“Në LDK, elemente që punojnë për Thaçin”

Politika

“Në LDK, elemente që punojnë për Thaçin”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 16 shtator 2018 Në ora: 14:22
Hashim Thaçi, Lutfi Haziri

Ideja për ndryshimin e kufijve, e plasuar nga Presidenti Hashim Thaçi, është bërë “mollë sherri” ndërmjet anëtarëve të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ka mjaftuar një vizitë e disa deputetëve të LDK-së me në krye Vjosa Osmanin, në Mitrovicë, që të reagojë nënkryetari i kësaj partie Lutfi Haziri. Ky i fundit ka thënë se gjithsesi do ta bashkojë Kosovën Lindore, ndërsa ka akuzuar deputetët e partisë së tij se po “sheshin mend” për vota.

I menjëhershëm ka qenë kundër-reagimi i Vjosa Osmanit, e cila ka thënë se ‘Atyre që i bëjnë argat idesë së ndarjes do u thosha marre ju koftë, por kurrë në jetën e tyre s’kanë pasur as marre e as fytyrë”.  

E lidhur me këto zhvillime brenda subjektit më të madh opozitarë, eksluzivisht për gazetën “Bota sot”, kanë folur njerëz të afërt të LDK-së dhe njohës të zhvillimeve në vend.

Gazeta “Bota sot”, gjithashtu ka provuar të marrë komente edhe nga deputetët e përfshirë në këtë çështje, mirëpo asnjëri nga ta nuk ka qenë i gatshëm të përgjigjet për gazetën.

Saim Tahiraj: Në LDK, elemente që punojnë për Thaçin

Image
Saim Tahiraj

Saim Tahiraj, ish-bashkëluftëtar i heroit të kombit Sali Çekaj, ka rrëfyer ekskluzivisht për gazetën “Bota sot”, të pathëna rreth çështjes së kufijve të Kosovës.

Tahiraj, ka thënë se edhe profesor Fehmi Agani në prezencën e heroit të kombit, Sali Çekaj, ka folur rreth idesë së shkëmbimit të territoreve, si një opsion i mundshëm.

Mirëpo, sipas tij, të dalësh në këtë kohë me këtë ide të kopjuar, është një lojë shumë e rrezikshme ,pasi që kontesti kohorë ndryshon shumë.

 “Ideja e korrigjimit të kufijve në mesë të Kosovës dhe Serbisë, nuk është ide e Hashimit Thaçit dhe e Lutfi Hazirit, ajo ka qenë si ide edhe shumë më herët. Më kujtohet kur me disa shokë të njësiteve guerile nga Zvicra, shkuam në Gjermani dhe u takuam me shokë të tjerë në zyrën e LDK-së në Stuttgart të Gjermanisë, ku na priti Sali Çekaj me shokë. Kishim një takim me profesor Fehmi Aganin. Posa hymë në zyrën e tij pamë disa harta që i kishte hapur në tavolinën e punës. E pyetëm se çfarë janë ato, dhe na u përgjigj se, “Jam duke e shikuar si njërin ndër opsionin e mundshëm të ndërrimit të territoreve”. Ishte viti 1993 dhe në atë kohë ishin të hapura shumë opsione me të cilat manovronin udhëheqja e jonë politike. Mirëpo të dalësh në këtë kohë me këtë ide të kopjuar, është një lojë shumë e rrezikshme ,pasi që kontesti kohorë ndryshon shumë. Ndryshimi i kufijve në mesë të Kosovës dhe Serbisë automatikisht do provokonte edhe ndryshime te kufijve të shteteve tjerë në rajon dhe më gjerë”, ka thënë Tahiraj.

Ndër të tjera, tutje, Tahiraj thekson se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po provokon me këtë ide, pasi që, siç thotë ai, krejt këtë po e bënë për ta mbajtur të tensionuar dhe për ta larguar fillimin e punës së Gjykatës Speciale.

Në fund, ai shton se, fatkeqësisht, edhe në LDK ka elementë që punojnë për Hashim Thaçin.

“Të dalësh sot me një ide të tillë, do të thotë se ke një hallë të madh personal. Hashimi provokon situatën për ta mbajtur të tensionuar dhe për ta larguar fillimin e punës së Gjykatës Speciale. Të gjitha kanalet e veta, qofshin ato të PDK-së dhe SHIK-ut i ka futur në lëvizje të realizimit të këtij skenari të rrezikshëm për Kosovën. Fatkeqësisht ka edhe në LDK elementë që punojnë për të. Përkrahja publike e kësaj ideje nga Lutfi Haziri bëhet për dy qëllime: Njëra për t’i kënaqur miqtë e tij në PDK dhe SHIK, dhe që nuk janë të paktë, dhe e dyta për t’i mbajtur votuesit e vetë nga Lugina e Preshevës, të cilët janë shumë që jetojnë në Gjilan me rrethin. Kjo është shumë e pasinqertë të luash me ndjenjat e tyre vetëm për vota. Qëndrimi i Vjosa Osmanit është shumë parimorë, në përputhje me qëndrimet e grupit parlamentar të LDK-së. Unë e mbështesë idenë e saj që vetëm me protesta gjithë popullore të pengohet kjo lojë e rrezikshme e Hashimit, por që këto protesta t’i organizoj dhe menaxhoj LDK-ja dhe kurrsesi t’i lejoj VV-së, sepse ata janë të paparashikueshëm dhe situata mundë të eskalojë në drejtime të gabuara”, ka përfunduar Saim Tahiraj për gazetën “Bota sot”.

Binak Maxharraj: Lutfi Haziri po e luan lojën e djallit të PDK-së brenda LDK-së

Image
Binak Maxharraj

E, Binak Maxharraj, si person që e njeh thellë politikën vendore dhe zhvillimet e saj, duke e komentuar përplasjen e fundit në LDK, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nga shkuarja e presidentit Ibrahim Rugova, kjo parti assesi më nuk është rehatuar.

Sipas tij, njerëzit e vjetër janë bërë pengesa serioze të ecjes përpara të LDK-së.

“Njerëzit e vjetër janë bërë pengesa serioze e ecjes së LDK-së përpara. Më këta njerëz që e kanë kapur dhimbshëm LDK-në, kjo parti nuk mund të reformohet. Po e veçojë Lutfi Hazirin dhe Agim Veliun, të cilët në çdo rrethanë ishin dashur të lënin të qetë LDK-në. Derisa, Agim Veliu është i lidhur përmes biznesit me strukturat e PDK-së dhe SHIK-ut, dhe nuk guxon as të ndihet i gjallë, bile tash së fundi ky mjeran thotë se nuk duhet të protestohet, ani pse vendi është në rrezik të madh të lëndojë pavarësinë dhe tërësinë territoriale të sajë. Kurse, ky i dyti, Lutfi Haziri është futë keq në trekëndëshin e bermudeve. Është tepër arrogant brenda LDK-së nuk përfillë asgjë që vije nga LDK-ja, shkon në krye në vete edhe kundër qëndrimeve të LDK, është idhetar dhe bisht i zgjatur i PDK-së dhe SHIK-ut te cilët e shantazhojnë dhe luajnë më të si të donë. Është një teveqel që nuk e kontrollon vetën, është shahë në vete, ky njeri është manipulues i ndjenjave të popullatës së Luginës së Preshevës, e përkrah Thaçin në ndryshimin e kufijve, sikurse këta kufij të ishin si loja në shahë”, është shprehur ai.

Maxharraj në fund ka theksuar se, sjellja e Lutfi Hazirit brenda LDK-së dhe lidhja e tij me shumë “bishta” jashtë LDK-së është e mjaftueshme që kjo parti të ketë kurajën dhe guximin që t’i thotë mjaftë.

“Luta tani na u ka bërë edhe një “hoxhë” i madh, i viziton edhe xhamitë ku nganjëherë edhe bëhet përrall aty. Lutfi Haziri po e luan lojën e djallit të PDK-se brenda LDK-së, është njeri i ngatërresave dhe përçarjeve midis anëtarëve të LDK-së. Sjellja e tij ndaj figurës më të ndritshme, më të votuar në LDK, i cili në stilin e një arroganti dhe rrugaçërie iu vërsul Vjosa Osmanit, e cila së bashku me bashkëpartiakët  Armend Zemajn dhe Haxhi Avdylin, patën guxim dhe kurajë ta kalojnë Urën e Ibrit, ku shkuan në Boletin që t’i përkulën Isa Boletinit, kësaj figure të madhe të kombit. Ky njëri me fjalorin e tij prej rrugaçërie nuk ka të drejtë ta ofendoi askënd, e aq me pak zonjën e madhe të LDK-së, Vjosa Osmanin, duke e quajtur”nuse e Preshevës”.

“Sjellja e tillë e Lutfi Hazirit brenda LDK-së dhe lidhja e tij më shumë bishta jashtë LDK-së është e mjaftueshme që kjo parti të ketë kurajon dhe guximon që t’i thotë këtij njeriu ndalu, sepse bollë më, e teprove, ose... aty brenda në LDK ka njerëz të zotë, njerëz të rinj të cilët janë të aftë ta dërgojnë partinë përpara, siç janë Vjosa Osmani, Driton Selmanaj, Lumir Abdixhiku, Anton Çuni, Naser Rugova, që janë të aftë ta udhëheqin partinë dhe të bëhen tmerri i PDK-së dhe SHIK-ut. Më këta njerëz të rinj në krye të partisë në çdo zgjedhje do t’i linte pas të gjitha partitë tjera, kurse me këta pleqtë është vështirë të marrë vota të mjaftueshme. Pra, LDK është në skëterrë, është në errësirë, duhet të lirohet nga njerëzit tanimë të kalbur në LDK”, ka përfunduar Binak Maxharraj për gazetën “Bota sot”.

Jeton Kelmendi: Ky debat e dëmton LDK-në

Image
Jeton Kelmendi

Ndërsa, analisti politik, Jeton Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se deklarimet nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Hazri, ishin tragjedi për LDK-në dhe për tërë Kosovën.

“Ajo që kemi parë në televizion publik, ku njëri nga nënkryetarët Lidhjes Demokratike të Kosovës, më konkretisht Lutfi Hazirin, ishte tragjedi për LDK-në dhe për Kosovën. E gjithë kjo dëshmon se është produkt i SHIK-ut dhe strukturave paramilitare të PDK-së të cilat janë të kapura nga strukturat serbe. Lutfi Haziri është bisht i Hashim Thaçit dhe ato sulme aq të turpshme që po i bënë ndaj tre deputetëve, me theks të veçantë ndaj deputetes Vjosa Osmani, njeriut më të përgatitur në Kuvendin e Kosovës në aspektin juridik, e cila ka dëshmuar shumë për Kosovën si shembull në Gjykatën e Hagës.  Realisht është tragjike”, ka thënë Kelmendi.

Tutje, ai ka thënë se, në kushte normale, LDK-ja duhet të distancohet ndaj deklaratave të nënkryetarit Haziri.

“Në kushte normale LDK-ja duhet të distancohet ndaj deklaratave të nënkryetarit të saj dhe duhet njëkohësisht që LDK-ja ta shkarkojë dhe jo të pres që të ketë rezultat nga zgjedhjet. Duke qenë bisht i Hashim Thaçit, ka ndikim të madh në dëm të Kosovës. Ky debat e dëmton LDK-në , gjegjësisht e dëmton tërë Kosovën , në këtë rast unë pres që kjo parti të mos rrijë duarkryq, por hapur të distancohet ndaj Lutfi Hazirit dhe të dalin hapur në mbështetje ndaj deputetes më të votuar femër në Kuvendin e Kosovës, ka thënë ai.

Në fund, Kelmendi thekson se përderisa ky vend nuk çlirohet, nga siç thotë ai nga “bishtat” e Hashim Thaçit dhe SHIK-ut, Kosova vetëm do të vuaj.

“Përderisa ky vend nuk çlirohet nga bishtat e Hashim Thaçit dhe SHIK-ut, Kosova do të vuaj dhe vetëm do të vuaj nga këto mbetje të sistemeve të ndryshme”, ka përfunduar analisti politik, Jeton Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat