Kosova pa unitet përballë kërcënimit të Serbisë me luftë

Politika

Kosova pa unitet përballë kërcënimit të Serbisë me luftë

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 2 tetor 2018 Në ora: 18:54
Hashim Thaçi në Ujman dhe protesta e VV-së

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin ka thënë se presidenti Vuqiç ka urdhëruar rritje të nivelit të gatishmërisë luftarake pas zhvillimeve në Veri, ku presidenti Thaçi vizitoi liqenin e Ujmanit i shoqëruar nga Njësia Speciale – ROSU. Megjithatë, edhe pas kërcënimeve të vazhdueshme të qeverisë Serbë, Kosova me presidentin Thaçi nuk e kanë problem që të dialogojnë, madje edhe të arrijnë ndonjë marrëveshje “historike”.

Ditën kur në Prishtinë u tubua e gjithë Kosova, për të protestuar kundër presidentit Hashim Thaçi dhe idesë “famoze” të tij për korrigjim kufijsh, ky i fundit zgjodhi liqenin e Ujmanit për tu shëtitur i qetë, i shoqëruar nga 120 pjesëtarë të Njësisë Speciale ROSU.

Vizita e Thaçit ka acaruar Beogradin, të cilët kanë kërcënuar Kosovën me luftë.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin ka thënë se presidenti Vuqiç ka urdhëruar rritje të nivelit të gatishmërisë luftarake pas zhvillimeve në Veri, ku presidenti Thaçi vizitoi liqenin e Ujmanit i shoqëruar nga Njësia Speciale – ROSU.

Por, “lufta” e ashpër e Kosovës me Serbinë mund ta shtynë paqen për të cilën tash e 20 vite e gjithë Bota është zbarkuar në Kosovë.

Konflikti i mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë do të trazonte edhe Ballkanin, ndërsa paqja do ishte e pamundshme që të ndodh për vite të tëra.

Megjithatë, edhe pas kërcënimeve të vazhdueshme të qeverisë Serbë, Kosova me presidentin Thaçi nuk e kanë problem që të dialogojnë, madje edhe të arrijnë ndonjë marrëveshje “historike”.

Millaku: Është e dhimbshme se si politika zyrtare në Kosovë po bënë politikë defanzive

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku thotë se, Serbia dhe politikat zyrtare e saj janë të disponuara negativisht ndaj Kosovës dhe kjo është e pasqyruar në çdo hap si në aspektin deklarativ ashtu edhe në atë praktik.

“Nëse shihet se çfarë raporte po krijon Kosova zyrtare me Serbinë atëherë vijmë në përfundim se këto raporte janë vasale dhe të tilla ne nuk kemi nevojë t’i mbajmë. Është e dhimbshme se si politika zyrtare në Kosovë po bënë politikë defanzive kjo është e dhimbshme. Thaçi si president i snajperëve dhe skafeve po kërkon të shpëtoj kokën e vet dhe atë në koordinim me Vuçiqin”, thotë Millaku për gazetën “Bota sot”.

Sipas saj, manovrat e Thaçit në ditën e protestës tregojnë se sa i pafytyrë është ky njeri, ndërsa shton se të shtunën populli i tregoi se nuk përkrahet një ide e tillë.

“Unë mendoj se ne duhet ta shtrijmë sovranitetin në tërë territorin e vendit dhe vetëm vendosmëria e jonë do të krijonte kushte për dialog të barabartë dhe konstruktiv. Përpjekjet për të lëshuar pe në të gjitha rrafshet nga Hashim Thaçi nuk e ndihmojnë Kosovën por vetëm e dëmtojnë atë pra gjithmonë do të kemi kërcënime edhe për lufte edhe për trazira derisa ne nuk tregojmë vendosmëri dhe përkushtim për të mbrojtur kufijtë tanë me çdo mënyrë e jo për t’i vënë në pazar ata”, potencon ajo.

Deputetja Millaku thekson se, protestat për kundërshtimin e Thaçit do të vazhdojnë dhe se do ta ndalin presidentin me çdo kushte në Parlament ose me protesta.

Burjani: Thaçi po e pengon konsensusin politik në vend

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani thekson se presidenti serb Aleksandër Vuçiq edhe javën e kaluar ka deklaruar se nuk ka marrëveshje me Kosovën, ndërsa kërcënimet sipas tij, janë vetëm lojëra politike nacionaliste duke e bërë peng paqen.

“Loja serbe shtrihet në mes kërcënimit për luftë dhe paqes, duke pas parasysh se perëndimi ka vendosë një afat për palët deri në pjesën e dytë të vitit 2019 të arrihet një marrëveshje, rryma nacionaliste dëshiron gjithnjë e më shumë të paraqes pamundësinë për të arritur këtë marrëveshje për t’i dhënë fund problemeve historike dhe etnike”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, vizita e Thaçit nuk përbënë asnjë kërcënim për banorët serb e as nuk ishte.

“Një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, por se çfarë është kjo, duhet që palët të vendosin. Pala e Kosovës duhet të arrijë një konsensus për një lloj marrëveshje, por që së paku kjo duhet të ketë pajtimin e LDK-së me PDK-në, prej VV nuk pritet asgjë, sepse janë të atillë që nuk arrin kush t’i pajtojë për asgjë. Ky grupacion i vogël politik që merret me politikën kapitale nuk arrin dot ta kuptoj veten e tyre e lëre më shtetin. Pra, sipas rrethanave aktuale një marrëveshje legjitime koncensuale në Kosovë në mes partive aktuale mund të arrihet nëse LDK, PDK, partitë e vogla apo grupacionet e vogla politike AAK dhe NISMA të i bashkëngjiten konsensusit për një lloj marrëveshjeje me Serbinë. Thaçi si bajraktar po e pengon konsensusin politik në vend. Marrja e iniciativave ad hoc dhe tentative për të përzier politikën, shtetin dhe njerëzinë nuk janë të dobishme. Loja e heroit paqësor e Thaçit dhe tentativave për t’i bërë nobelist për paqe nuk shkon”, shprehet Burjani.

Tërnava: Tërësinë territoriale të Kosovës e garanton KFORI dhe NATO

Image
Hajrullah Tërnava

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava pohon se, vizita e Hashim Thaçit në liqenin e Ujmanit ka shërbyer si pretekst për provokim të serbëve, edhe që serbët nuk po pajtohen se Ujmani si liqe është i Kosovës.

Ai thekson se, përfaqësues të shtetit Kosovës, në politikë, udhëheqin politika vazale të turpshme ndaj Serbisë dhe pranojnë çfarë ju thonë ata, sikur të ishim ne fajtorët e këtyre luftërave në Ballkan.

“Jo rastësisht Thaçi kur bisedon me ta gjatë një ditë i ndërron retorikat e tij sikur që din ai, dhe në të vërtetë lë përshtypjen me besua se ai nuk është që po punon për të mirat e Kosovës, e kur këtij i ndihmojnë edhe Edi Rama e disa më të vogël si Baton Haxhiu për të cilin dihet mirë për të kaluarën e tij, dhe disa të tjerë që populli i Kosovës i njeh mirë dhe pas luftës edhe nuk guxonin me u pa në opinion deri i rehabilitoj kjo klikë politike që tani po bënë turp në politika. Sipas rezolutës 1244 nga ana e OKB-së që ende është në fuqi, tërësinë territoriale të Kosovës e garanton KFORI dhe NATO, çdo cenim i këtij territori vjen në konflikt me garantuesit e sigurisë së këtij territori. Dhe një luftë tjetër me të mëdhenjtë e botës sikur në këtë rast me Amerikën dhe aleatët e saj vë në pikëpyetje ekzistencën e vetë Serbisë”, potencon ai.

Tërnava shton tutje se, rritjet e nivelit të gatishmërisë së njësive ushtarake apo policore të Serbisë, janë konsum politik ditor për politikat serbiane dhe për popullin e saj.

Rusia reagon ndaj shkuarjes së ROSU-së në veri

Ndryshe, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se shkuarja e forcave speciale të Kosovës në veriun e këtij vendi, të banuar me shumicë serbe, mund të kishte rezultuar me "gjakderdhje", raporton agjencia ruse e lajmeve TASS.

"Një sjellje e tillë e papërgjegjshme e autoriteteve të Kosovës mund të sillte gjakderdhje të re në Kosovë dhe të destabilizonte rajonin e Ballkanit në përgjithësi", tha Zakharova në një koment të publikuar në ueb-faqen e ministrisë ruse.

"Përpjekjet e vazhdueshme të Prishtinës për të vënë kontroll mbi zonat e populluara me serbë përmes forcës, nxisin tensione ndëretnike, i bëjnë të pakuptimta përpjekjet disavjeçare të bashkësisë ndërkombëtare drejt një zgjidhjeje paqësore", tha Zakharova, transmeton TASS.

Forca speciale e Kosovës ROSU ka shkuar të shtunën në veri, në përcjellje të presidentit kosovar, Hashim Thaçi, i cili ka vizituar vendkalimin kufitar Bërnjak dhe Liqenin e Ujmanit.

Derisa vetë Thaçi ka thënë se vizita e tij atje ishte "rutinore" dhe "krejt normale", autoritetet në Beograd e kanë interpretuar atë si "sulm" mbi komunitetin serb.

“Shqiptarët e armatosur në veri të Kosovës, sipas marrëveshjeve që kemi arritur, mund të shfaqen vetëm me përmbushjen e dy kushteve: me miratimin e NATO-s dhe me pëlqimin e plotë të komunitetit lokal serb”, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të shtuar se "kushti i dytë është shkelur plotësisht”.

Thaçi, në një konferencë për media të dielën mbrëma, tha se qytetarët e Kosovës nuk duhet të marrin leje nga askush për vizita nëpër Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat