A ka hequr dorë Thaçi nga ideja për korrigjimin e kufijve?!

Politika

A ka hequr dorë Thaçi nga ideja për korrigjimin e kufijve?!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 27 shtator 2018 Në ora: 08:53
Hashim Thaçi

“Vetëm zmbrapsja e presidentit Hashim Thaçi krijon siguri por si duket ai nuk po dëshiron të zmbrapset nga ideja e rrezikshme e korrigjimit të kufirit, të cilën janë duke e kundërshtuar populli i Kosovës dhe miqtë tanë perëndimor”, ka deklaruar deputeti i Lidhjes Demokratikë të Kosovës, Haxhi Avdyli, për gazetën “Bota sot”.

Tërheqja nga bisedimet në Bruksel e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe në të njëjtën kohë bojkoti nga punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku në vend të tij, në Neë York shkoi kryeministrja Ana Brnabiç, lë mëdyshje se ideja për “korrigjim të kufijve” po shkon drejt një dështimi.

Se plani “ogurzi” për Kosovën, ashtu siç e quan subjekti më i madh opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, po shkon drejt një dështimi e përforcon edhe më shumë, pasi që kohëve të fundit presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i ka rralluar paraqitjet e tij në publik për të folur lidhur më këtë çështje.

Mirëpo,nga opozita konsiderojnë se edhe më tej plani për ndarjen e Kosovës nuk ka dështuar. Ata theksojnë se vetëm zmbrapsja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi krijon siguri e stabilitet lidhur me këtë.

Edhe njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane qëndron në një linjë me opozitën. Sipas Zorrës ani pse qëndrojnë këto dy arsye, ideja e “korrigjimit të kufijve”  me Serbinë nuk ka vdekur dhe se në tetor riaktivizohet takimet mes dy vendeve.

Ndërsa, analisti politik potencon se procesi për ndarjen e Kosovës tani për tani është në ngecje.

Image
Haxhi Avdyli

Deputeti i LDK-së: Vetëm zmbrapsja e Hashim Thaçit krijon siguri

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se edhe me tej nuk ka dështuar ky plan, që siç e quan deputeti i LDK-së, plan ogurzi nga Serbia.

“Ky plan s’ka dështuar sepse vendosmëria e mbrapshtë e Hashim Thaçit është e lartë për ta realizuar këtë plan ogurzi të Serbisë”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.

Tutje, Avdyli ka theksuar se vetëm zmbrapsja e presidentit Hashim Thaçi krijon siguri lidhur me këtë çështje.

“Vetëm zmbrapsja e presidentit Hashim Thaçi krijon siguri por si duket ai nuk po dëshiron të zmbrapset nga ideja e rrezikshme e korrigjimit të kufirit, të cilën janë duke e kundërshtuar populli i Kosovës dhe miqtë tanë perëndimor”, ka deklaruar deputeti i Lidhjes Demokratikë të Kosovës, Haxhi Avdyli, për gazetën “Bota sot”.

Image
Lirim Zorra

Zorra: Në tetor riaktivizohet takimet

E, Lirim Zorra, njohës i çështjeve të integrimeve evropiane, dukë folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se edhe me tej nuk a vdekur ideja e korrigjimit të kufirit me Serbinë.

“Nuk ka vdekur ideja e korrigjimit të kufijve, mirëpo sfidat e presidentit Thaçi në Kosovë për të pasur të drejtën e negocimit dhe sfidimit nga ana e kryeministrit e kanë prolonguar këtë çështje, mirëpo besoj në tetor përsëri riaktivizohet takimet dhe format e ndryshme të komunikimit”, ka thënë Zorra.

Ndërsa, mos shkuarjen e presidentit serb në New York, e ka quajtur takim që nuk sjell ndonjë produktivitet.

“Sa i përket takimeve në Neë York besoj nuk janë që sjellin ndonjë produktivitet sepse mundësia e takimeve të gjata bilaterale është shumë e vogël dhe për ketë arsye Vuçiq besoj nuk ka shkuar në Neë York dhe po ashtu ideja e korrigjimit të kufijve e ka marre bekimin e SHBA –së dhe disa vendeve andaj nuk ka arsye për lobim shtesë”.

“Nuk besoj që ka vdekur ajo ide, tani lufta është te presidenti  Thaçi që të mos ketë pengesa në rrugën e vetë-negociatore nga ana e qeverisë dhe për këtë ai do të përdorë metoda të ndryshme”, ka përfunduar njohës i çështjeve të integrimeve evropiane, Lirim Zorra, për gazetën “Bota Sot”.

Image
Ali Hertica

Hertica: Procesi për ndarjen e Kosovës nga ngecje

Ndërsa, analisti politik, Ali Hertica, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se procesi për ndarjen e Kosovës tani për tani ka ngecje.

Hertica thotë se ideja për shkëmbim të territoreve zemëroi terë sovranin shqiptar, me një pazar, që siç thotë ai dinak dhe të pa logjikshëm.

“Tani procesi për ndarjen e Kosovës me gjasa ka ngec, ku para zyrave të BE-së Vuçiqi dhe Thaçi me vite janë sorollatur sikur po negociojnë për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Një prapaskenë e tillë me temën për ndarjen e Kosovës, ku në ketë pazar hyri i vetëm presidenti Thaçi, duke e zemëruar thuajse terë sovranin shqiptar me një pazar dinak dhe të pa logjikshëm, sepse asnjë klasë politike në Kosovë e as organi më i lart i shtetit- parlamenti, nuk nxori ndonjë platformë politike për këtë nismë të pavetëdijshme se çfarë do i sjell Kosovës në të ardhmen”, potencoi analisti Heritica.

Ai është i mendimit se Kuvendi i Kosovës duhet të marrë masa që sa më shpejt të veprojë për ta ndaluar këtë ide të presidentit Thaçi.

“Parlamenti duhet të marrë masa për ta ndaluar këtë hap të Thaçit, sepse ndoshta dikur është vonë, sidomos pasi tani idenë për ndarjen e Kosovës po e përkrahin edhe disa këshilltar të Donalt Trumpit”, shton ai.

Në fund, ai shprehet se mos shkuarja e presidentit të Serbisë në takim në ShBA, tregon se tani ky i fundit është duke menduar për të ecë drejt një normalizimi.

“Tani është hera e dytë që presidenti serb nuk u taku me presidentin e Kosovës, dhe tani mos shkuarja në takim në ShBA, tregon se tani Vuçiqi është duke u hamend për të ecë drejt një normalizimi me shqiptarët e Kosovës, i gjithë ky skenar është pasi që pala e Kosovës nuk po shtynë procesin drejt themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe, ku sipas Kushtetutës së Republikës do të jetë vetëm një bashkim  komunash pa ekzekutivë, dhe ky sinjal tregon se tani do të dështojë edhe ideja për korrigjim të kufijve me Serbinë, mirëpo koha do të tregoj në vijim se çka më saktë do të ndodh, sepse politika ndryshon çasti në çast”, është shprehur në fund analisti politik, Ali Hertica, për gazetën “Bota sot”.

Ndërkohë, kujtojmë se presidenti i vendit Hashim Thaçi kishte thënë se korrigjimin e kufijve nuk është një term të cilin ai e ka shpikur.

Sipas tij, korrigjimi i kufijve përdoret nga shumë shtete të botës për të tejkaluar hasmëritë.

“Korrigjimi i kufijve nuk është term i shpikur nga unë, por shumë shtete në botë e kanë përdorur si mjet për të tejkaluar hasmëritë, për të zgjidhur problemet, për të krijuar paqe afatgjate. Këto ditë e kam përsëritur shpesh: korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje, nuk nënkupton shkëmbim të territorit. Po e them edhe ndryshe, korrigjimi i kufijve nuk do të sjellë ndarje të Kosovës”, kishte thënë Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat