A do të dështojë Kosova edhe këtë vit të anëtarësohet në INTERPOL? - Bota Sot
A do të dështojë Kosova edhe këtë vit të anëtarësohet në INTERPOL?

Politika

E diel, 21 tetor 2018

A do të dështojë Kosova edhe këtë vit të anëtarësohet në INTERPOL?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 shtator 2018 Në ora: 12:35
Interpol

Asambleja e përgjithshme e INTERPOL-it do të mbahet prej 18- 21 nëntor 2018 në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa shteti i Kosovës ka hyrë në agjendën e këtij sesioni.

Gjersa, në agjendën e sesionit 87-të të Asamblesë pritet të hidhet në votim kërkesa e shtetit të Kosovës për t’u pranuar në INTERPOL, burimet e gazetës “Bota sot”, thonë se Kosova edhe këtë vit mund të mos pranohet në këtë organizatë dhe kjo për shkak të mos lobimit nga institucionet e Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme thotë për “Bota sot”, se lufta e heshtur partiake brenda për brenda ministrive është duke e dëmtuar procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtare dhe mekanizmat relevante.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme, shprehet se ata janë duke u angazhuar rreth kësaj çështje, duke thënë se është e rëndësishme që Kosova të bëhet anëtare në organizata ndërkombëtare.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj ka thënë për “Bota sot”, se mekanizmat shtetërorë do të duhej të mobilizohen për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe kjo jo vetëm nëpër rrjetet sociale, apo nëpër deklarime mediatike.

Dedaj: Në MPJ mungon vullneti për punë ekipore

Image
Gjergj Dedaj

Kabineti qeveritar aktual është duke numëruar një numër të madh të zëvendësministrave, ndërkaq Dedaj ka treguar se ata nuk ngarkohen me çështjet si për shembull anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, apo edhe në detyra tjera me rëndësi për Kosovën.

“Anëtarësimi i Kosovës në Interpol nuk arrihet përmes Facebook-ut dhe konferencave të shtypit, anëtarësimi i Republikës së Kosovës në OKB, NATO, UNESCO, OSBE, Interpol dhe organizatat tjera euroatlantike dhe ndërkombëtare duhet të jetë lart në agjendën e institucioneve të Kosovës, jo vetëm në formë të dëshirave, deklarimeve në media dhe rrjetet sociale, por dikasteret qeveritare adekuate. Do duhej të formonin grupe të caktuara punuese për aplikimet dhe agjendat e anëtarësimit. Siç dihet Asambleja e Përgjithshme e Interpolit mbahet në nëntor të këtij viti në Emiratet e Bashkuara dhe Ministria e Punëve të Brendshme, MPJ dhe mekanizmat tjerë shtetërore duhet të ishin të mobilizuar për këtë çështje. Ministrat nuk munden fizikisht të merren me të gjitha agjendat ministrore dhe flasë në MPJ se fare pak apo hiç zëvendësministrat ngarkohen me këto çështje dhe detyra me rëndësi për Kosovën”, ka thënë Dedaj.

Në ministrinë e Punëve të Jashtme është duke munguar vullneti për punë ekipore, ka vlerësuar zëvendësministri Dedaj, gjersa ka shtuar se nëse Kosova do të anëtarësohej në INTERPOL atëherë ajo do t’i ndihmonte në luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe parandalimit të veprave terroriste.

“ Në MPJ mungon vullneti për punë ekipore dhe fatkeqësisht edhe brenda për brenda ministrive bëhet një luftë e heshtur partiake dhe kjo e dëmton procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe mekanizmat relavantë. Në këtë rast të Interpolit e cila është organizata më e madhe botërore e policisë është dëm i madh që Kosova nuk është anëtarësuar se një anëtarësim i tillë do të  jetë ndihmë për luftimin e krimit të organizuar, të terrorizmit dhe parandalimit të veprave terroriste”, ka pohuar Dedaj.

Duhet taskëforcë për anëtarësim në Interpol

Ai ka thënë se ministritë do të duhej të formonin një Task Forcë enkas për anëtarësimin në Interpol.

Deklarimet se Rusia dhe Serbia po lobojnë kundër Kosovës, zëvendësministri i quan të paarsyeshme, duke thënë se faji është tek institucionet e Kosovës, përkatësisht te ministrat adekuatë.

“MPB, MPJ në bashkëpunim me Policinë e Kosovës mendoj se ka qenë dashur të formojnë një Task forcë enkas për anëtarësim në Interpol. Nuk mjafton arsyetimi se po lobon kundër Rusia dhe Serbia se po të pyeteshin këto dy shtete kundërshtare ne nuk do ishim as shtet i pavarur. Faji është të vet në, në këtë rast të vet ministrat adekuatë të cilët duhet të ndërtojnë një strategji ekipore dhe institucionale apartiake për çështjet vitale me interes për Kosovën. Thjesht mungon skajshmërisht bashkëpunimi dhe koordinimi brenda për brenda kabinetit të MPJ dhe monopolizimi i dikasterve qeveritare nuk sjellë rezultatet e pritura, të premtuara dhe tejet të rëndësishme për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Kjo dëshmon edhe një mungesë të kulturës shtet-ndërtuese dhe institucionale”, ka theksuar zëvendësministri i MPJ, Gjergj Dedaj.

Vitin e kaluar, kryeministri Ramush Haradinaj 5 ditë para se të vendosej për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, pati deklaruar se Kosova nuk i kishte votat e këtë organizatë dhe kishte marrë vendim për të shtyrë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL për takimin e ardhshëm të kësaj organizate.

Takimi i radhës së Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it do të mbahet nga 18- 21 nëntor, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka shprehur optimizëm për pranimin në këtë organizatë.

Xhemajlaj: Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare ka qenë dhe është një proces i pakthyeshëm

Image
Isa Xhemajlaj

Zëvendësministri i MPB, Isa Xhemajlaj, ka thënë për “Bota sot”, se aktivitetet e institucioneve të Kosovës janë duke u koordinuar nga grupi punues ndër institucional.

Ai ka treguar se angazhimet dhe përpjekjet e tyre janë gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenditura në nivel.

“Kosova tashmë është pjesë e agjendës në takimin e radhës së Asamblesë e Përgjithshme që zhvillohet nga 18 deri 21 Nëntor 2018 në Dubai. Aktivitetet e institucioneve të Kosovës janë duke u koordinuar nga grupi punues ndër institucional. Angazhimet dhe përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës janë gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduara në nivelin nacional dhe me partnerët strategjik të Republikës së Kosovës”, ka thënë Xhemajlaj.

Ai ka pohuar se anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare ka qenë dhe është proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm.

Prandaj, sipas Xhemajlajt, anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë duhet të shihet nga të gjithë si proces i natyrshëm dhe i domosdoshëm që do t’i kontribuojë rritjes dhe efikasitetit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.

“Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare ka qenë dhe është një proces i pakthyeshëm dhe i pandalshëm, ashtu siç është dëshmuar me anëtarësimet e deritanishme të vendit tonë në më shumë se gjashtëdhjetë organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare. Procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë është në interes edhe të organizatave ndërkombëtare dhe shteteve anëtare në përgjithësi, dhe i Republikës së Kosovës në veçanti. Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë duhet të shihet nga të gjithë si një proces i natyrshëm dhe i domosdoshëm që do t’i kontribuoj rritjes së efikasitetit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar transnacional, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, ka shtuar Xhemajlaj.

Vizitat e zyrtarëve të ndryshëm ndërkombëtarë në Kosovë, gjatë këtij viti ishin shoqëruar edhe me “lutjen” e Kosovës për përkrahjen e tyre në anëtarësimin në INTERPOL dhe organizata të tjera.

Ekspertët e sigurisë kanë thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë harmoni në atë sesi duhet të kenë mbështetje ndërkombëtare.

Shala: Në rast dështimi mund të fajësohet i tërë spektri politik

Image
Drizan Shala

Drizan Shala, ekspert i sigurisë ka thënë për “Bota sot”, se burimet diplomatike të Serbisë janë duke lobuar për mos anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

“Institucionet e Kosovës patën filluar një angazhim pozitiv për t’i bindur shtetet anëtare që të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Sipas burimeve diplomatike shteti i Serbisë është duke lobuar në ato vende të cilat kanë mendim të abstenimit dhe të ato që nuk janë të sigurta se si të veprohet me dokumentacionin e anëtarësimit të RKS . Nëse bëhet një analizë lehtë mund të vijmë në konkludim që  presioni pozitiv nga ana e institucionit politik dhe të sigurisë të RKS nuk kanë një harmoni në atë se si të veprohet që të ketë mbështetjen optimale që Kosova si shtet të pranohet në këtë mekanizëm të rëndësishëm të sigurisë”, ka pohuar Shala.

Në rast të dështimit për anëtarësim në këtë organizatë, Shala ka thënë se, faji do t’i mbetet spektrit politik dhe diplomatik.

“Ndërsa Kosova është e përforcuar në mënyre tërthorazi në Interpol si veprime policore përmes zyrës se saj në kuadër të Policisë se Kosovës që operon. Në rast dështimi mund të fajësohet i tërë spektri politik në vend edhe ai diplomatik që nuk i kanë sinkrotizuar veprimet deri në finale për të arritur një sukses më të madh në këtë pikë”, ka përfunduar Shala.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test