Profesori ndërkombëtar: Plani Thaçi-Vuçiq-Rama për ndarjen e Kosovës ka marrë goditje të fuqishme

Politika

Profesori ndërkombëtar: Plani Thaçi-Vuçiq-Rama për ndarjen e Kosovës ka marrë goditje të fuqishme

Nga: N.H Më: 29 shtator 2018 Në ora: 12:53
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Tërheqja nga bisedimet në Bruksel e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe në të njëjtën kohë bojkoti nga punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku në vend të tij, në New York shkoi kryeministrja Ana Brnabiç, lë mëdyshje se ideja për “korrigjim të kufijve” po shkon drejt një dështimi.

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot”, ka folur profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

Bytyçi shprehet se, plani i “treshes” për ndarjen e Kosovës ose për atë që ata e quajnë “korrigjimi i kufijve” ka marrë një goditje të fuqishme.

“Plani Thaçi-Vuçiq- Rama për ndarjen e Kosovës ose për atë që ata e quajnë “korrigjimi i kufijve” ka marrë një goditje të fuqishme, por të kemi parasysh faktin se faktorët politikë e civilë në Kosovë, në Shqipëri, Maqedoni dhe bendet e tjera të rajonit kanë reaguar me ashpërsi kundër tij. Kundër këtij plani janë 99 përqind e shqiptarëve. Janë thuajse të gjithë faktorët politikë në Kosovë. Por këtu më tmerron fakti që Lidhja Demokratike qëndron kaq e tërhequr në vend që të dëshmonte lidershipin politik kundër kësaj ideje. Kundër këtij plani doli sot ministri i Jashtëm i Malit të Zi dhe me ashpërsi reagoi presidentja e Kroacisë. Në Shqipëri gjithashtu, vetëm Edi Rama mbahet përkrah Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiq”, shprehet Bytyçi.

Tutja, profesori ndërkombëtar shton se edhe refuzimi i presidentit serb për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së lidhet me dështimin e këtij plani.

Image
Enver Bytyçi

“Në këtë kuptim, duket se ky plan është i dështuar. Edhe refuzimi i presidentit serb për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së lidhet me dështimin e këtij plani. Ai ka kuptuar se prania e tij në OKB e vështirëson procesin, sepse do t’i futej të përballej me disa udhëheqës të fuqishëm europianë, të cilët do ta kritikonin ashpër atë. Ndërkohë Vuçiq ka kuptuar se nuk do të kishte sukses në projektin e tij të ndarjes së Kosovës, ndaj dhe në vend të pranonte dështimin në New Jork, zgjodhi të soditë zhvillimet nga Beogradi. Por megjithëse duhet besuar se ky plan tashmë është I dështuar, pra I vdekur, përsëri duhet mbajtur gjallë fryma e reagimit politik e qytetar kundër përpjekjeve të dështuara të presidentit të Kosovës për ndarjen e Kosovës dhe realizimin kështu të projektit serb për krijimin e Serbisë së Madhe”, tha tutje profesori ndërkombëtar.

Krejt në fund, Bytyçi thotë se protesta e sotme është një shans dhe një aksion që do të shënojë fillimin e goditjes politike ndaj Hashim Thaçit.

“Protesta e sotme është një shans dhe një aksion që do të shënojë besoj unë fillimin e goditjes politike ndaj Hashim Thaçit. Me qëllim që ky plan të dështojë plotësisht, do të duhet që protestuesit të kërkojnë shkarkimin e domosdoshëm të zotit Thaçi nga funksioni i presidentit. Pa mënjanimin politik të Hashim Thaçit Kosova gjithnjë do të ketë probleme dhe vështirësi të shumta në dialogun me Serbinë. Edhe nëse do të evitohej ndarja e Kosovës, ai do të pajtohej me zgjidhje të tjera të dëmshme për Kosovën, sepse për atë protagonizmi ka përparësi në raport me territorin e vendit dhe interesat e shtetit”, përfundoi Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat