Presidenti hedhë pas krahëve padinë për krime lufte, kërkon paqe me Serbinë - Bota Sot
Presidenti hedhë pas krahëve padinë për krime lufte, kërkon paqe me Serbinë

Politika

E premte, 16 nëntor 2018

Presidenti hedhë pas krahëve padinë për krime lufte, kërkon paqe me Serbinë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 shtator 2018 Në ora: 08:07
Synimi i Thaçit për të arritur paqe pa ndëshkimin e krimeve të luftës

Bilanci i të vrarëve, të zhdukurve dhe shkatërrimet e objekteve të banimit nga lufta në Kosovë  vazhdon të jetë në kujtesën e qytetarëve të Kosovës, ndërsa vizita e Presidentit serb në Kosovë, Aleksandër Vuçiq ka rihapur plagët tek ata.

Vuçiq ka qëndruar në vizitë dy ditore në Kosovë, përkundër që fillimisht nuk ishte aprovuar leja e tij.

Ai të shtunën ka qëndruar fillimisht në liqenin e Ujmanit, ndërsa të dielën kishte planifikuar të shkojë në Drenicë, ku ka hasur në rezistencë të drenicasve, që kishin organizuar protestë për parandalimin e vizitës së tij.

Protesta në Drenicë, sipas presidentit Thaçi tregon që plagët e dhimbjes dhe luftës janë ende shumë të freskëta.

Por, sipas Thaçit, në kohën kur bëhet përpjekje për paqe dhe pajtim,  protestat dhe bllokimi i rrugëve, aspak nuk ndihmojnë.

“Si President i Kosovës, e mirëkuptoj plotësisht reagimin e qytetarëve të Drenicës, të cilët kanë shprehur revoltën e tyre të arsyeshme kundër një vizite të tillë. Kjo tregon se plagët e dhimbjes dhe luftës janë ende shumë të freskëta. Megjithatë, në kohën kur jemi duke bërë përpjekje për paqe dhe pajtim, protestat dhe bllokimi i rrugëve, aspak nuk na ndihmojnë”, ka shkruar pos tjerash, Thaçi në Facebook.

Pozitë dhe opozitë në Kosovë, janë shprehur kundër vizitës së Vuçiqit në këtë fazë që gjendet Kosova, ndërkaq edhe analistët politikë e konsiderojnë hap të gabuar vizitën e tij.

Presidenti Hashim Thaçi, sidomos nëpër përvjetorët e masakrave kishte paralajmëruar se shumë shpejt Serbia do të paditet për gjenocidin që ka kryer në Kosovë, por një padi e tillë nuk është bërë përkundër 10 viteve pavarësi dhe 19 viteve çlirim.

Kajtazi: Bisedimet janë joserioze

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi, bisedimet me palën serbe nuk i konsideron serioze, ndërsa sipas saj, kërkim-falja është më e pakta që mund të bëjë Serbia për ato që kanë ndodhur.

Image
Lirije Kajtazi

Kajtazi për “Bota sot”, është shprehur se në dialog fillimisht nuk janë diskutuar pikat më të rëndësishme dhe kryesore, prandaj ky është lëshim i palës nga Kosova.

“Natyrisht krejt ato që duhet të flasin për seriozitetin me palën tjetër që ka lënë një konflikt prapa, është më e pakta kërkim- falja për ato që kanë ndodhur. Renditja e pikave të rëndësishme apo kryesore të dialogimit do të duhej të ishin dhe është një lëshim i madh prej elitës kosovare që është dashur të bëhej me kohë,  që  pa biseduar për të pagjeturit dhe një formë ta mbajë peng Serbinë, nuk do të duhej të vazhdohej tutje dhe shumë çështje tjera me rëndësi”, ka thënë Kajtazi.

Serbia vazhdon të ketë në kushtetutën e saj edhe Kosovën, ndërkaq për ndryshim të kushtetutës së të dyja vendeve Presidenti ishte shprehur optimist nëpër deklarata të tij.

Për ndryshim kushtetute, nuk ishte përjashtuar formimi i Asociacionit që do t’i jepte kompentenca serbëve në Kosovë, ndërsa për shkëmbim të territoreve Kosovë- Serbi thuhet se janë pajtuar të dy presidentët Thaçi- Vuçiq.

Kajtazi: Nuk guxojmë të shkojmë hapave të rrezikshëm të presidentit

Përderisa, Serbia vazhdon të ketë pretendime territoriale dhe përderisa ka në kushtetutë të saj, Kosovën, deputetja e LDK-së ka thënë se këtu shihet serioziteti në komunikimin e të dyja vendeve.

Kajtazi ka shtuar se, sinjalet e Thaçit janë të rrezikshme për tërësinë territoriale të Kosovës.

“Përderisa Serbia vazhdon të ketë pretendime territoriale, duke pasur Kosovën si pjesë kushtetuese të saj, duke nxitur nacionalizëm dhe keqpërdor edhe votimet dhe deklarimin vullnetar edhe me popullin serb, natyrisht që nuk shihet serioziteti në komunikim mes të të dyja shteteve. Duhet të ketë sinjale për seriozitet në mënyrë që të guxojmë të shkojmë në hapat të cilat Presidentit Thaçi guxon t’i proreklamojë,  e të cilat nuk janë aspak serioze, përkundrazi janë rrezik për  tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës”,  ka shtuar Kajtazi.

Javën e kaluar ishte paraparë takimi i radhës i fazës finale të dialogut me Serbinë, mirëpo presidenti serb kishte refuzuar takimin trepalësh duke u takuar vetëm me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Arsyet e anulimit të takimit nga ana e Vuçiqit, sipas shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, janë për shkak të gënjeshtrave, mashtrimeve dhe qasjes së neveritshme që përfaqësuesit e Kosovës treguan ndaj serbëve duke kërcënuar e ofenduar bijën e Vuçiqit.

Ndërsa, Presidenti Hashim Thaçi pas takimit me Mogherinin ishte shprehur se në çdo takim me homologun e tij serb, po kuptohen vështirësitë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare.

Sipas tij, konflikti nuk mund të zgjidhet brenda javëve apo muajve, por njerëzit meritojnë paqe.

“Është konflikt më shumë se një shekullor dhe nuk mund të zgjidhen brenda ditëve javëve dhe muajve, por njerëzit meritojnë paqe dhe gjeneratat e ardhshme meritojnë që të kenë të ardhme më të sigurt”, ka thënë Thaçi.

Ismaili: Diplomacia për paqe e Thaçit ndërlidhet me Gjykatën Speciale

Kurse, Partia Socialdemokrate thotë se paqja e synuar e nga Thaçi nga të bëjë me Gjykatën Speciale.

Duke komentuar reagimin e Thaçit pas protestës në Drenicë, i cili kërkonte paqe përkundër krimeve të bëra nga Serbia dhe mos gjykimit të saj, deputeti i PSD-së, Fisnik Ismaili ka thënë për “Bota sot”, se diplomacia e Thaçit për të arritur paqe me Serbinë ka të bëjë me Gjykatë Speciale.

Image
Fisnik Ismaili

“Kjo diplomacia e Hashim Thaçit për të arritur paqe me Serbinë ka të bëjë me Gjykatën Speciale dhe faktin që momentin që arrihet paqja që të gjykohet nga Gjykata Speciale si e tillë, edhe Hashim Thaçi shpëton prej saj. Unë personalisht mendoj që kjo është tërësia e gjithë kësaj pune, e arritjes së paqes që po e synon Hashim Thaçi”, është shprehur Ismaili.

Kundër vizitës së presidentit serb ishin shprehur fillimisht krye parlamentari dhe ministri i punëve të jashtme, duke thënë se Vuçiq nuk ka arsye përse ta vizitojë Ujmanin.

Kurse, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ishte shprehur se Kosova është vend mikpritës dhe kësisoj beson në lirinë e shprehjes dhe vlerat demokratike.

Por, deputetja e cila vjen nga partia e kryeministrit (AAK), ka qenë kundër kësaj vizite.

Haxhiu: Vizita nuk duhej të ndodhte 

Deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë për “Bota sot”, se në bisedime nuk është diskutuar seriozisht për krimet e bëra nga Serbia.

Vizita e Vuçiqit në Kosovë, sipas Haxhiut, nuk do të duhej të ndodhte fare.

Image
Teuta Haxhiu

“Unë mendoj se asnjëherë nuk është biseduar me seriozitet më të madh si shtet i Republikës së Kosovës për krimet e bëra nga Serbia, në këtë rast nuk duhet të lihet anash roli i BE-së për ta çuar deri në fund këtë çështje. Vizita e Presidentit serb Aleksandër Vuçiq, për mua personalisht nuk do të duhej të ndodhte fare në Kosovë, megjithatë ka ndodhur, duhet ta kuptojmë që ai është një prej njerëzve që nuk ia donë interesin e serbit në Kosovë dhe haptazi shihet që politika e tij është në dëm jo vetëm të shqiptarëve, por edhe në dëm të serbëve në Kosovë dhe këtë e kanë konfirmuar me dhjetëra herë serbët në veri apo kudo që jemi takuar si deputet të parlamentit të Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu për gazetën “Bota sot”.

Vizitat e krerëve të Kosovës në Preshevë apo në shtetin serb ku janë shqiptarë janë të rralla për të mos thënë nuk janë realizuar fare.

Madje, të hënën ministri i brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se ministria që ai drejton do të veprojë në përputhje me urdhrin e gjykatës në rastin e vizitës  së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Luginë të Preshevës.

Stefanoviq në pyetje të gazetarëve nëse Serbia do të vepronte në mënyrë diplomatike në rast të shkuarjes së Thaçit “ose do të arrestohej nën akuzat tona”, u përgjigj se Serbia është një vend ku ekziston sundimi i ligjit.

Më e pakta është kërkim- falja, por duhet të ketë drejtësi

Deputetja nga radhët e AAK-së, si arsye tjetër për mos lejimin e vizitës së presidentit serb në Kosovë, ka përmendur edhe vizitat e tyre të palejuara.

Haxhiu nuk ka dashur të komentojë reagimin e Thaçit për protestën në Drenicë, gjersa ka ripërsëritur se vizita e Vuçiqit nuk do të duhej të ndodhte.

“Prandaj, Vuçiq është destebalizues. Dhe, përderisa vizitat tona nuk ndodhin në shtetin serb ku i kemi njerëzit tanë shqiptarë, në Preshevë e kudo, ne nuk mund të endemi lirshëm. Megjithatë është Presidenti i një vendi që ne jemi në dialog dhe uroj që ky dialog të përfundojë sa më shpejt, normalisht që duhet ta di që më e pakta është kërkim- falja, por duhet të ketë drejtësi”, ka pohuar Haxhiu.

Ajo vizitën e Vuçiqit e konsideron fushatore, por sipas saj, ai duhet informuar se Kosova është Republikë dhe kudo mund të provokojë, por provokimet nuk i sjellin interes dialogut.

“Prandaj, edhe njëherë nuk dua të komentojë asnjë deklaratë tjetër, por mendimi im personal është që vizita e tij nuk është dashur të ndodhë në Kosovë në këtë situatë, ngase asnjë faktor nuk na çon të besojmë se rrethanat e mira të tij, sa herë kemi biseduar me serbët kudo në Kosovë ata flasin kundër Vuçiqit, flasin se ai nuk punon për interesat e tyre. Prandaj edhe njëherë them që kjo vizitë ishte më tepër fushatore sikurse ndodhë shumë herë, por duhet t’i bëhet e ditur edhe atij zotërisë atje se Kosova është Republikë dhe kudo mund të provokojë, por provokimet nuk i sjellin interes dialogut, apo fazës së dialogut”, ka shtuar tutje Haxhiu.

Sipas të dhënave të fundit të grumbulluara, në Kosovë nga janari 1998 deri më 12 qershor 1999 ka pasur 12.843 viktima të nacionalitetit shqiptar, prej tyre 1741 femra, ndërsa në altarin e lirisë kanë rënë 2261 dëshmorë, në mesin e tyre 68 dëshmorë e martirë nga Shqipëria. Veç vrasjeve, janë shkatërruar më se 188 mijë objekte banimi, janë dëbuar nga Kosova më se 1 milion banorë.

Beqaj: Preokupimi i Thaçit nuk është padia

Politologu Belul Beqaj, ka thënë se bllokada në Drenicë ishte disponimi real i popullit.

Image
Belul Beqaj

Beqaj lejimin e vizitës në atë pjesë e quan vendim të gabuar të politikanëve nga Kosova.

“Bllokada është indikatori i  disponimit real të popullit që nuk i ka shëruar plagët e luftës, ndërsa lejimi i  vizitës në atë pjesë ishte vendim i gabuar i politikanëve kosovarë të huajtsuar nga realiteti dhe dëmet që mund të shkaktohen në raporte diplomatike për këtë mos njohuri”, ka thënë Beqaj.

Deklaratat për padi ndaj Serbisë për krimet në Kosovë, Beqaj i quan më shumë shpëtim i Thaçit.

“Preokupimi i Thaçit, pas shumë aventurave të pasuksesshme, siç ishte - gjoja se nisma për transformimin e FSK-së, në Ushtri, Shfuqizimi i Ligjit për Gjykatë Speciale, korrigjimi  i kufirit...është si do të shpëtojë veten, e jo si të ngritë padinë për krime të luftës!”, ka përfunduar Beqaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test