Marrëveshja finale me Serbinë do të sjellë vetëm dhimbje për Kosovën

Politika

Marrëveshja finale me Serbinë do të sjellë vetëm dhimbje për Kosovën

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 26 shtator 2018 Në ora: 20:27
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuqiç

“Ne realisht nuk mund të presim asgjë të mirë për Kosovën pos asaj më të keqes që mund të jetë rrudhja e territorit të Kosovës si shtet, duke rreziku edhe tërheqjen e njohjeve që mbi 114 shtete e kanë bërë, sepse Kosovën e kanë pranu në kufijtë aktual te datës 17 shkurt 2008 kur është shpallë pavarësia”, shprehet avokati Tomë Gashi.

Mes polemikash e kundërthënieve të shumta, Kosova dhe Serbia po hyjnë në fazën finale të bisedimeve. Megjithatë mbetet akoma e pasqaruar për opinionin publik shqiptar se çfarë marrëveshje finale mund të prodhojnë këto bisedime? Çka do të përfiton Kosova në këtë rast? A do ta njoh Serbia pavarësinë e Kosovës, apo do të vazhdojnë me kërkesat e saj ndaj BE-së për apetitet brenda Kosovës?

Zogiani: Pasojat do të jenë katastrofike për Kosovën

Image
Avni Zogiani

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani thotë se, presidenti Thaçi është kontradiktor, i paqartë dhe rrezikshëm i paqëndrueshëm, andaj edhe Kosova nuk ka pozicion të fortë në këto negociata.

“Një gjë është e sigurt; Kosova nuk ka pozicion të fortë në këto negociata, për shkak se presidenti i Kosovës më shumë i shef negociatat nga like-vështrimi serb sesa nga pozita e mbrojtjes së interesit të Kosovës. Presidenti ynë është kontradiktor, i paqartë dhe rrezikshëm i paqëndrueshëm. Po ashtu, ai ka kundër pothuajse secilin brenda dhe ka humbur tërësisht përkrahjen nga jashtë. Ai është i dobët dhe kjo sigurisht që ka për tu reflektuar në rezultatin e këtij dialogu. Prandaj, ai duhet ndaluar me çdo kusht. Të gjitha metodat e rezistencës duhet të jenë opsion për të ndalur këtë që po bën ai, sepse pasojat do të jenë katastrofike për Kosovën”, thotë Zogiani për gazetën “Bota sot”.

Gashi: Janë imponuar tema në dëm të Kosovës

Ndërsa, avokati Tomë Gashi thotë se, këto bisedimet politike, dikur neve shqiptarëve na u shitën sikurse bisedime teknike, andaj nga këto Kosova humbi shumë pasi e pranoj dialogun me ish okupatorin edhe pse Serbia nuk e njohu shtetin e Kosovës.

Image
Tomë Gashi

“Po duke e ditur se këto bisedime filluan respektivisht neve shqiptarëve na u shiten në fillim si bisedime teknike, e që nuk ishte fare ashtu dhe duke e ditur se shpejt u pranua që janë bisedime politike në mes të Beogradit dhe Prishtinës, siç thonë këta politikanet tanë, po ashtu duke e ditur se nga këto bisedime/ marrëveshje politike Kosova humbi shumë se e pranoj dialogun me ish okupatorin, me shtetin e Serbisë edhe pse Serbia nuk e ka pranua dhe as që e ka në agjendë ta pranoj Kosovën shtet të pavarur, Kosova ka humbur shumë sepse janë imponuar tema në dëm të Kosovës thuaj se sikur ende Kosova të ishte pjesë e Serbisë”, thotë avokati Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Sipas avokatit, Kosova po rrezikon edhe tërheqjen e njohjes si shtet nga të gjithë ato shtete që e kanë njohur deri më tani.

“Dhe duke e ditur që Kosova, por as BE si lehtësuese, e në të vërtetë ndërmjetësuese në dëm të Kosovës nuk e detyruan Serbinë që së paku ta heq territorin e Kosovës nga kushtetuta e saj. Ne realisht nuk mund të presim asgjë të mirë për Kosovën pos asaj më të keqes që mund të jetë rrudhja e territorit të Kosovës si shtet, duke rreziku edhe tërheqjen e njohjeve që mbi 114 shtete e kanë bërë, sepse Kosovën e kanë pranu në kufijtë aktual te datës 17 shkurt 2008 kur është shpallë pavarësia”, shprehet ai.

Gashi thekson se, Asociacioni i komunave me shumicë serbe do ta bëjë jo funksionale shtetin e Kosovës.

“Duke e ditur se qëllimi mund të jetë që të rrezikohet aq shumë integriteti territorial i Kosovës së pavarur sa që momentin kur mund të nënshkruhet marrëveshja për Zajednicen me kompetenca ekzekutive në të themi epo mirë së paku u shpëtua territori i Kosovës si shtet, dhe Zajednica do ta bëjë jo funksionale totalisht Kosovën, siç është tani jo funksional Kuvendi i Kosovës me pjesëmarrjen e deputetëve serb të dirigjua direkt nga Qeveria dhe shteti serb, ku asgjë nuk mund të bëhet pa ta në aspekte të temave të rënda për Kosovën, sa që në faktikisht kemi sovranitet aq sa Serbia lejon të kemi përmes Listës Serbe, dhe përfundimi nuk do të jetë aspak i mirë për Kosovën, sepse sa herë bëjmë marrëveshje me Serbinë ne humbim ata fitojnë dhe dihet pse”, përfundon Tomë Gashi.

Maloku: Marrëveshja do të ishte dobiprurëse

Image
Albinot Maloku

Politologu Albinot Maloku, pohon se, togfjalëshi ‘fazë finale e bisedimeve Kosovë – Serbi’, sikur do të jetë në përdorim edhe për gjatë kohë, e kjo ngase nuk duket se kemi ndonjë gjë konkrete nga këto bisedime veç spekulimeve për ndonjë marrëveshje konkrete.

“Qarqe të ndryshme diplomatike e politike në vend dhe jashtë spekulojnë me lloj-lloj modalitetesh të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë por veç kësaj çështjes së ngritur nga presidenti Thaçi për korrigjim kufijsh nuk ka. Brenda kuluareve politike në Serbi opsion ngelet themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicën serbe e të cilit mëtojnë ti ngjesin shumë kompetenca. Në anën tjetër, debati mediatik e politik në Kosovë është duke humbur kohën me muhabetin e presidentit Thaçi. Një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, e me të cilën shumica do të ishin të kënaqur, në të dyja vendet por edhe në qarqet më të larta diplomatike, e sidomos të atyre shteteve që e kanë njohur Kosovën, do të ishte dobiprurëse. Se çfarë marrëveshje mund të jetë kjo, nuk duhet të spekulojmë”, thekson Maloku për gazetën “Bota sot”.

Hertica: Marrëveshje finale do të sjell vetëm dhimbje për sovranitetin

Analisti politik, Ali Hertica, thekson se, qarqet diplomatike kanë bërë thirrje që palët të tregohen konstruktive dhe të punojnë për normalizimin e gjendjes e cila po mbretëron në Ballkanin perëndimor dhe vetëm normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mund të sjellë afrimin e dy vendeve me BE-në.

Image
Ali Hertica

“Ruajtja e gjakftohtësisë është shumë e rëndësishme për të mos e vënë në rrezik sigurinë e rajonit. Me tensionime të gjendjes mes Serbisë dhe Kosovës kanë reaguar edhe SHBA, dhe Bashkimi Evropian për finalen e dialogut, për përfaqësuesit politikë të Kosovës po interpretohet si pjesa finale, që duhet të përmbyllet me një marrëveshje normalizimi dhe e cila do t’i hapte rrugën Kosovës drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe mekanizmat e organizatat tjera ndërkombëtare”, potencon Hertica për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet me përfaqësimin nga presidentët e shteteve Thaçi –Vuçiq dhe nivelet më të larta shtetërore.

“Duke parë edhe provokimet që po ndodhin në veri të Kosovës, po duket se presidenti Aleksandër Vuçiq nuk është shkëputur plotësisht nga politika e Sllobodan Millosheviqit, i cili gjithmonë me provokimet e tilla ka arritur te caqet e veta në politikën e jashtme. Sidoqoftë, zhvillimet e fundit dhe vendimi i Beogradit që njëanshëm të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si një prej arritjeve më të mëdha të këtij dialogu, dhe shkëmbim te territoreve ku si synim Serbia e ka Mitrovicën dhe liqenin e Ujmanit që do të jetë një humbje e madhe për shtetësinë e Kosovës por se do të jetë ky plan i Thaçit i cili do sjellë pakënaqësi në Republikën e Kosovës dhe qarqet politike. Tani kjo marrëveshje finale do të sjell vetëm dhimbje për sovranitetin e Republikës dhe asgjë më shumë e assesi stabilitet në rajon sepse tani edhe politika e Kosovës thuajse është e ndarë në dy taborre që do sjell pakënaqësi finalja e bisedimeve Kosovë- Serbi të prirë nga presidentin pa unitet Hashim Thaçi”, përfundon Ali Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat