Isa Mustafa kërkon mbështetje ndërkombëtare për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme

Politika

Isa Mustafa kërkon mbështetje ndërkombëtare për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 1 tetor 2018 Në ora: 12:01
Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, foto arkiv

Frika se kreu i shtetit Hashim Thaçi nuk do të ndalet nga ideja e tij për korrigjim të kufijve, ka bërë që lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, t’i drejtohet edhe shteteve të fuqishme me theks të veçantë Gjermanisë, duke iu rikujtuar rrezikun e kësaj nisme.

Veç këtij rikujtimi, letra e Mustafës bënë me dije gjithashtu se dialogu final mes Kosovës e Serbisë duhet të drejtohet nga institucione që dalin nga zgjedhje të reja.

Nga LDK shprehen se roli i Gjermanisë, si motori i BE-së, është i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm. Sipas këtyre të fundit, as Kosova dhe as Serbia, nuk do të mund t’i afrohemi BE-së pa bekimin e akterit kryesor në atë konglomerat shtetesh, Gjermanisë.

Ndërsa, shoqëria civile mbështet kërkesën e kryetarit të LDK-së drejtuar kancelares Markel që Gjermani të vazhdoj këtë kundërshtim ndaj ideve të presidentit Hashim Thaçi, i cili, siç mendojnë analistët politik, ndalet vetëm nëse ka edhe një kundërshtim të fuqishëm për idetë e tija.

Letra e Isa Mustafës drejtuar kancelares Merkel dhe ministrave të vendeve të BE

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka shkruar letër Kancelares Gjermane Angela Merkel dhe ministrave të jashtëm të 28 vendeve të Bashkimit Evropian, duke i njoftuar me  vlerësimet e LDK-së ndaj situatës aktuale në Kosovë dhe procesit të dialogut me Serbinë.

Ai ka bërë të ditur se ka përçuar mesazhin te këto vende se LDK kundërshton korrigjimin e kufijve apo shkëmbimin e territorit përgjatë vijave etnike, se kjo zgjidhje do të ishte me rrezik jo vetëm për Kosovën por edhe për Ballkanin në tërësi.

“Shteti i Kosovës dhe kufijtë e tij janë përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë , me Kushtetutë si dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe se Kosova në kufijtë aktual është njohur nga shumica e madhe e vendeve anë e mbanë rruzullit tokësor. LDK është kundër kthimit mbrapa”, ka deklaruar Mustafa.

Ndër të tjera kryetari i LDK-së, ka nënvizuar se dialogu do të duhej të drejtohej nga institucione që dalin nga zgjedhjet e lira, për shkak të mungesës së numrave të koalicionit aktual qeverisës.

“Kam nënvizuar se krahas sqarimit të përmbajtjes së dialogut dhe objektivave, dialogun do të duhej të drejtohet nga institucione që kanë legjitimitet politik dhe kushtetues, të cilat duhet të dalin nga zgjedhjet e lira, pasi koalicioni i tanishëm përfaqëson pakicën dhe nuk siguron që marrëveshjet të jenë të zbatueshme”, theksohet ndër të tjera në letrën e Mustafës.

Anëtari i LDK-së: Shpresojmë se Bashkimi Evropian do të flas me një zë në këtë çështje

Image
Bajram Gecaj

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, duke e komentuar letrën e kryetarit Mustafa, për gazetën “Bota sot”, ka thënë roli i Gjermanisë, si motori i BE-së, është i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm.

Gecaj potencon se as Kosova dhe as Serbia nuk do të mund t’i afrohen BE-së pa bekimin e Gjermanisë.

“Unë besoj që në zhvillimin e politikave evropiane, roli i Gjermanisë, si motori i BE-së, është i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm. As ne, por as Serbia, nuk do të mund t’i afrohemi BE-së pa bekimin e akterit kryesor në atë konglomerat shtetesh, Gjermanisë”, ka potencuar anëtari i LDK-së.

Me tej, ai thekson se Mustafa përveç shkresës së drejtuar kancelares Angela Merkel, të njëjtën gjë thotë se e ka dërguar edhe të përfaqësuesit e tjerë të BE-së dhe janë me shpresën se Bashkimi Evropian do të flasë me një zë në këtë çështje.

“Si e tille pra, edhe Gjermania por edhe Kancelarja janë shumë të rëndësishëm si në çështjen e kufijve ashtu edhe në të gjitha proceset tjera drejt BE-së. Kryetari Mustafa i ka shkruar edhe përfaqësuesve të të gjitha shteteve tjera të BE-së, dhe ne shpresojmë se Bashkimi Evropian do të flasi me një zë në këtë çështje”, ka përfunduar anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: Gjermania nuk do të lejojë që Kosova të futet në aventura të rrezikshme

Image
Faton Mehmeti

Edhe analisti politik, Faton Mehmeti, qëndron në një me anëtarin e LDK-së.

Mehmeti deklaron se Isa Mustafa me të drejtë i ka rikujtuar kancelares Angela Merkel rrezikun nga ideja për korrigjim të kufijve.

“Jo rastësisht kryetari i LDK-se i është drejtuar kancelares Merkel, pasi roli dhe ndikimi i saj ne procesin e ndalimit të idesë se Thaçit mund te jete krucial. Duke ditur se përgjegjëse për Ballkanin është Gjermania, e cila ka iniciuar tryeza për liderët e Ballkanit, me qëllim të ruajtjes së stabilitet, Mustafa me të drejtë i rikujton Angela Merkel rrezikun nga ideja për korrigjim të kufijve. Besoj se qëndrimi i shfaqur i LDK-së është në plotëni me atë të Berlinit, i cili kundërshton hapur një ide të tillë”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, Gjermania nuk do të lejoj që Kosova të futet në aventura të rrezikshme, e të cilat janë prapaskenë e Thaçit për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale.

“Jam optimist se Gjermania nuk do të lejoj që Kosova të futet në aventura të rrezikshme, e të cilat janë prapaskenë e Thaçit për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale. Kjo e fundit po shihet nga Thaçi si kërcënim për të, andaj ka ven ne pyetje fatin e Kosovës. Natyrisht se LDK dhe të gjithë duhet të jenë kundër aventurave të Thaçit, dhe për këtë mbështetja e Gjermanisë është fondamentale”, ka përfunduar Faton Mehmeti.

Haziri: Merkel të vazhdojë kundërshtimin ndaj ideve të presidentit Thaçi

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, edhe analisti tjetër politik, Nexhat Haziri, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se letrën e kryetarit të LDK-së e konsideron më shumë si njoftim për zgjedhje të jashtëzakonshme se sa si diçka tjetër.

“Letra e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, drejtuar kancelares Angela Merkel, ku në mes të tjerash ka edhe kërkesën për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, unë më shumë do të doja ta kuptoja si një njoftim për kancelaren Merkel, se sa që Merkel apo dikush tjetër pa marrë parasysh përkrahjen që japin për Kosovën, të kërkohet nga ta për caktimin e zgjedhjeve në Kosovë. Jam plotësisht dakord që vetëm mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme e nxjerr vendin nga kjo krizë institucionale e politike, të cilat do të prodhonin institucione me legjitimitet dhe kredibile për ta vazhduar fazën finale të dialogut me Serbinë”.

“Dhe për të arritur një konsenzues për zgjedhjet e parakohshme do të duhet që të ketë një dakordancë në mes spektrit politik Kosovar, sidomos në bllokun opozitar, por edhe përmes presionit qytetar për ta detyruar qeverinë e koalicionit PAN për tu dorëhequr”, është shprehur Haziri.

E, lidhur me idenë e korrigjimit te kufijve, ai deklaron se Angela Merkel e ka bërë të ditur më herët se është kundër kësaj ideje.

“Ndërsa sa i përket ideve të presidentit Thaçi për të ashtuquajturin korrigjim kufijsh si rezultat I marrëveshjeve me Serbinë, Gjermani dhe vet kancelarja Merkel, e ka bërë të ditur se qëndrojnë fuqishëm kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan”, ka thënë ai.

Në fund, analisti politik thekson se e mbështetë kërkesën e Mustafës drejtuar kancelares Merkel që Gjermani të vazhdoj këtë kundërshtim ndaj ideve të Hashim Thaçit.

“Në këtë drejtim unë mbështesë fuqishëm kërkesën e Mustafës drejtuar kancelares Merkel që Gjermani të vazhdoj këtë kundërshtim ndaj ideve të presidentit Thaçi, i cili ndalet vetëm nëse ka edhe një kundërshtim të fuqishëm për idetë e tija edhe nga partnerët ndërkombëtar të Kosovës, siç është Gjermania”, ka thënë në fund analisti politik, Nexhat Haziri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat