Skandalozët festuan ditëlindjen e parë

Politika

Skandalozët festuan ditëlindjen e parë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 17 shtator 2018 Në ora: 18:25
Qeveria PANA-Lista Serbe

Në shtatorin e vitit të kaluar, Ramush Haradinaj arriti të ulet në karrigen e kryeministrit, duke u përkrahur nga 22 parti së bashku në një koalicion të përbashkët. Bartësit e këtij pushteti, e quajnë këtë qeveri si “Qeveria e Vendimeve të Mëdha”. Ata kishin të drejtë, sepse çdo vendim i tyre ishte një skandal i madh.

Me këtë qeveri të drejtuar nga Haradinaj, Kosova u bë pothuajse shteti i vetëm në Evropë që kishte një skenë të madhe politike, ku u rehatuan rreth 80 persona në postin e zëvendësministrave. Përveç tyre, shumë të tjerë u emëruan si këshilltar politik.

Me të ardhur në qeveri, Haradinaj filloi takimet me njeriun e nëntokës së krimit në Veriun e Mitrovicës, Milan Radojiqiç. Ky i fundit u ul në zyrën e kryeministrit, ndonëse ishte i dyshuar për trafikim dhe kontrabandë. Pas Radojiçiq, vazhdoi takimet me ministrin Rikallo, i cili mori akuza se ishte pjesë e bandave serbe gjatë luftës në Kosovë, të cilët kryenin krime dhe maltretonin njerëz.

Kjo qeveri, e cila mbështet në ligjet e Kosovës, shkeli disa nga to për t’ia siguruar “Contour Global”-it në shitjen, kredinë dhe fitimin prej 18.5%, kurse i bëri qytetarët të paguajnë më shumë për to.

Gjatë mandatit të tij, ai ia rriti pagën vetës së tij përmbi 100%, nën arsyetimin se i duheshin për kollare. Me këtë rritje përfituan edhe ministrat dhe zëvendësministrat e shumtë. Kur jemi te këta të fundit, ata në raportet te kryeministria dërguan raporte skandaloze dhe qesharake, për ta vërtetuar se kjo qeveri është e interesit dhe nepotizmit.

Skandali që mund të konsiderohet si më i madhi gjatë qeverisjes së Haradinajt, ishte humbja e 8200 hektarëve tokë, duke ia falur Malit të Zi. Për këtë Haradinaj ishte shumë i ashpër sa ishte në opozitë, duke e kundërshtuar në mënyrat nga më të ndryshmet, madje edhe duke ofenduar njerëz. Ai në postin e të parit të qeverisë, kritikonte ashpër opozitën që nuk po e votojnë demarkacionin. Më pas, ai premtoi që do të ndodhte rishikimi i tij, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Me këtë qeveri, Kosova humbi 53 milionë euro duke ia dhuruar kompanisë “Bechtel Enka”, e një arsyetim për këtë nuk ndodhi kurrë, përveç tentimeve për ta hedhur fajin diku tjetër.

Ai e kundërshtoi sa ishte në opozitë formimin e asociacionit të komunave serbe, mirëpo sa erdhi në pushtet, e rifilloi “Zajednicën” me iniciativën për hartimin e saj.

Gjatë qeverisjes së tij, Haradinaj u mundua ta shpëtojë PTK-në nga falimentimi, mirëpo shfrytëzoi rastin për nepotizmin e radhës, duke emëruar Gent Begollin në krye të kësaj kompanie. Ai është pjesë e AAK-së.

Haradinaj, shtoi skandalet e tij duke e ofenduar prokurorin e dorëhequr Elez Blakaj, i cili dha dorëheqje nga kërcënimet e vazhdueshme nga institucionet e Kosovës, pasi që mori guximin të hetojë listat e fryra të veteranëve.

Në skandalet e tij bën pjesë edhe pagesa prej 1 milion eurove për shpenzimet energjetike të serbëve që jetojnë në Mitrovicë, pasi ata vetë nuk e paguajnë, por këtë duhet ta bëjnë shqiptarët e Kosovës.

Mbi të gjitha, brenda kësaj qeverie, ka ministra të cilët kanë aktakuza të ngritur nga prokuroria, për keqpërdorime të pozitës zyrtare e korrupsion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat