Kjo është arsyeja pse qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në fillim të vitit 2019 - Bota Sot
Kjo është arsyeja pse qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në fillim të vitit 2019

Politika

E hënë, 15 tetor 2018

Kjo është arsyeja pse qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në fillim të vitit 2019

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 20 shtator 2018 Në ora: 10:34
Foto ilustrim - Këshilli Evropian

Drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku, në një bisedë për “Bota sot”, ka komentuar votën kundër  të  shumë deputetëve të vendeve mike dhe që kanë njohur Kosovën ditën kur Parlamenti Evropian votoi për liberalizim të vizave.

Ai ka thënë për “Bota sot” se në këtë organ deputetët jo çdoherë me votë shfaqin qëndrimet politike të shteteve që përfaqësojnë dhe se me votimin e tyre nuk kanë rrezikuar vendimin pro Kosovës.

Image
Selim Daku

“Parlamenti Evropian është organ ku përfaqësimi i shteteve nuk është si rezultat i delegimit të personave apo ideve. Për parlamentin Evropian mbahen zgjedhje të veçanta nëpër të gjitha shtetet anëtare dhe jodomosdoshmërisht aty zgjedhën deputetë të përfaqësojnë idetë e qeverive të vendeve përkatëse. Kjo nënkupton që nga radhët e deputetëve të një shteti mund të ketë dallime partiake, politike dhe idologjike. Për të komplikuar edhe më shumë situatën në parlamentin evropian kemi prezentë edhe fraksione ndërshtetërore që nga optimistët e BE-së shihet si vlerë universale që kultivohet në këtë institucion. Fraksionet ndërshtetërore janë Partitë Popullore Evropiane, Partitë Socialiste Evropiane, Socialdemokratët e të tjerë. Kjo nënkupton se deputetët për të marrë qëndrime duhet të konsultojnë disa pikëpamje, ide, rryma politike, prandaj, jodomosdoshmërisht dhe jo çdoherë deputetët përçojnë me votë qëndrimet politike të shteteve që përfaqësojnë. Kështu edhe në rastin e votimit në Parlamentin Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën kemi patur një numër jo të vogël të vota kundër por që nuk kanë rrezikuar vendimin pro Kosovës”, ka potencuar Daku për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka folur edhe për votimin që pritet të bëhet nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. Daku ka shpjeguar se votimi në këtë Këshill bëhet nga ministrat e qeverive të vendeve anëtare dhe se përfaqëson drejtpërdrejtë qëndrimin politik të shtetit të tyre.

“Nuk duhet të krahasohet votimi në Parlamentin Evropian me atë të Këshillit të Ministrave të BE-së. Kjo për faktin se këto organe përfaqësojnë dy gjëra të ndryshme. Këshilli i Ministrave i BE-së përbëhet nga ministrat e qeverive të vendeve anëtare dhe përfaqëson direkt qëndrimin politik të qeverisë së shtetit që përfaqëson”, ka theksuar Daku.

Gjithashtu, ai ka konstatuar se vota pro për liberalizimin e vizave për Kosovën është më e sigurt, pasi që sipas tij, nuk kanë ndryshuar politikat zyrtare të shteteve anëtare në raport me Kosovën

“Në këtë kuptim mund të konstatojmë që për liberalizimin e vizave për Kosovën është më e sigurt vota pro në Këshillin e Ministrave me votim të dyfishtë (55% të anëtarëve që përfaqësojnë 65% të popullsisë së BE-së) sesa ajo në Parlamentin Evropian. Kjo për faktin se politikat zyrtare të shteteve anëtare në raport me Kosovën nuk kanë ndryshuar drastikisht, siç, mund të kenë ndryshuar mendimet e individëve dhe ideve të partive të ekstremit të djathtë që aktualisht nuk drejtojnë ndonjë qeveri me peshë në shtetet e Bashkimit Evropian”, ka thënë Daku për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo nuk duhet që Kosova të presë formalisht votimin, por duhet që Institucionet e vendit të angazhohen për të lobuar dhe rikonfirmuar mbështetjen e qeverive të shteteve anëtare në Këshillin e Ministrave

“Votimin në Këshillin e Ministrave të BE-së nuk e shoh problem, dhe mendoj që do kemi votim që do të formalizojë propozimin e Komisionit Evropian dhe qëndrimin e Parlamentit.  Kjo nuk nënkupton se Kosova duhet të pres vetëm formalizim të votimit. Institucionet tona duhet të angazhohen me intensitet të lartë për të lobuar dhe rikonfirmuar mbështetjen e qeverive të shteteve anëtare në Këshillin e Ministrave, e kështu duke tentuar për të mos i lënë asgjë rastit”, ka shtuar ai për “Bota sot”.

Në fund, ka theksuar se qytetarët e Kosovës mund të lëvizin të lirë pa viza në fillim të vitit 2019.

“Sipas mendimit tim, në një situatë normale qytetarët e Kosovës në fillim të vitit 2019 mund të shfrytëzojnë lëvizjen pa viza nëpër vendet e zonës schengen”, ka përfunduar Daku për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test