shumë analiza që të shihet se është e dështuar. Mbi 150 milion euro të falura firmave nga taksapaguesi. 23 ministra prej tyre vetëm një femër. Afër 100 zëvendësministra, paga dhe shpenzimet e të cilëve arrin shumën e 10 milionë eurove. Tradhtia dhe falja e tokave Malit të Zi, mashtrimi për liberalizimin e vizave”, ka thënë Millaku.

Ajo me tej ka thënë se, statistikat tregojnë se numri i të rinjve që dalin jashtë shtetit për të kërkuar perspektivë është alarmante.

“Statistikat tregojnë se numri i të rinjve që dalin jashtë shtetit për të kërkuar perspektivë është alarmante. Gjendja ekonomike e qytetarëve është në rënie. Pothuajse  ka një vit që nuk është hapë asnjë fabrikë, nuk ka asnjë investim të huaj në Kosovë”, është shprehur ndër tjerash ajo.

Deputetja e Vetëvendosjes ka potencuar se Qeveria Haradinaj e ka harruar qytetarin, ndërsa, siç ka thënë ajo, kjo qeveri i është gjunjëzuar  Serbisë.

“Qeveri që ka humbur shpresën e qytetarëve. Qeveri që krijon kriza politike për ta harruar gjendjen e vështirë ekonomike. Qeveri e boksierëve, qeveri pa numra, qeveri analfabete, qeveri që kënaq apetitet e partive për pushtet. Qeveri që e ka harruar qytetarin, qeveri që është gjunjëzuar Serbisë. Shkurtë qeveri e lodhtë dhe e dërmuar nga paaftësia”, ka thënë në fund deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Skandale dhe cirk

Image
Faik Krasniqi

E, analisti politik, Faik Krasniqi, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se me asnjë nga qeveritë e Kosovës së pasluftës nuk mund të mburremi.

Krasniqi ka thënë se më shumë se gjysma e popullatës presin liberalizimin e vizave për të ikur drejt perëndimit. Sipas tij, kjo është pasqyra e gjendjes në Kosovë.

“Me asnjë Qeveri në Kosovën e pas luftës nuk mund të mburremi. Pushtete për interesa klienteliste. S'kemi zhvillim ekonomik, papunësi enorme, shëndetësi e arsim në gjendje të mjerueshme. Më shumë se gjysma e popullatës presin liberalizimin e vizave për të ikur drejt perëndimit. Kjo është pasqyra e gjendjes në Kosovë”, ka theksuar Krasniqi.

Ndërsa, sa i përket Qeverisë Haradinaj, Krasniqi ka deklaruar se, as kjo qeveri nuk ka asnjë notë pozitive, përveç rritjes së numrit të ministrave.

“Çfarë të themi për Qeverinë Haradinaj? Nuk ka dallim me Qeveritë paraprake. Ashtu siç nuk ka nota pozitive për qeveritë e kaluara, as kjo Qeveri nuk ka asnjë notë pozitive, përveç rritjes së numrit të ministrave, një brigadë e tërë e zv-ministrave dhe rritja e pagave për kabinetin qeveritar dhe vartësve të tyre. Skandale dhe cirk. Ikja e njerëzve drejt perëndimit, tregon gjendjen e mjerueshme në vendin tonë”.

“Por, që kjo gjendje nuk do të ndryshojë as me Qeverinë e ardhshme, sepse tek ne është instaluar një sistem zhvatës. Dhe çfarë është më e keqja që politikanët tanë shtetin e konsiderojnë lopë që duhet mjelur dhe po e vjelin vazhdimisht, por fatkeqësisht kjo mendësi është edhe tek më shumë se gjysma e popullatës që janë familjarizuar me krimin politik dhe ekonomik në Kosovë”, shtoi analisti dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Faik Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test