Kush po e dëmton procesin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol? Flet Gjergj Dedaj - Bota Sot
Kush po e dëmton procesin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol? Flet Gjergj Dedaj

Politika

E hënë, 22 tetor 2018

Kush po e dëmton procesin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol? Flet Gjergj Dedaj

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 shtator 2018 Në ora: 15:17
INTERPOL

Kosova në nëntor do të tentojë të marrë votat për anëtarësimin në INTERPOL, ndërsa Ministria e punëve të Jashtme thotë se mungon vullneti për punë ekipore në ministri dhe kjo e dëmton procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj ka thënë për “Bota sot”, se mekanizmat shtetërorë do të duhej të mobilizohen për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe kjo jo vetëm nëpër rrjetet sociale, apo nëpër deklarime mediatike.

Kabineti qeveritar aktual është duke numruar një numër të madh të zëvendësministrave, ndërkaq Dedaj ka treguar se ata nuk ngarkohen me çështjet si për shembull anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, apo edhe në detyra tjera me rëndësi për Kosovën.

“Anëtarësimi i Kosovës në Interpol nuk arrihet përmes Facebook-ut dhe konferencave të shtypit, anëtarësimi i Republikës së Kosovës në OKB, NATO, UNESCO, OSBE, Interpol dhe organizatat tjera euroatlantike dhe ndërkombëtare duhet të jetë lart në agjendën e institucioneve të Kosovës, jo vetëm në formë të dëshirave, deklarimeve në media dhe rrjetet sociale, por dikasteret qeveritare adekuate. Do duhej të formonin grupe të caktuara punuese për aplikimet dhe agjendat e anëtarësimit. Siç dihet Asambleja e Përgjithshme e Interpolit mbahet në nëntor të këtij viti në Emiratet e Bashkuara dhe Ministria e Punëve të Brendshme, MPJ dhe mekanizmat tjerë shtetërore duhet të ishin të mobilizuar për këtë çështje. Ministrat nuk munden fizikisht të merren me të gjitha agjendat ministrore dhe flasë në MPJ se fare pak apo hiç zëvendësministrat ngarkohen me këto çështje dhe detyra me rëndësi për Kosovën”, ka thënë Dedaj.

Image
Gjergj Dedaj

Në ministrin e Punëve të Jashtme është duke munguar vullneti për punë ekipore, ka vlerësuar zëvendësministri Dedaj, gjersa ka shtuar se nëse Kosova do të anëtarësohej në INTERPOL atëherë ajo do t’i ndihmonte në luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe parandalimit të veprave terroriste.

“ Në MPJ mungon vullneti për punë ekipore dhe fatkeqësisht edhe brenda për brenda ministrive bëhet një luftë e heshtur partiake dhe kjo e dëmton procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe mekanizmat relevantë. Në këtë rast të Interpolit e cila është organizata më e madhe botërore e policisë është dëm i madh që Kosova nuk është anëtarësuar se një anëtarësim i tillë do të  jetë ndihmë për luftimin e krimit të organizuar, të terrorizmit dhe parandalimit të veprave terroriste”, ka pohuar Dedaj.

Ai ka thënë se ministritë do të duhej të formonin një Task Forcë enkas për anëtarësimin në Interpol.

Deklarimet se Rusia dhe Serbia po lobojnë kundër Kosovës, zëvendësministri i quan të paarsyeshme, duke thënë se faji është tek institucionet e Kosovës, përkatësisht te ministrat adekuatë.

“MPB, MPJ në bashkëpunim me Policinë e Kosovës mendoj se ka qenë dashur të formojnë një Task forcë enkas për anëtarësim në Interpol. Nuk mjafton arsyetimi se po lobon kundër Rusia dhe Serbia se po të pyeteshin këto dy shtete kundërshtare ne nuk do ishim as shtet i pavarur. Faji është të vet në, në këtë rast të vet ministrat adekuatë të cilët duhet të ndërtojnë një strategji ekipore dhe institucionale apartiake për çështjet vitale me interes për Kosovën. Thjesht mungon skajshmërisht bashkëpunimi dhe koordinimi brenda për brenda kabinetit të MPJ dhe monopolizimi i dikasterve qeveritare nuk sjellë rezultatet e pritura, të premtuara dhe tejet të rëndësishme për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Kjo dëshmon edhe një mungesë të kulturës shtet-ndërtuese dhe institucionale”, ka theksuar zëvendësministri i MPJ, Gjergj Dedaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test