Politologu i njohur tregon se si mund të arrihet bashkimi i Preshevës, Bujanovcit dhe Medvgjës me Kosovën

Politika

Politologu i njohur tregon se si mund të arrihet bashkimi i Preshevës, Bujanovcit dhe Medvgjës me Kosovën

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 shtator 2018 Në ora: 21:27
Ramush Tahiri

Përfaqësuesit e Preshevës, Medgjevës dhe Bujanocit kanë kërkuar që në Kuvendin e Kosovës të miratohet një rezolutë që ata e kanë prezantuar, përmes së cilës kërkohet bashkimi i këtyre tre komunave me Kosovën.

Lidhur me mundësinë që në Kuvend të miratohet një rezolutë e tillë, politologu Ramush Tahiri, ka thënë se mbështet një rezolutë të tillë, që në vitin 1991 ishte bërë referendum në përkrahje të një ideje të tillë.

“Në kuadër të kultivimit të shprehjes së lirë në një shtet demokratik çfarë është Kosovës, unë i jap mbështetje të plotë miratimit të një Rezolute në Kuvendin e Kosovës me të cilën miratohet kërkesa e banorëve të tri komunave të Luginës së Kosovës për t’iu bashkuar shtetit të Kosovës. Referendumi më përkrahje unanime ishte mbajtur me 1-2 mars të vitit 1992 dhe ishte në harmoni të plotë me Deklaratën e Njëmbëdhjetë partive politike shqiptare për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Jugosllavi të miratuar më muajin gusht të vitit 1991, pra me variantin apo opsionin e dytë. Atëherë Kosova nuk ishte shtet dhe nuk mund të përmbushte obligimin ndaj kësaj kërkese dhe njëherësh edhe platforme”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, tani janë krijuar kushtet që ky vullnet të përmbushet, edhe pse thotë se rezolutat e miratuara në Kuvend nuk kanë fuqi ligjore.

“Sot duket që janë krijuar të gjitha kushtet formalo-juridike që ky vullnet i kahmotshëm të përmbushet. Edhe pse rezolutat e miratuara në Kuvendin e Kosovës nuk e kanë fuqinë ligjore dhe nuk janë obliguese ato e shprehin një qëndrim dhe një synim dhe e kanë një forcë mobilizuese. Nga një pjesë e mirë e deputetëve konsiderohen se rezolutat e Kuvendit janë obliguese sepse përndryshe pse do të miratoheshin me votim të rregullt dhe thonë se në Rregulloren e punës së Kuvendit shkruan se ato janë obliguese. Tjetër që Kuvendi nuk ka penalizuar askënd në rast që nuk e zbaton Rezolutën, pra nuk ka masa ndëshkuese të inkorporuara në ligj”, ka vlerësuar Tahiri.

Ai shpjegon se kërkesa për bashkim nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe as në kundërshtim me nenet kushtetuese për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit.

“Kërkesa e përfaqësuesve institucional të Luginës së Preshevës është plotësisht kushtetuese dhe nuk është në kundërshtim me Nenin 1 pikën 3 të Kushtetutës së Kosovës e cila ushte shkruar enkas për të penguar e ndaluar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë e që ishte miratuar unanimisht dhe me dëshirë e bindje nga përfaqësuesit e atëhershëm të popullit një pjesë prej të cilëve janë edhe sot deputetë. Gjithashtu nuk është as në kundërshtim me nenet kushtetuese për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial te vendit sepse bashkimi i Luginës së Preshevës e forcon sovranitetin e Kosovës ndërsa e mbështet integritetin territorial sepse nuk e cenon e as zvogëlon por e rritë territorin e Republikës së Kosovës dhe me këtë e shton fuqinë e saj dhe i rrit resurset dhe kapacitetet natyrore veçanërisht ato njerëzore”, ka theksuar politologu Ramush Tahiri.

Sipas tij, nuk kanë të drejtë ata që thonë cenohet parimi i paprekshmërisë së kufijve.

“Nuk kanë të drejtë ata që thonë se cenohet parimi i paprekshmërisë së kufijve duke e konsideruar këtë si një gjë të shenjtë sepse kjo ka të bëjë me cenimin dhe me ndërrimin e kufijve me dhunë dhe me imponim. Në të drejtën ndërkombëtare nxiten marrëveshjet për ndryshimin përkatësisht për caktimin e kufijve në paqe dhe në mirëkuptim, gjë që edhe po ndodhë, si ishte rasti Çeki-Sllovaki por jo edhe Ukrainë- Krime”, ka deklaruar ai.

Tahiri thotë se si qytetar i Kosovës nuk do të mund të ishte kundër që ato tre komuna të bashkohen me Kosovën, se nuk do të mund të arsyetonte një vendim kundër që ta t’i largonte ato nga Kosova.

“Unë si qytetar në asnjë rast nuk do të dëshiroja të isha në anën e kundërt të synimeve të vullnetit të shprehur lirshëm të popullit shqiptar. Nuk do të kisha pasur zemër të votoj kundër vullnetit e dëshirës së Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën ku natyrshëm përkasin. Kurrë nuk do të mund të arsyetoja një vendim të tillë i cili përfundimisht do ta largonte Luginën e Preshevës nga Kosova”, ja përfunduar Ramush Tahiri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat