Ideja e Thaçit për “korrigjim kufijsh” rritë apetitet kriminale serbe ndaj Kosovës

Politika

Ideja e Thaçit për “korrigjim kufijsh” rritë apetitet kriminale serbe ndaj Kosovës

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 2 tetor 2018 Në ora: 22:27
Ilustrim

“Pse të mos pretendojnë ata kur ne iu ofrojmë tokat tona për pazare, e brenda shtetit tonë çdo gjë e kemi bë lëmsh nga një koalicion i territ që çdo ditë po errësojnë sukseset e dikurshme të shtetit tonë”, thotë deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli për gazetën “Bota sot”.

Kërcënimeve të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka urdhëruar që të rrisë nivelin e gatishmërisë luftarake ndaj Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në veri, u është bashkuar të martën edhe kryekrimineli serb, Vojislav Sheshel.

Kryetari i Partisë Radikale Serbe (SRS) dhe krimineli serb Vojislav Sheshel, tha se Serbia duhet në të ardhmen të ketë njësi gjithmonë gati të policisë ushtarake prej rreth 1.000 njerëzve, që në krizën e parë të ardhshme të jenë gati për të hyrë në territorin e Kosovës.

Kërcënimi nga Sheshel

Në fjalimin e tij në Kuvendin e Serbisë, Sheshel tha se nuk ka asnjë kuptim që çdo herë kur shqiptarët provokojnë një krizë, Serbia të rris normat gatishmërinë e ushtrisë dhe policisë, por është e nevojshme që një njësi të jetë gjithmonë e gatshme për t'u kthyer në Kosovë, “pasi ajo është e parashikuar me Rezolutën 1244”.

"Nëse duhet të bëhen përforcime, hyjnë përforcimet. Nëse keni nevojë për një forcë ajrore, hyjnë forcat ajrore ", tha ai, duke shtuar se Rusia ka garantuar në mënyrë të përsëritur të mos e lë Serbinë në baltë, dhe se garanci të ngjashme vijnë nga Kina”, tha ai.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, pohon se, rreziku nga Serbia është permanent.

Avdyli: Pse të mos pretendojnë ata kur ne iu ofrojmë tokat tona për pazare

Image
Haxhi Avdyli

Ai thotë se në Moskë nga Vuçiqi dhe në Zvicër nga Brnabiq po kërcënohet qenia jonë si shtet.

“Ata jo vetëm që nuk kërkojnë falje për krimet e tyre por si përjashtojnë krimet të reja. Ata akoma flasin për Kosovën si krahinë Serbe. Edhe pse mos të flasin kur e shohin se çfarë sharlatan politikanë e udhëheqin Kosovën. Pse të mos pretendojnë ata kur ne iu ofrojmë tokat tona për pazare, e brenda shtetit tonë çdo gjë e kemi bë lëmsh nga një koalicion i territ që çdo ditë po errësojnë sukseset e dikurshme të shtetit tonë. Vetëm një klasë politike e përgjegjshme në pushtet me një Kosovë stabile ekonomikisht, që respekton veten dhe tregon reciprocitet por edhe e hapur për dialog e me një ushtri të mirë përgatitur për çdo sfidë krijon siguri nga armiqtë pretendues verior siç janë serbët”, thotë Haxhiu për gazetën “Bota sot”.

Faji te Presidenti Thaçi

Image
Faton Kurti

Ndërsa, prof. Faton Kurti, kryetar i Republikanëve të Kosovës, thekson se, është e pakuptueshme që një shtet si Serbia, e cila i humbi të gjitha luftërat e fundit në Ballkan, prapë të na kërcënojë me luftë!

“Serbia, fatkeqësisht nuk ka mësuar asgjë nga e kaluara e vet e afërt! Deklaratat konstante luftënxitëse nga qeveria e Vuçiqit ndaj Republikës së Kosovës janë të papranueshme dhe duhen dënuar menjëherë me rreptësinë më të madhe me anë të sanksioneve ekonomike nga BE-ja dhe SHBA. Personalisht mua, nuk më duket aspak e çuditshme, pse Serbia ende sot vazhdon me politikat e saj kërcënuese ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar. Janë disa arsyet, por kryesorja është autorizimi që Thaçi u ka dhënë teksa flet për ndarje të territorit të Kosovës dhe nga qëndrimi evaziv dhe i paargumentuar i politikanëve shqiptarë të cilët janë ulur në tavolinën e bisedimeve pa i bërë të qarta vijat e kuqe, të cilat assesi nuk bën të tejkalohen, Serbia mban ende pozicionin e të fortit e të atij që dikton linjat e bisedës”, thotë Kurti për gazetën “Bota sot”.

Kurti: Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndërpriten menjëherë

Ai pyet se, si mund të dialogohet me një politikan dyfytyrësh si Vuçiqi dhe të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjatë, kur ky nga një anë flet për dialogun e nga ana tjetër na kërcënon me luftë.

“A mund ti besohet një politikani, i cili vetëm një ditë pas uljes në negociata dhe takimit në Bruksel deklaron për një portal serb: "E çfarë, nëse gjatë kësaj vere dikush niset me e marrë Veriun e Kosovës"? Edhe pse Serbia, prej vitesh e përdor politikën e "salto mortale" të një agresori duke kërcënuar fqinjët e vet, ndaj të cilëve vetëm disa vite më parë kreu gjenocid të paparë dhe kështu duke e futur  tërë rajonin e Ballkanit në luftë – megjithatë Serbia është privilegjuar nga BE për vite me  radhë, duke ju dhënë Liberalizimin e Vizave dhe Kandidaturën për të hyrë në BE, para Kosovës! Kjo lojë e politikës serbe mund të ndalet vetëm me sanksione të menjëhershme ndaj Serbisë nga BE dhe SHBA dhe bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndërpriten menjëherë – përndryshe një ditë mund të bëhet vonë nëse Serbia i bënë realitet kërcënimet e luftës”, potencon ai. 

Sipas tij, akti i Thaçit në Ujman ishte një lëvizje e tij, për të larguar vëmendjen nga protesta madhështore e 29 Shtatorit në Prishtinë, Serbia nuk ka fare të drejtë të na flasë me nota alarmi dhe të na kërcënojë me luftë. 

“Si mund të flitet sërish për luftë kur ende nuk janë zbardhur krimet e së kaluarës, derisa në Medvegjë sapo është zbuluar një varrezë masive me shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë? Komisioni Rajonal për zbulimin e fakteve mbi Krimet e Luftës, në afërsi të Medvegjës në kufi me Kosovën ka zbuluar një varrezë masive ku siç duket janë varrosur fëmijë, gra dhe burra shqiptarë. Kjo është një tjetër arsye shumë e fortë që bisedimet me një qeveri kriminele si kjo e Vuçiqit të ndërpriten menjëherë. Duhet të kërkohet nga Serbia që menjëherë të zbulohen, evidentohen kufomat e shqiptarëve të vrarë dhe tu kthehen të gjitha eshtrat e të zhdukurve tek familjarët e tyre në Kosovë. Njëkohësisht të arrestohen të gjithë kriminelët serbë të cilët i bënë këto krime ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë”, shton Kurti.

Pyetjet për Vuçiqin

Ai propozon që gjatë bisedimeve Vuçiqit ti vihen këto pyetje para hundës në tavolinë.

“A ndjeni gjëkund pendesë për krimet e tmerrshme që u kryen ndaj 18 mijë shqiptarëve të vrarë e të masakruar? Si do t’ua ktheni jetën dhe pafajësinë 20 mijë grave të dhunuara gjatë luftës? Ku i mbani fshehur skicat dhe hartat e varreve masive dhe listat e 1700 shqiptarëve të zhdukur me urdhrin tuaj dhe të shefave tuaj? A do kërkoni ndonjëherë falje për shtëpitë e djegura, për tokat e minuara, për fëmijët e gjymtuar dhe masakruar, për inteligjencën kosovare që e zhdukët pa nam e pa nishan? Si keni ndërmend të paguani për dëmet ekonomike të përllogaritura nga ekspertë të komunitetit evropian rreth 3 miliardë euro? Kur do ta njihni Pavarësinë e Kosovës dhe kur do të pushoni së luajturi lojën me dy porta kinse doni të hyni në Evropë por në realitet çdo mbrëmje pushoni në shtratin rus? E kjo, duke mos e cekur aspak krye kushtin me të cilin qeveritarët e Kosovës duhet të kishin shkuar në negociata: Njohja e pavarësisë së Kosovës”, thekson Kurti, duke shtuar se, nëse Vuçiqi me të vërtetë donë të futet në luftë me shqiptarët, atëherë duhet ta dijë se Serbia pas kësaj aventure do të përfundojë si dikur, vetëm Pashallëk i Beogradit.

Rreziku i ndikimeve të huaja

Image
Leon Duhanaj

 Analisti politik, Leon Duhanaj thekson se, kërcënimet verbale të Presidentit të Serbisë përkatësisht eksponentëve të ndryshëm serb, në aspektin primarë, nuk duhet marrë seriozisht, por në atë sekondarë po.

“Çfarë nënkupton kjo? Nëse Serbia vërtetë do ta sulmonte territorin e Kosovës, atëherë kjo do të nënkuptonte agresion ndaj NATO-s dhe ndoshta edhe luftë me përmasa botërore, për çfarë nuk besoj që ka gatishmëri askund. Aspekti sekondar për të cilin mendoj që është shumë serioz, është që Serbia, e përkrahur nga shërbimet ruse ka arritur të ketë ndikim të madh edhe tek shqiptarët, përmes Turqisë. Pra ndikimi i madh turk në rajon e sidomos tek shqiptarët, ka ndikuar që ne të bëhemi preh e lehtë edhe për interesat pansllaviste”, thotë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Kjo, sipas tij, mund të çoj në ndonjë skenarë trazirash që është qëllimi i tyre.

“Nëse e para do të ishte shpallje lufte NATO-s dhe njëherësh vetëvrasje e serbëve. E dyta nënkupton ripushtim i tokave shqiptare me kontributin e vetë shqiptarëve, gjë që edhe po e bën në vazhdimësi. Nëse e shikojmë në retrospektivë, atëherë kemi degradim të madh në atë që patëm pas përfundimit të luftës dhe asaj çfarë kemi tani”, përfundon ai.

Deklaratat janë jo serioze

Image
Faik Krasniqi

Opinionisti dhe analisti politik, Faik Krasniqi thotë se, kërcënimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq për Kosovën, erdhën pas vizitës së Hashim Thaçit në Veri të Kosovës, sepse Serbia atë pjesë e konsideron si pjesë të saj.

“Por vizita e presidentit Thaçi nuk është bërë pa lejen e presidentit Vuçiq, marrë parasysh që atë pjesë të Kosovës as presidenti Thaçi e as një zyrtar i lartë i Kosovës nuk e kanë vizituar në Kosovën e pasluftës. KFOR-i është përgjegjës për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës, prandaj nuk shohë asnjë rrezik nga deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë. Ata nuk janë çmendur që të futen në luftë me NATO-në. Deklaratat e tyre ''kërcënuese'' drejt Kosovës janë thjesht për konsum të brendshëm politik, ashtu siç ishte vizita e Hashim Thaçit në Ujman”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat