Profesori universitar: Absurde, Thaçi e Haradinaj po bëjnë “duel” fëmijëror mes tyre

Politika

Profesori universitar: Absurde, Thaçi e Haradinaj po bëjnë “duel” fëmijëror mes tyre

Nga: G.B Më: 21 shtator 2018 Në ora: 17:15
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Po vazhdojnë deklaratat për idenë e korrigjimit të kufijve, ku kryeministri Ramush Haradinaj vazhdimisht thotë se kufijtë ndryshohen vetëm me luftë.

E për këtë, presidenti Hashim Thaçi e ka sugjeruar atë që të nis luftën nëse do, pasi ai nuk do ta ndalë, por që këtë të mos e bëjë në studio televizive.

Për këto deklarata në mes tyre, pro dhe kundër korrigjimit të kufijve, profesori dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Fadil Maloku, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se është absurde gara që po bëhet mes tyre, të cilën e quan fëmijërore.

“Deklaratat e tilla kontraverse, të zyrtarëve më të lartë të institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës, vetëm sa na dëshmojnë brishtësinë, jokoherencën, dhe jokompetencën politike dhe morale të tyre! Është absurde, e pakuptueshme, dhe tejet iracionale kjo farë “gare e dueli” fëmijëror midis Presidentit dhe Kryeministrit”, është shprehur ai.
Image
Fadil Maloku

Sipas Malokut, kjo dëshmon edhe papjekurinë morale dhe deformim social e politik.

“Kjo dëshmon jo vetëm papjekuri politike e morale për papërgjegjësinë që kanë jo si personalitete publike, por, edhe deformim social e politik! Ngase, si mund t’i shpjegohet qytetarisë kosovare gjithë kjo lloj “ngucakeqje” publike, kur kontaktet me kompetencën e përgjegjësive institucionale, këto dy personalitete mund t’i ushtrojnë pa gjithë këtë zhurmë mediale!? Si?”, ka vlerësuar profesori.

Ai thekson se Thaçi ka hyrë në një rrugë pa kthim, për arsyet që vetëm ai i di.

“Ne fakt, kjo dëshmon shumë për joparimësinë dhe jokonsistencën e tyre, në raport me qytetarinë dhe mediet...Thaçi, ka hy në një rrugë pa krye dhe pa kthim...për “arsyet” që sa po shihet, vetëm ai i di...Më çudit kryeministri Haradinaj, si bëhet pre publike, i këtyre “provokimeve” publike...”, ka deklaruar Fadil Maloku për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat