Presidenti Hashim Thaçi zgjodhi pikërisht ditën e protestës të shkojë në vizitë të paparalajmëruar në veri.
Gjatë vizitës Thaçi deklaroi se nuk do të preket Ujmani, Trepça dhe Mitrovica.
E sipas njohësit të çështjeve politike në vend, Ilir Dugolli, deklarata e tij në lidhje me Ujmanin, tingëllon e bukur për nga dëshira.
Dugolli në një prononcim për gazetën “Bota sot”, cilësoi se prapa kësaj dëshire fshihen edhe të vërteta.
“Mendoj se këtë vizitë të pa paralajmëruar, presidenti e bëri për të treguar se veriu i vendit është pjesë e hartës së Kosovës. Ai në këtë mënyrë dëshiron, që pa prononcim medial, të ketë efektin e injorimit të masës popullore që sot protestuan qindra e mijëra protestues nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit. Deklarata e tij në lidhje me mos prekjen e Ujmanit Trepçën e Mitrovicën, tingëllon e bukur për nga dëshira. Kjo dëshirë e bukur, të njëjtën kohë i konfirmon dy të vërteta. E para; Akoma është një lojë e rrezikshme me kufijtë dhe e dyta; të bëhet ndarja e atyre që "e donë" dhe atyre që "nuk e donë" bashkimin e Luginës së Preshevës, pa i dhënë Serbisë asgjë” ka përfunduar Ilir Dugolli.